Sipas Euractiv, Greqia po pengon Shqipërinë duke mos nënshkruar një letër nga 27 vendet anëtare drejtuar Komisionit të BE-së që hap 5 kapitujt e parë të negocimit.
Tensionet mes Greqisë dhe Shqipërisë u zbehën që nga muaji maj, kur kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili kandidoi nën logon e “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale, i akuzuar për blerje votash.
Ai fitoi zgjedhjet lokale në Himarë, por nuk është lejuar betohet si kryetar bashkie, pavarësisht kërkesave të tij në gjykatë për t’u lejuar që betohet ose t’i vendoset një masë më e lehtë sigurie.
Athina i ka bërë vazhdimisht thirrje Shqipërisë që ta lejojë Fredi Belerin të bëjë betimin, duke e cilësuar si të motivuar politikisht dhe etnikisht. Qeveria shqiptare ka thënë se nuk mund të ndërhyjë në proceset gjyqësore dhe sistemi i drejtësisë duhet të ndjekë rrugën e tij.
Gjatë fundjavës, media greke Kathimerini raportoi se Athina kishte refuzuar të firmoste një letër që i kërkonte Komisionit të hapte pesë kapitujt e parë të negociatave. Dhe lajmi u konfirmua për Euractiv nga një burim i Këshillit të BE-së.
Mugesa e ftesës për Ramën në darkën në Athinë
Shefat e lartë të BE-së dhe liderët e Ballkanit Perëndimori morën pjesë në një darkë jozyrtare në muajin Gusht në Athinë pas një ftese të kryeministrit grek. Por, mungoi ftesa e Kyriakos Mitsotakis për kryeministrin Edi Rama, i cili mungoi në darkë e organizuar.
Ky vendim u mor për shkak të çështjeve që sipas Athinës zyrtare lidheshin me shtetin e së drejtës, siç është rasti i Belerit dhe zbatimi i disa ligjeve që lidheshin me minoritetin grek në Shqipëri, si të drejtat e pronësisë.
Burime në atë kohë thanë për Euractiv se kishte edhe probleme në regjistrimin e popullsisë që po kryhet, ku pretendohej se pjesëtarët e minoritetit grek nuk janë pyetur për fenë apo gjuhën.
“Athina nuk po e mbyll derën për pranimin në BE, por ka disa çështje që duhet të zgjidhen. Me mënyrën se si kanë qenë gjërat për tre javë tani, procesi nuk mund të vazhdojë”, u shpreh një burim për Euractiv, lidhur me vendimin e Greqisë për të mos nënshkruar letrën, duke shtuar se pala shqiptare duhet të gjejë mundësinë për të zgjidhur krizën për çështjen “Beleri”.
Athina kërkon që ai të lejohet të betohet si kryetar i Bashkisë Himarë, pasi sipas tyre, ky është një vendim administrativ që mund të merret nga qeveria shqiptare, jo nga gjyqësori.
Masat e tjera të betimit, mund të merren nga një noter ose zyrtar kompetent në ambientet e burgut ose nga individi që shoqërohet në ambientet e institucionit nën rojen e policisë.
Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër i vendit, i cili aktualisht është nën hetim penal edhe vetë, deklaroi se policia dhe prokurori inskenuan arrestimin dhe gjykimin e Belerit.
Në një intervistë të fundit, kryeministri Rama ka përsëritur se “nuk ka gisht në këtë situatë” dhe s’mund të ndërhyjë në asnjë mënyrë.
“Unë besoj se kam bërë pjesën time për ta shpjeguar këtë. Nuk është një debat mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë greke sepse ka të bëjë me drejtësinë…është në duart e sistemit të drejtësisë.”
Ai shtoi, “Në fund, çfarëdo që të thotë dikush nuk do të zgjidhë një problem që mund të zgjidhet vetëm në rrugën e drejtësisë”.
Kur u pyet nëse Beleri duhet të lejohet të betohet, ai tha: “Ka teori të ndryshme për këtë, por çështja është, gjithsesi, kjo duhet të përcaktohet nga gjykata”.
Kritikët në Athinë kanë thënë se ka një motiv biznesi pas arrestimit të Belerit, duke lënë të kuptohet se qeveria shqiptare dëshiron të mbajë kontrollin e lejeve të ndërtimit të lëshuara në Himarë, një destinacion popullor veror me një treg fitimprurës të pasurive të paluajtshme.
“Prandaj, Beleri, që përfaqëson minoritetin grek dhe opozitën shqiptare, shihet si një kërcënim politik, diçka që Tirana e mohon”, shkruan Euractiv.
Rreth 0.9% e popullsisë së Shqipërisë identifikohet si greke etnike dhe megjithëse numri real vihet në dyshim nga disa në politikë dhe shoqëri civile, grekët njihen si një pakicë zyrtare.
Ndërsa disa komunitete në jug të vendit, përfshirë Himarën, flasin greqisht dhe disa tabela rrugore shfaqen në gjuhën greke, nacionalistët shqiptarë thonë se ata thjesht identifikohen si grekë për të marrë pasaporta greke (dhe de facto të BE-së) dhe para nga Athina.