Identifikohen 3 autorët e dyshuar të dhunës ndaj 3 të rinjve shqiptarë të shtunën në Herceg Novi në Mal të Zi. Ka qenë policia malazeze ajo që ka njoftuar identifikimin e autorëve, të zbuluar pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë në zonën ku u regjistrua incidenti.
Policia malazeze ka dhënë detaje rreth zanafillës së ngjarjes, e cila u regjistrua fill sapo 3 shqiptarët zbritën nga trageti dhe po lëviznin me një automjet me targa gjermane në Herceg Novi. Pikërisht në këtë zonë, nga ku rezultojnë të jenë dhe autorët, të rinjtë nga Shqipëria janë goditur me makinë nga agresorët, e më pas ndaj tyre është ushtruar dhunë fizike.
E gjithë kjo kronologji, është dëshmuar para oficerëve të policisë malazeze dhe nga shqiptarët e dhunuar, Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi. Në momentet e intervistimit të tyre tre shqiptarët kanë qenë të shoqëruar nga një avokat dhe përfaqësues të ambasadës shqiptare. Policia malazeze thotë se shkak i ngjarjes është bërë një incident trafiku.
Pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat, 3 të rinjtë janë nisur drejt Shqipërisë me dëshirën e tyre, teksa gjatë rrugës janë shoqëruar nga policia malazeze. Me mbërritjen e tyre në atdhe, ata i janë nënshtruar kontrolleve mjekësore në spitalin e Shkodrës ku kanë rezultuar pa probleme shëndetësore.
Dhuna ndaj 3 shqiptarëve u denoncua fillimisht nga familjarët e tyre, çka ngjalli menjëherë reagim nga autoritetet. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kontaktoi homologun e tij malazez Danilo Sharanoviç ku kërkoi informacion të plotë mbi shkaqet e këtij incidenti. Për këtë të fundit reagoi dhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, i cili që në momentet e para deklaroi se policia e vendit të tij ishte në gjurmët e agresorëve.