Për të përballuar fluksin e pacientëve që po preken nga gripi gjatë kësaj periudhe një rol të madh po luajnë edhe qendrat shëndetësore 24-orëshe. Njëra prej tyre është edhe Qendra Shëndetësore 8 në kryeqytet, ku sipas drejtores Blerta Berberi numri i pacientëve ka qenë relativisht i lartë.
“Fluksi më i shtuar ka qenë në shërbimin e pediatrisë duke qenë se fëmijët janë dhe mosha më delikate dhe më e prekshme nga virozat. Gjatë këtyre ditëve në shërbimin e pediatrisë janë kryer nga 230 deri në 300 vizita.”
Sipas specialistëve simptomat që shfaqen tek pacientët janë tepër agresive, prej të cilave temperatura e lartë apo dhimbjet e kokës.
“Pacientët kanë referuar për temperaturë shumë të lartë, deri në 40 gradë, dhimbje fyti e cila mund të zgjasë 1 ose 2 ditë, dhimbje koke, kollë e cila është shumë shqetësuese veçanërisht gjatë orëve të natës, dhimbje trupi, dhimbje mesi dhe djersë të shumta.”
Për të ulur fluksin pranë Urgjencës së Pediatrisë, 4 qendrat shëndetësore në kryeqytet janë në gatishmëri gjithë kohës.
“Pranë këtyre qendrave shëndetësore siç është ajo numër 8, numër 10, numër 7 dhe ajo numër 6, prindërit mund të marrin shërbim në kohën e duhur dhe në kushte komode.”
Për të shmangur çdo përkeqësim nga gripi dhe virozat, nuk rekomandohet që fëmijët të frekuentojnë kopshtet dhe shkollat, gjithashtu duhen evituar edhe ambientet e mbyllura me shumë njerëz.