Tifozët e Milanit pritën 2 javë për të marrë hak për atë që ndodhi në Paris. Në ndeshjen e parë në kryeqytetin francez kuqezinjtë humbën 3 me 0, por edhe u sulmuan në tribunë nga tifozët e PSG-së.
Një natë para sfidës së kthimit mes Milanit dhe PSG-së në Milano janë sulmuar tifozët francezë. Rreth 100 tifozë ultras të Milanit, të gjithë të veshur me të zeza kanë sulmuar tifozët kundërshtarë që ishin duke pirë në disa klube të zonës.
Të pajisur me kokore, shufra hekuri dhe tymuese ata i sulmuan kundërshtarët duke lënë të plagosur me thikë një tifoz të Parisit.
Ai është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu, i lënduar ka mbetur edhe një polic, i dëmtuar nga një tifoz francez. Ky i fundit është vënë në pranga.
Këto lloj skenash nuk janë parë prej vitesh në Milano.
Kujtojmë që Milan dhe PSG përballen mbrëmjen e sotme në San Siro në sfidën e vlefshme për Champions League.
Francezët fituan ndeshjen e parë me kuqezinjtë me rezultatin 3 me 0 dhe ndodhen në vendin e parë të grupit. Milani ka grumbulluar vetëm 2 pikë dhe gjendet në fundin e grupit F