Revolta popullore kishte nisur që me protestat e studentëve me fund të dhjetorit për t’u shpërndarë më pas në çdo qytet të Shqipërisë. Rrëzimi i busteve të diktatorëve komunistë kishte nisur në Shkodër me rrëzimin e bustit të Stalinit dhe po shpërndahej me shpejtësi në gjithë vendin.
Një natë para shembjes së bustit në qendër të Tiranës një grup i madh studentësh vendosën të hyjnë në grevë urie, duke përcaktuar një sërë kushtesh drejtuar qeverisë së PPSH ndër të cilat edhe heqjen e emrit Enver Hoxha universitetit të Tiranës.
Pas këtyre protestave, më 20 shkurt të vitit 1991, qytetarët e Tiranës u bashkuan në një tubim madhështor, i cili u finalizua me rrëzimin e monumentit të diktatorit Enver Hoxha. Kjo datë shënoi fundin e regjimit komunist në Shqipëri. Një nga kavot që u përdor për të tërhequr monumentin, gjendet i ekspozuar në Pavijonin e Terrorit Komunist, pranë Muzeut Historik Kombëtar. /btvnews.al