Një stuhi dëbore ka përfshirë këto orë disa nga shtetet e Ballkanit perëndimor. Në Serbi temperaturat kanë rënë ndjeshëm. Kryeqyteti, Beogradi është goditur nga një stuhi breshëri që ka përmbytur rrugët.
Reshjet e borës në zonat malore në Serbi parashikohet të arrijnë deri në 50 centimetra në rreth 36-48 orë reshje intensive bore, të kombinuara me erëra të forta. Era do të fryjë mesatare dhe e fortë. Në mbrëmje dhe gjatë natës temperaturat do të pësojnë rënie të mëtejshme në të gjitha zonat e vendit.
Edhe në Kroaci reshjet e dëborës të orëve të fundit kanë shkaktuar problem në qarkullimin e mjeteve sidomos në pjesën veriperëndimore të vendit. Dëbora mbuloi shumë qytete kroate, kryesisht në veri të vendit. Në kryeqytetin Zagreb dhe rrethinat e tij që nga mëngjesi i sotëm ka rënë borë e madhe, e cila ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e njerzve dhe mjeteve.
Probleme ka patur edhe ne transportin detar. Autoritetet kanë paralajmëruar drejtuesit e mjeteve që të rregullojnë shpejtësinë dhe stilin e drejtimit. Rrymat veriore janë duke u forcuar duke sjellë ajër më të ftohtë nga Evropa Qendrore.
Është paralajmëruar se për shkak të erës së fortë janë të mundshme ndërprerje në punën e teleferikut.
Moti i ftohtë dhe bora vështirësojnë jo vetëm lëvizjen e automjeteve, por përbën rrezik edhe për rrëshqitje dheu në rrugë.
Në disa zona është i detyrueshëm përdorimi i pajisjeve dhe zinxhirëve dimëror. Në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut priten po ashtu reshje bore këtë fundjavë.