Stuhia që përfshiu vendin tonë fundjavën e kaluar ka shkaktuar dëme të ndryshme.
veç problemeve në rrugët nacionale apo qendrat urbane, edhe në fshatra ka shkaktuar dëmtime.
Kjo është banesa e familjes Tollja nga fshati Sopot i Bulqizës. E zonja e shtëpisë, Bibe Tollja thotë se e premtja e kaluar ka qenë ditë tmerri për ta pasi uji vërshoi në banesë duke e përmbytur.
Po ashtu, rrjedhja e madhe e ujit i ka marrë edhe disa koshere bletë të cilat ndodheshin në oborrin e banesës. Sipas saj, ndihma e parë është dhënë nga banorë që jetojnë përreth të cilët kanë arritur të shpëtojnë dëme të mëtejshme që mund të shkaktoheshin nga vërshimi i ujit. Nga ana tjetër, Bibe Tollja shprehet se shumë orendi shtëpijake i janë dëmtuar për shkak të ujit që hyri në banesë.
Pasditen e së premtes, ka shkuar një mjet tip fadromë i Bashkisë Bulqizë i cili ka bërë të mundur hapjen e kanalit. Ndërkohë, që uji i rrëmbyeshëm ka dëmtuar edhe rrugën e një lagjeje, pasi rrjedha rrëmbeu urën e prishi tombinot që ishin vendosur nga vetë banorët kohë më parë. / btvnews.al