E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Rreth 60 nxënës në shkollën e fshatit Tejzallë,ne lageshtire dhe pa ngrohje

Rreth 60 nxënës të Ciklit të Ulët në shkollën e fshatit Tejzallë, në Njësinë Fushë Bulqizë, të bashkisë Bulqizë, rrezikojnë shëndetin e tyre, pasi rrëketë e ujit kanë mbuluar oborrin e shkollës.

Prindërit detyrohen t’i mbartin në krahë jo vetëm për të kaluar oborrin e shkollës, por edhe një kanal uji të hapur në afërsi të godinës shkollore.

Por ka dhe nga ata fëmijë që në mungesë të prindërve rrezikojnë t’i kalojnë vetë pengesat e ujit për të shkuar në shkollë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe në klasë fëmijët e lagur nga ujërat përrreth shkollës nuk kanë se ku të ngrohen, pasi mungojnë sobat dhe drutë e zjarrit.

Data 15 nëntor korrespondon me datën zyrtare të furnizimit me lëndë djegëse të shkollave në zonat malore nga Bashkia, por në shkollën e fshatit Tejzallë kjo nuk ka ndodhur. Rreziku për fëmijët e kësaj shkolle haset ngado.

Në prag të shkollës ato i pret një pusetë e hapur e ujërave të zeza, me një thellësi rreth 2 metra, që përveçse ndotjes, mbi të gjitha rrezikon mbytjen e të miturve që frekuentojnë shkollën e fshatit Tejzallë në Bulqizë.

Pamjet flasin qartë për rrezikun që u kanoset fëmijëve ngado rreth shkollës. Në këto kushte, komuniteti i prindërve të shkollës në Tejzallë apelon ndaj Bashkisë Bulqizë për marrjen e masave urgjente për eleminimin e ujit pranë shkollës dhe funksionimin e sobave. Madje prindër e fëmijë ankohen se personeli mësimdhënës i shkollës ka rekomanduar nxënësit të sjellin nga shtëpia dru për tek shkolla.

Gazetari ynë Enver Doçi kontaktoi edhe me pushtetin vendor për këto probleme shqetësuese në shkollën Tejzall, dhe autoritetet, ndërsa kanë deklaruar se janë në dijeni të këtij shqetësimi, sigurojnë se shumë shpejt ai do të hyjë në rrugën e zgjidhjes.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit