Kjo ishte hera e tretë që Xhaka u shpall futbollisti më i mirë i Zvicrës, teksa për herë të parë këtë çmim e kishte fituar në vitin 2017. Trofeun e më të mirit Xhakës ia ka dorëzuar përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin.
“Pa përkrahjen e gruas sime, që më përkrah shumë, do të ishte e pamundur”, ka thënë Xhaka, duke mbajtur trofeun në dorë. Ai ka falënderuar edhe ekipin dhe stafin, ndërsa është shprehur i lumtur që u shpall më i miri.
“Është shpërblim për punën që e bëjmë çdo ditë. Jam tejet i lumtur që e kam fituar sërish. Jam fitues sonte dhe do të punoj shumë që të jem sërish këtu pas një viti”, ka vazhduar Xhaka.
Edhe pse nuk ishte i pranishëm në ceremoni, Manuel Akanji shfrytëzoi rastin që përmes një videomesazhi ta urojë Xhakën për çmimin e fituar.
“Ti e ke merituar çmimin”, ishin fjalët e mbrojtësit të City-t kundrejt Xhakës.