Jo të gjithë turistët zgjedhin rrugën më të lehtë të transportit kur bëhet fjalë për pushime.
I tillë është edhe rasti i 41 vjeçarit Gregor Mokotar nga Sllovenia i cili ka zgjedhur që pushimet t’i kalojë duke udhëtuar me biçikletë. Ai thotë se deri tani ka kaluar disa shtete dhe se destinacioni final është Selaniku i Greqisë.
“Unë jam nga sllovenia dhe kam nisur një udhetim në ballkan për në Selanik. Kam nisur të udhëtoj me datë 29 tetor, dhe kam qenë në Kroaci, Bosnje dhe Mali i Zi. Pastaj u futa në shqipëri u mbërrita në Shkodër dy ditë më parë.
Udhëtimi im vazhdon për në Dibër, pastaj do të bëj një ndalesë në liqenin e Ohrit dhe në fund në Selanik të Greqisë. Kjo është hera ime e dytë në Shqipëri.
Isha vjet këtu në shqipëri, por erdha me avion në Tiranë. Vjet vizitova Beratin dhe Gjirokastrën. E dua Shqipërinë shumë, prandaj u ktheva dhe kam plan të vij sërish për herën e treteë”.
41 vjeçari thotë se nuk i ka problem temperaturat, ndërsa të vështirë e ka kur përballet me rrugë në gjendje të keqe.
“Nuk kam fare problem me temperaturën. I vetmi shqetësim që kam gjatë vozitjes është shiu. Jam pajisur mjaft mirë për çdo situatë.
Më pëlqen shumë ushqimi, pamja dhe natyra që është shumë e bukur. Më pëlqejnë shumë qytetet e vjetra historike.
Kultura është mahnitëse. E vetmja gjë që nuk më pëlqen janë rrugët. Unë ndihem i detyruar të eci në rrugët kryesore ku janë pothuajse të kalueshme po ka shumë trafik, përndryshe duhet të eci në rrugë dytësore ku gjendja është tmerrësisht e keqe”.
Slloveni Gregor Mokotar ka një merak për Shqipërinë, të vizitojë bregdetin pasi vitin e kaluar dhe sivjet nuk ka arritur ta vizitojë.
“Nuk kam qenë akoma në plazhet e Shqipërisë, por i kam në plan për herën tjetër. Unë vërtetë kam dëshirë të eksploroj të gjithë Shqipërinë, i dua shumë vendet autentike. Dua të kem sa më shumë eksperienca të tilla.
I anashkaloj vendet ku ka shumë turistë sepse aty humbet autenticiteti, prandaj unë lëviz më shumë në zona ku ka shumë më pak turistë. Në këtë mënyrë unë mund të takoj dhe flas me njerëz ku më tregojnë për jetën e tyre, kjo gjë nuk para ndodh në qytetet e mëdha ku ka shumë turistë. Ndërveprimet e tilla me qytetarë të thjeshtë dhe pamje mahnitëse ma bëjnë aventurën shumë herë më të kënaqshme.
Dua të eci me biçikletë sepse është aventurë më vete. Dua të iki nga zona ime e rehatisë”. /btvnews.al