Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike pranë grupimit të Sali Berishës dhe njëkohësisht deputeti i kësaj partie, Flamur Noka, tha se Charles McGonigal loboi për të shpallur non grata Sali Berishën dhe se në dosjen e tij, kryeministri Edi Rama rezulton edhe korruptues edhe i korruptuar.
Kjo ditë do të mbahet mend gjatë. Jemi të bindur se ky moment do të hyjë në histori me këtë vërshim madhështor, i cili ka si qëllim të ndërpresë, projektin më të errët, skenarin më të zi që i është kanosur vendit në këto 33 vite, planin ogurzi të Edi Ramës kundër pluralizmit.
Një person që qeveris prej 11 vitesh, që ka kapur të gjitha pushtetet, që blen votat, që ndanë pasuritë e vendit, që është në krye të çdo afere, që u jep miliona euro familjarëve, që udhëton si sheik me avion nga taksat tuaja, që bën një kopsht këtu 4 milionë euro. I bën thjesht jo për ju por për tekat personale. Sot me këtë vërshim madhështor, ky person është i vetmi që është i trishtuar sepse nuk ia doli dot të shkatërronte opozitën, ëndrrës për mbretërim.
Ne jemi sot për t’i thënë atij se atë përfundim do të kesh, pa lavdi. Si ndëshkim që do të të japë populli që e tradhtove dhe e shkele me këmbë. Jemi këtu për t’i thënë se ky shesh do të paracaktojë fundit tënd. Këta njerëz janë dëshmitar që ti jo vetëm do humbësh privilegjet dhe zyrën, por që për ty do të nisë një periudhë e keqe, e papërballueshme. Do të japësh llogari për çdo cent që u ke vjedhur shqiptarëve. Sot jemi për t’i thënë se pushteti është i njerëzve, ndaj asnjë institucion që ti mundohesh të kontrollosh, nuk do dalë dot mbi pushtetin e njerëzve. Jemi sot më të bashkuar se kurrë, siç e keni kërkuar ju prej kohësh. Ne nuk ndalemi deri sa t’i sigurojmë vendit votën e lirë”, tha Noka ndër të tjera. /btvnews.al