Juventus është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, pasi kaloi pa probleme Frosinonen, me shifrat 4-0 në “Allianz Stadium”. Në minutën e 10-të Pol Lirola shkaktoi penallti, duke i dhënë mundësinë e artë “Zonjës së Vjetër” për të kaluar në avantazh.
Polaku Arkadiusz Milik u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, me tifozerinë vendase që festuan ligjërisht në tribuna. Ishte nata e Milik, pasi sulmuesi “tundi rrjetën” në të 38-tën, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë kompletoi tripletën.
Frosinone pësoi golin e katërt nga Yildiz, në minutën e 61-të. Në gjysmëfinale, Juventus do të përballet me Lazion e Mauricio Sarrit. Dyshja-tjetër e fazës së ardhshme është ajo mes Fiorentinës dhe Atalantës. Finalja e madhe e Kupës është e planifikuar të luhet me 15 maj.
(J.S/BalkanWeb)