Pas më shumë se një javë me reshje intensive shirash, moti ka marrë kthesë këtë fillim javë. Lartësitë mbi 2 mijë metra janë përfshirë nga reshjet e borës.
Mali i Dejës mori ngjyrën e bardhë këtë të hënë pas reshjeve të dëborës së rëna mbrëmjen e kaluar.
Reshjet kanë përfshirë edhe malet e larta të Dibrës.
Këto janë pamjet e vargmalit Kërçinit mbi njësinë administrative Maqellarë të Dibrës.
Reshjet e borës në këtë zonë kanë qenë më të mëdha se ato që përfshinë malin e Dejës. Ndërkohë, dëbora e rënë ka ardhur bashkë me përmirësimin e motit.
Sinoptikanët deklarojnë se dy ditët e para të javës do të jenë me mot të mirë, ndërsa e mërkura pritet të sjellë sërisht reshje shiu në një pjesë të madhe të territorit të vendit.
Ndërkohë, përmirësim të kushteve atmosferike pritet të ketë fundjava e ardhshme.
Temperaturat do të pësojnë rritje deri me 3 gradë Celsius në ditët në vijim, duke qenë mbi normalen e vetë periudhës në të cilën ndodhemi. /btvnews.al