Banorët e fshatit Gurë i Bardhë në bashkinë e Klosit, janë kundër marrjes së burimeve ujore të këtij fshati nga Bashkia e Tiranës.
Ata kanë kërkuar që këto burime t’i mbeten fshatit i cili është përzgjedhur nga qeveria si një nga 100 fshatrat turistik të vendit tonë.
Me marrjen e ujit, thonë banorët, fshati kthehet në shkretëtirë pasi është evetmja mundësi që ata kanë të mbajnë me vaditje tokat e tyre bujqësore. Si fshati i lindjes së prozatorit të parë të letrave shqipe, Pjetër Budi, banorët e Gurit të Bardhë në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë Klos, kërkojnë nga autoritetet të ndalin projektin për marrjen e ujit dhe të investojnë në fshat për zhvillimin e turizmit.
Banorët thonë se do të vijojnë rezistencën e tyre dhe ftojnë të jgjitha ata që janë larguar t’i bashkohen kauzës për mbrojtjen e burimeve ujore të Gurit të Bardhë. Burimet ujore të fshatit Gurë i Bardhë kanë shërbyer historikisht për vaditjen e tokave të pesë fshatrave, Gurë i Bardhë, Petralbë, Xibër – Murrize, Shkallë dhe fshati Fshat. /btvnews.al