Një 32-vjeçar është arrestuar dhe 4 policë të doganës së Kapshticës janë pezulluar nga detyra pas goditjes së një rasti të trafikimit në Shqipëri të automjeteve të vjedhura në Greqi.
Në pranga ka rënë Maradona C. 32 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Korçës ka vendosur arrest në burg për veprën penale trafikim i mjeteve motorike.
Gjithashtu, janë pezulluar nga detyra 4 policë të Kapshticës; Inspektor M.M., 32 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë; Inspektor S.L., 56 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë; Inspektor E.M., 35 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë dhe Nënkomisar M.A., 28 vjeç, me detyrë Specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive në lidhje me këtë procedim penal, ka rezultuar se Maradona C. ka trafikuar në Shqipëri automjete që rezutojnë të vjedhura në Greqi, duke iu bërë ndryshime në elementët identifikuese për t’i pajisur më pas me dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë.
Po kështu është arritur të dokumentohet me prova e fakte ligjore se punonjësit e policisë, në shpërdorim të detyrës dhe në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, nuk kanë kryer verifikime mbi dokumentacionet e mjeteve, mungesat e prokurave apo autorizimet që duhet të dispononte 32-vjeçari në momentin e futjes së këtyre mjeteve në territorin shqiptar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 automjete të dyshuara të vjedhura, me vlerë 130,000 Euro.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme