Tre të rinj rreth të njëzetave, Giulia Di Tillio, Egli Gjeci dhe Altin Hoti kanë humbur jetën në një aksident rrugor të ndodhur gjatë natës në Portogruaro, në provincën e Venecias.
Pasi kanë thyer parmakët dhe kanë dalë nga rruga, makina me të cilën udhëtonin ka përfunduar në një kanal. Trupat e viktimave u gjetën nga zhytësit e zjarrfikësve.
Aksidenti tragjik mësohet se ndodhi rreth orës 03:30.
Sipas të dhënave të para, makina BMW me të cilën ata udhëtonin po lëvizte me shpejtësi, kur përballë një kthese vijoi drejt, duke u përplasur me barrierat mbrojtëse e më pas duke përfunduar në lumë.
Të tre të rinjtë jetonin në Portogruaro. Gjithnjë sipas asaj që shkruajnë mediat fqinje, Egli Gjeci kishte pasion futbollin.
Por me tragjike është historia e familjes së 22-vjeçarit Altin Hoti. Majin e shkuar, vëllai i tij më i vogël, Admir Hoti kishte humbur gjithashtu jetën si pasojë e një aksidenti tragjik me makinë. Ai ishte vetëm 19 vjeç.