E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Shkarkohet Sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman

Suella Braverman nuk është më Sekretare për Punët e Brendshme e Britanisë së Madhe. Kryeministri britanik Rishi Sunak njoftoi këtë të hënë riorganizimin e kabinetit të tij ku Braverman nuk do të jetë më pjesë.

Postin e saj do ta mbajë Sekretari i deritanishëm i Jashtëm James Cleverly, një mbështetës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, i cili vizitoi Tiranën një muaj më parë ku mori pjesë në samitin e Procesit të Berlinit.

Ajo që po konsiderohet si një lëvizje e fuqishme është rikthimi në qeveri i ish-kryeministrit David Cameron, i cili dha dorëheqjen pas referendumit të vitit 2016 që nxorri Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian. Cameron, po me një qasje pozitive ndaj Shqipërisë, do të jetë në krye të punëve të jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

Megjithatë, një prej shkaktareve kryesore të gjithë kësaj lëvizje ishte Braverman, popullariteti i së cilës ishte në nivelet më të ulëta të dekadave të fundit për një anëtare të kabinetit qeveritar.

43-vjeçarja u përfshi së fundi në një furtunë kritikash pasi i quajti manifestimet e mëdha pro-palestineze në Londër “marshime urrejtjeje”, duke bërë thirrje për një ligj për ndalimin e tyre.

Të tilla deklarata diskriminuese ajo ka bërë edhe ndaj emigrantëve shqiptarë, të cilët i quajti kriminelë, duke shkaktuar edhe polemika të ashpra me Kryeministrin Edi Rama.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit