E diel, 24 Nëntor, 2024

Gjykata shtyn për nesër në orën 11:00 seancën për Berishën

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për nesër në orën 11:00 seancën ku do të vendoset ashpërsimi i masës së sigurisë ose jo për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Avokatët mbrojtës të Berishës kërkuan kohë që të njihen me provat që SPAK relatoi në seancën në lidhje me thyerjen e masës së sigurisë dhe refuzimin e Berishës për të marrë njoftimet e gjykatës.

Gjithashtu mbrojtja e ish-kryeministrit Berisha kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka pasi pretendojnë për njëanshmëri nga ana e saj në procesin në ngarkim të Berishës. Referuar të njëjtave burime, avokatët e Berishës kanë dorëzuar provat që sipas tyre faktojnë faktin e shkarkimit të gjyqtares Irena Gjoka në Shkurt të 1996-ës nga KLD, ku kryetar ishte Sali Berisha.

Mësohet se SPAK ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” me mbikëqyrje të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Berisha nuk e ka njohur vendimin e gjykatës që të paraqitej të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji duke argumentuar se vendimi është antikushtetues, pasi nuk ishte ndjekur rruga parlamentare. Kërkesa e SPAK u dorëzua në Gjykatën e Posaçme pasi Kuvendi i dha autorizimin Prokurorisë Anti-Korrupsion për heqjen e imunitetit të deputetit të Sali Berishës.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv për çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.

 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit