E diel, 1 Dhjetor, 2024

I kapi paniku dhe e eliminuan”, zbardhet rrëmbimi dhe vrasja e 14-vjeçares në RMV

Rrëmbimi dhe eliminimi i 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, që u shpall e zhdukur më 27 Nëntor dhe u gjet e vrarë mbrëmjen e së dielës në periferi të Shkupit në Maqedoninë e Veriut dyshohet se është organizuar nga babai i saj. Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski në një konferencë të përbashkët me prokurorët e çështjes teksa zbardhi dinamikën e ngjarjes, bëri të ditur se 5 persona janë identifikuar si autorë të krimit, 4 prej të cilëve janë arrestuar.

Një prej të akuzuarve të ndaluar është edhe babai i të miturës që dyshohet se organizoi rrëmbimin, duke pajtuar një grup kriminal me qëllim zhvatjen e parave nga nëna e vajzës, e cila pak kohë më parë kishte shitur një shtëpi.

“Motivi është për “përfitim material”, ku njëri nga të implikuarit, në marrëveshje me një anëtar të familjes e kanë organizuar kryerjen e veprës penale, që të zhvatin para nga e ëma e të miturës”.

Grupi hetimor bëri të ditur se pasi e kanë rrëmbyer 14-vjeçaren pranë shtëpisë së saj, rrëmbyesit i kanë lidhur duart dhe këmbët, dhe e kanë vendosur në bagazhin e një makine “Citroen”, ndërsa para saj lëvizte edhe një makinë tjetër tip Reno.

14-vjeçarja është dërguar në një zonë jashtë Shkupit, në afërsi të fshatit Brazdë, aty ku dy orë e gjysmë pas rrëmbimit të 14-vjeçares, organizatorët i ka kapur paniku, ndaj dhe kanë vendosur ta eliminojnë atë.

Këtë e kanë pranuar edhe vetë të arrestuarit gjatë seancës dëgjimore ku kanë thënë se e kanë vrarë me pistoletë rreth orës 10:00 ditën e rrëmbimit.

Autoritetet thanë se gjatë hetimeve gjetën edhe trupin e pajetë të një 74-vjecari nga Velesi i zhdukur në 24 Nëntor, edhe ky i vrarë nga i njëjti grup. Vrasja e tij nuk ka lidhje me rastin e 14-vjecares, por dyshohet se ai u vra për t’i marrë makinën me të cilën edhe u rrëmbye vajza e mitur.

Dyshohet se kreu i këtij grupi kriminal është Ljupço Palevski, kreu i një partie të vogël pro-ruse në Maqedoninë e Veriut, e cila gjatë këtyre ditëve ka propaganduar se krimi është bërë nga shqiptarët, për t’i dhënë ngjarjes një konotacion etnik.

Për këtë shkak Ministria e Brendshme theksoi se të 5 autorët e dyshuar janë me përkatësi maqedonase. Ai është shpallur në kërkim dhe dyshohet se menjëherë pas krimit ka udhëtuar drejt Serbisë, më pas në Bullgari dhe tashmë fshihet në Turqi.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit