E martë, 26 Nëntor, 2024

Lefter Alla-gjykatës: Jam i pafajshëm, shiheni me kujdes

Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla i kërkoi Gjykatës së Posaçme ta shpallë të pafajshëm dhe të mos pranojë dënimin me 3 vite e 6 muaj që u kërkua një javë më parë nga SPAK. Në seancën gjyqësore të së enjtes, Alla dhe avokatët e tij paraqitën para togave të zeza konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes, duke kundërshtuar akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.

“Jam i pafajshëm jam zgjedhur me 67 % të votave nga populli i Bulqizës. I kam shërbyer me ndershmëri dhe përkushtim. Kam hequr dore nga biznesi. Nuk pasur përvoja të tjera në administratë. Lashë biznesin tim për t’i shërbyer popullit. Kam marrë nga pjesa e familjes time për t’ia vënë në dispozicion popullit. Shiheni me kujdes këtë punë se prokurorja e çështjes nuk me ka marrë në pyetje”.

Edhe ish-nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi, i kërkoi gjykatës pafajësinë, me pretendimin se nuk kishe patur tagër më shumë se të lëshonte urdhrat e deleguara nga kryetari dhe se nuk kishte dijeni për kompaninë që po kryente punimet e ujësjellësit. Lidhur me një përgjim të prokurorisë, ku Lleshi bisedon me biznesmenin e përfshirë në çështjen e ndërtimit të ujësjellësit në Bulqizë, ajo tha se kishte folur me të për shkak të detyrave të tjera.

Një javë më parë, prokuroria kërkoi 3 vite e 6 muaj burg për Allën, 3 vite për Enkeleda Lleshin, për vartësit e tjerë dhe biznesmenin që kreu punimet e ujësjellësit kërkoi 1 deri në 4 vite burg. Të gjithë përfitojnë gjykim të shkurtuar. Sipas SPAK janë kryer veprime aktive të kundërligjshme për paracaktimin e fituesit megjithëse subjekt nuk i përmbushte të gjitha kriteret. Edhe pse fitues rezultoi Rasim Daci, punimet për ujësjellësin u kryen nga Aqif Konesha, një lidhje e kryetarit të bashkisë Lefter Alla. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit