Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat, ku i është përgjigjur deklaratës së djeshme të kryeministrit Edi Rama sa i takon mos-interesimit të opozitës për nisjen e punës së Komisionit bipartizan për Reformën Zgjedhore. Basha tha se deklarata e Ramës gjatë ditës së djeshme është vetëm një alibi për t’ju shmangur përgjegjësisë ndërsa nënvizoi se PD është gati të nisë procedurat për të mbledhur sa më parë komisionin e Reformës Zgjedhore.
“Dje dëgjuam kryeministrin që iu kthye lojës së vjetër të gjetjes së alibive për mosmbledhjen e komisionit. Mesazhi që kam, për një kohë të gjatë kanë përdorur gjendjen ku ndodhet opozita për t’u iku përgjegjësive. Në raport me Komisionin për Reformën Zgjedhore kjo alibi nuk pin ujë. Ka deputetë të PD dhe përfaqësues të partive aleate. Spektri opozitar është i plotësuar. Propozimet tona janë konsultuar gjerësisht, pa diskutim ne mbetemi të hapur nëse ka plotësime apo propozime për plotësime për çështje të tjera që Reforma Zgjedhore duhet të trajtojë ndonëse mendojmë se me paketën tonë, kemi shteruar kërkesat që u shërbejnë njerëzve. Platforma jonë nuk është partizane, nuk i shërben një partie politike por njerëzve. Shqipëria ‘një zonë elektorale’ i jep përgjigje pabarazisë së votës. Me propozimet tona, i japim përgjigjie shteruese edhe pikëpyetjeve të vendosura deri tani për të ndaluar votën e emigrantëve. Prandaj alibitë kanë rënë, sot disa ditë para nisjes së sesionit të ri të Kuvendit, thirrja ime është Komisioni i Reformës Zgjedhore të nisë menjëherë nga puna. Ky nuk duhet të jetë vit alibish. Nuk ka alibi përveç atyre që shpiken vetë, komisioni duhet të fillojë nga puna një orë e më parë. Bashkëkryetari do të hedhë të gjithë procedurat për të filluar këtë komision për të treguar se kush e do këtë komision dhe kush nuk e do”- u shpreh Basha mes të tjerash.
Gati të pamundur sheh edhe mundësinë e bashkimit të Partisë Demokratike dhe opozitës nën çatinë e asaj që ka nisur të quhet federatë, me non gratën e Berishës mbi kurriz.