E diel, 1 Dhjetor, 2024

Goditet rrjeti që furnizonte BE-në me kokainë, edhe një shqiptar mes 31 të arrestuarve. Bllokohen 48 mln euro pasuri

Një rrjet i trafikut të drogës nga Ekuadori drejt vendeve të BE-së është goditur nga policia spanjolle në koordinim me Europol, ku mori pjesë edhe policia e shqiptare si dhe SPAK.

Në kuadër të këtij operacionin ndërkombëtar të koduar ‘La Pampa’, janë arrestuar 31 persona, në Spanjë dhe Ekuador, sekuestruar 25 makina, 10 armë zjarri, pajisje elektronike me vlerë rreth 13 milionë euro dhe afro 3 milionë cash në valuta të ndryshme dhe pasuri të sekuestruara me një vlerë totale prej rreth 48 milionë euro.

Pjesë e këtij grupi është dhe një shqiptar me vendqëndrim në Ekuador.

Europol thotë se janë sekuestruar 3 mln euro cash të cialt janë gjetur gjatë kontrolleve në 66 ambiente (22 në Spanjë e 40 në Ekuador).

Paratë e sekuestruara janë në valuta të ndryshme përfshi dhe eurot.

‘Më 6 shkurt, një hetim i udhëhequr nga Spanja që përfshinte Ekuadorin dhe i mbështetur nga Europol, rezultoi në një goditje të madhe në një rrjet të trafikut të drogës me rrezik të lartë që furnizonte kokainë në BE. Për të mbështetur aktivitetet në terren në ditën e aksionit, Europol dërgoi dy ekspertë në qendrat koordinuese të ngritura në Marbella, Spanjë dhe Quito, Ekuador. Europol financoi gjithashtu vendosjen e dy hetuesve spanjollë në Ekuador për të mundësuar koordinim të mëtejshëm midis autoriteteve kombëtare në terren në Ekuador dhe Spanjë.’- njofton Europol.

Sipas Europol, hetimi nisi për një biznesmen italian me orgjinë nga Argjentina me banim në Mabella. Nga hetimet ka rezultuar se trafiku i kokainës nga Kolumbia në Ekuador dhe më pas në BE drejtohej nga një shqiptar, i cili ishte lidhur me biznesmenin italian. Sipas Europol gjatë hetimit autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri, Belgjikë, Ekuador, Holandë dhe Turqi sekuestruan disa ngarkesa të konsiderueshme kokaine në total 3.2 ton.

‘Autoritetet ligjzbatuese nisën një hetim për një biznesmen italian me origjinë argjentinase me banim në Marbella. Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se këto kompani përdoreshin për fshehjen e aktiviteteve kriminale dhe transaksioneve financiare. Autoritetet identifikuan lidhjen kriminale të biznesmenit me një shtetas shqiptar me banim në Ekuador. Shtetasi shqiptar orkestroi importimin e kokainës nga Kolumbia në Ekuador dhe shpërndarjen e saj më pas në BE. Informacionet operative tregojnë se biznesmeni kishte një marrëveshje kontraktuale me furnitorët kolumbianë për të marrë 4 ton kokainë çdo muaj në Ekuador.

Organizata kriminale punësoi kompani ekuadoriane frutash si një front për të importuar kokainën në BE, duke përdorur metoda të ndryshme transporti. Shpesh, sasi më të vogla kokaine fshiheshin brenda dërgesave me banane, që varionin nga 15 deri në 40 kg. Pavarësisht sasive të ndryshme, kompania mohoi vazhdimisht çdo përfshirje në aktivitetet e trafikimit. Organizata organizoi transportin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga porti i Guayaquil drejt portit të Algeciras dhe porteve të tjera evropiane.

Gjatë hetimit, autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri, Belgjikë, Ekuador, Holandë dhe Turqi sekuestruan disa ngarkesa të konsiderueshme kokaine në total 3.2 ton. Drejtuesi i rrjetit kriminal luajti një rol kryesor në pastrimin e aseteve kriminale nëpërmjet investimit në biznese të ligjshme në Spanjë. Ai menaxhoi disa kompani, duke përfshirë një të fokusuar në prodhimin dhe importimin e bananeve nga Ekuadori në BE, si dhe qendra sportive në Marbella, qendra tregtare në Granada dhe bare dhe restorante të shumta. Shumë nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë kishin lidhje të forta me Ballkanin Perëndimor dhe menaxhonin rrjetin e shpërndarjes, i cili ishte i përhapur në të gjithë Evropën.

Operacioni kishte në shënjestër dy drejtuesit të këtij rrjeti kriminal. Të dy liderët kishin orkestruar trafikun e drogës dhe pastrimin e të ardhurave të konsiderueshme kriminale në ekonominë legale përmes blerjes së pronave, automjeteve luksoze dhe mallrave. Deri më tani, hetuesit kanë lidhur objektivat me transaksionet financiare që arrijnë në 48 milionë euro në të gjithë Ekuadorin dhe Spanjën.

Europol lehtësoi shkëmbimin e informacionit dhe ofroi mbështetje gjatë rrjedhës së këtij hetimi të përbashkët. Europol gjithashtu ofroi analiza operacionale, inteligjencë operacionale dhe aktivitete të koordinuara operacionale. ‘- njofton Europol.
Operacioni i përbashkët mes Spanjës dhe Ekuadorit
31 arrestime (13 në Spanjë dhe 18 në Ekuador);
Arrestohen 2 objektiva me vlerë të lartë;
66 kërkime vendndodhjeje (22 në Spanjë dhe 40 në Ekuador);
Janë konfiskuar: 25 automjete, 10 armë zjarri, pajisje elektronike të vlerësuara në rreth 13 milionë euro dhe gati 3 milionë euro cash në valuta të ndryshme, përfshirë euro;
Prona e konfiskuara kapin një vlerë totale prej rreth 48 milionë euro (12 milionë euro në Spanjë dhe 36 euro në Ekuador)

Artikuj te ngjashem

Me te fundit