Mohamed Salah vendos rekorde me dopietë golash, Newcastle në krizë totale
Liverpool nuk humb busullën as në vitin 2024, teksa nis arratisjen drejt titullit kampion. ‘The Reds’ dhuruan spektakël dhe gola në fitoren me shifrat 4-2 ndaj Newcastle.
Një triumf që zgjat serinë e tyre të pamposhtur në kampionat, në 13. Mohamed Salah ishte protagonist absolut në këtë sfidë.
Fillimisht, egjiptiani humbi një penallti, e cila ishte e gjashta ku dështon me fanellën e Liverpool. Sulmuesi gjendet pas legjendave si Steven Gerrard dhe Michael Oëen në këtë renditje speciale.
Gjithsesi, Salah gjeti golin për të zhbllokuar edhe rezultatin, madje në këtë përballje realizoi një dopietë golash.
Egjiptiani është i vetmi lojtar në pesë kampionatet kryesore të Europës në vitin 2023 që tejkalon në mbi 15 numrin e golave dhe asisteve, konkretisht me 24 realizime dhe 15 pasime të fundit.
Mohamed Salah ka shënuar 150 gola në Premier League për Liverpool, duke u bërë lojtari i pestë që arrin këtë moment historik për një klub të vetëm, pas Harry Kane, Sergio Agüero Ëayne Rooney dhe Thierry Henry.
“Askush nuk duhet të habitet me të vërtetë që Salah do të ndryshojë ndeshjen dhe ta përmirësojë atë, sepse ai e ka bërë me qindra herë. Ishte një super ndeshje nga fillimi deri në fund. Statistikat janë thjesht numra për mua. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme edhe kur humbëm raste për gol. Ia dolëm dhe shënuam katër gola. Gjithçka shkoi shumë mirë”, tha trajneri i Liverpool.
Pas kësaj fitoreje, Liverpool gjendet në kuotën e 45 pikëve, 3 më shumë se Aston Vija dhe e distancuar me 5 nga City i vendit të tretë që ka edhe një takim për të rikuperuar. Ndërkaq, për Newcastle kjo ishte humbja e tretë radhazi në kampionat.