E hënë, 25 Nëntor, 2024

Termometri zbret në -13 në Dibër, vendi përfshihet nga ngricat dhe acari

Reshjet e dëborës ua lanë vendin ngricave. Termometri shënoi gjatë natës minus 13 gradë Celsius në qarkun e Dibrës. Në akset rrugore kombëtare nuk ka më dëborë, por akull, ndaj autoritetet u kërkojnë drejteusve të automjeteve të tregojnë kujdes.
Rruga e Arbrit është e kalueshme, por ka prezencë të akullit në orët e para të mëngjesit dhe të mbrëmjes. Prezencë të akullit ka edhe në afërsi të Bulqizës si dhe në pjesë të caktuara të aksit Peshkopi – Kukës.

Bashkia po punon për të hapur rriget drejt fshatrave të Lurës. Në disa zona të thella ka ende mungesë të energjisë elektrike.

Situata e krijuar nga reshjet e borës duket e përmirësuar edhe në Mirditë. Fshatrat e njësive Fan, Bardhaj dhe Selitë kanë dalë nga izolimi ndërsa po punohet për zhbllokimin e rrugëve drejt Oroshit. Edhe në këtë qark nuk mungojnë problemet me energjinë.

Ndërprerje sporadike të energjisë ka edhe në Malësinë e Shkodrës, ndërsa situata e rrugëve është normalizuar.

Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se gjatë natës së kaluar reshje dëbore ka pasur vetëm në Llogara ku është punuar për ta mbajtur rrugën të hapur.

ARRSH kërkon nga drejtuesit të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë si dhe të respektojnë sinjalistikën në akset me prezencë akulli.

 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit