Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas seancës së shkurtër parlamentare ku mes kaosit u votua në parim buxheti i vitit 2024. Kreu i qeverisë ka komentuar veprimet e opozitës për të cilët thotë se kanë prekur fundin dhe se “i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia”.“I futën fjalorin e sjelljet e rrugës në politikë, ndërsa politikën e hodhën në mes të katër rrugëve, duke mbjellë sherr, rrëmujë, dhunë dhe korrur humbje, humbje, humbje… Tanimë kanë prekur fundin, ku i ka marrë me vete halli i një të kërkuari nga drejtësia, që nuk do t’i lëshojë derisa të shkërmoqen e të ridalin copa e çika mbi ujë, si mbeturinat e një anijeje të mbytur”, shkruan Rama në Twitter.
Ditën e sotme u zhvillua seanca e radhës parlamentare ku duhej të zhvillohej diskutim maratonë në lidhje me buxhetin 2024.
Deputetët e opozitës ndezën tymuese, flakadanë dhe bllokuan foltoren e Kuvendit. Megjithatë mazhoranca votoi në parim buxhetin. Seanca zgjati vetëm 5 minuta.