E diel, 24 Nëntor, 2024

Përmirësohet moti, problem ngricat në zonat me borë, probleme me energjinë elektrike

Dibra ishte një nga qarqet ku trashësia e borës kaloi 25 cm. Sipas raportimeve, pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës, janë ulur ndjeshëm temperaturat në këtë qark. Në orët e para të mëngjesit termometri ka shënuar -7° Celsius në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në Kalanë e Dodës -13° si pasojë e erës së fortë. Rrugët janë të ngrira dhe ka një reduktim të ndjeshëm të lëvizjes.

Ndërprerja e reshjeve u ka dhënë kohë mjeteve borëpastruese të avancojnë në hapjen dhe kriposjen e tyre.

Rruga Peshkopi-Bulqizë-Klos është e kalueshme, ndërsa policia vijon të mbajë të bllokuar segmentin e Rrugës së Arbrit nga rreth rrotullimi i Klosit drejt Qafës së Murrizit, derisa kripa e hedhur të shkrijë akullin që ka shtresëzuar në asfalt. Kalimi deri në një njoftim të dytë do të bëhet në rrugën e vjetër, nga Burreli.

Aksi Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës i kalueshëm me zinxhirë, ka pasur probleme në një segment nga Qafë Kalaja drejt Vasies, për shkak të erës së fortë.

Aksi Ura e Çerenecit-Librazhd është i kalueshëm me zinxhirë deri në Njësinë Administrative Ostren, ndërsa më tej është e bllokuar.

Janë hapur një pjesë e rrugëve të njësive Administrative, më të afërta me qytetin, ndërsa vijojnë të jenë të bllokuara shumë prej tyre.

Në Bashkitë Dibër, Bulqizë dhe Klos të cilat kanë qenë më të goditura nga moti i keq, nuk ka pasur probleme me energjinë elektrike.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit