Gjatë konferencës së tij për mediat, kreu i PD-së, Lulzim Basha, veç të tjerash, u ndal edhe në çështjen e ish-pronarëve, të cilët, sipas tij, kanë 33 vite që zvarriten dhe janë degdisur në grupin më të diskredituar në Europë, sepse nuk gëzojnë një të drejtë themelore, siç është ajo e pronës.
“I drejtohem pronarëve dhe atyre qindra mijërave familjeve, që kanë 33 vite, që sa Partia Socialiste, ish-Partia e Punës që ua mori pronat me Enver Hoxhën, sa Partia Demokratike që u premton sa herë vjen fushata dhe ju lë me gishtë në gojë kur qeverisë, i kanë degdisur në grupin më të diskriminuar në Europë, sepse nuk gëzojnë dot një të drejtë themelore, të drejtën e dytë më të shenjtë themelore pas të drejtës për jetën, që është e drejta e pronës.”
Deklaratat Basha i bëri, ndërsa përmendi shifrën prej 30 milionë euro, që qeveria dhe Edi Rama ia kanë marrë buxhetit të ish-pronarëve, për t’ia kaluar ato AlbControlit, për ta shpëtuar nga falimenti. Kreu demokrat shtoi se Partia Demokratike nuk mund t’i iki përgjegjësisë së saj ndaj kësaj shtrese të rëndësishme dhe shprehu angazhimin e tij për t’i dhënë zgjidhje çështjes së pronës në vend.
“Partia Demokratike është vetëdijësuar dhe se mizore siç është ky rialokim për të fshehur dështimin e Edi Ramës dhe faktin që nga taksat e shqiptarëve duhet t’i paguajmë 30 milionë AlbControlit sepse ia ka marrë Euro Controli për t’ia dhënë Beketit. Dhe cinike siç po duket dhe nuk është surprizuese sepse Edi Rama e ka thënë qartë se as pronarët as të përndjekurit nuk janë prioritet i tij. Dhe s’kishit pse ta prisnit prej tyre, keni çdo të drejtë të jeni të mërzitur, të mllefosur me Partinë Demokratike, që u ka dalë për zot sa herë vijnë fushatat, por u ka tradhëtuar sa herë ka qeverisur. Dhe për këtë padiskutim nuk mund t’i ikim përgjegjësisë tonë politike, duke filluar nga unë i pari.”
Kreu demokrat solli në vëmendje se Partia Demokratike ka nënshkruar me të gjitha shoqatat e pronarëve në vitin 2021 një dokument bashkëpunimi dhe tha se ai i qëndron atij angazhimi.