Nju Jorku shpall mediat sociale si rrezik për shëndetin publik, por edhe një toksinë mjedisore.
Deklarata është bërë nga vetë kryebashkiaku Eric Adams, i cili ka nënvizuar se brezat e rinj duhet të mbrohen nga rreziqet që rrjetet sociale i ekspozojnë.
Nju Jorku bëhet qyteti i parë në SHBA, ndoshta edhe në botë, që merr këtë lloj iniciative, ku rrjetet sociale do të trajtohen dhe etiketohen si të gjitha rreziqet e shëndetit publik, siç janë duhani apo armët.
Sipas bashkisë së qytetit, nuk mund të vihet më në diskutim shëndeti mendor i fëmijëve, duke lejuar që kompanitë e mëdha teknologjike të bëjnë para e të monopolizojnë privatësinë e fëmijëve dhe adoleshentëve.
Qëllimi është që të ruhet shëndeti i qytetarëve dhe mbi të gjitha që shoqëritë e mëdha të rrjeteve sociale të korrigjohen dhe të bashkëpunojnë në të mirën publike.
Në një moment të dytë do të publikohen edhe rregullat që do të duhet të aplikohen. Nisma të tilla nuk janë të reja në Nju Jork, ku më parë, ish-kryebashkiaku Bloomberg dha urdhër të ndalohej përdorimi i celularëve në të gjitha shkollat publike.