Vetëm pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi mbi kërkesat e shoqatave dhe individëve që kundërshtojnë ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës mbi lumin Drin i Zi në Dibër.
Në vendimin e zbardhur paraprakisht kushtetuesja ka rrëzuar disa kërkesa të shoqatave, ndërsa ka vendosur që është e detyrueshme përfshirja në fazën e informimit të banorëve që preken nga ndërtimi i kësaj vepre hidroenergjitike.
Sipas gjykatës Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave që miratuan ligjin për ndërtimin e HECit të Skavicës, nuk u konsultuan me publikun në fazën e hartimit të projektligjit.
Ndërkohë, drejtues të organizatave që kundërshtojnë Skavicën por edhe banorë që preken direkt, thonë se nuk do të ndalen në betejën e tyre për të mos lejuar ndërtimin e kësaj vepre që zhduk 32 fshatra, histori e tokë bujqësore të Dibrës.
Organizatat i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që të shfuqizojë ligjin e Kuvendit dhe vendimin qeveritar të vitit 2021, sepse sipas tyre, ato shkelin hapur të drejtat kushtetuese, social – ekonomike, mjedisore, të drejtën e informimit, liritë ekonomike dhe barazinë para ligjit. Në vendimin e pak ditëve më parë gjykata vlerësoi se ligji është ende në fazën e parë të zbatimit të tij, prandaj shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen me përfshirjen konkretisht të publikut në informacion dhe vendimmarrje.
Gjykata urdhëroi gjithashtu autoritetet publike për të riparuar këtë shkelje, duke garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit, si dhe për të marrë parasysh në vijim rezultatet e procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit. /btvnews.al