Moti i acartë vijon të mbajë të mbërthyer Qarkun e Dibrës. Situatë më problematike mbetet në zonat rurale ku ka trashësi të madhe të borës.
Fshatrat e dy njësive administrative në Bulqizë, Ostrenit e Trebishtit si dhe fshatrat Tërnovë e Madhe dhe Tërnovë e Vogël të Zerqanit janë të izoluara pasi trashësia e borës arrin deri në 60 centimetra.Situatë problematike paraqitet edhe në rrugët e qytetit të Bulqizës ku ka prani të madhe të akullit.
Temperatura gjatë mbrëmjes në Bulqizë zbriti deri në minus 12 gradë celsius, duke krijuar shtresa të mëdha akulli dhe të bëjë të vështirë lëvizjen e këmbësorëve.Njësitë administrative Sllovë, Zall Dardhë e Zall Reç në Dibër janë të izoluara totalisht, ndërsa Lura ka komunikim vetëm me Rrëshenin.
Në Mat të bllokuar janë fshatrat e Njësisë Administrative Xibër të Bashkisë Klos, fshati Selixë në Bashkinë e Matit. Sa i përket rrugëve nacionale Skuraj – Burrel – Klos, Rruga e Arbrit, Bulqizë – Peshkopi dhe Peshkopi – Kukës kalimi bëhet paprobleme, ndërsa Ura e Çerenecit – Librazhd kalimi bëhet me shumë vështirësi edhe me zinxhirë.Është rikthyer energjia elektrike ku kishte ndërprerje ndërsa nuk ka probleme momentalisht me ujin e pijshëm.