Mbi ngjarjen ka reaguar koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 35 organizata joqeveritare, ka reaguar me shqetësim lidhur me rastin e ndodhur të martën në QKUK, i cili përfundoi me vdekjen e një vajze 4-vjeçare nga Gjakova.
Në reagimin e KOMF-it thuhet se kjo ngjarje e paprecedent ngre pikëpyetje serioze për përmbushjen e përgjegjësive njerëzore, mjekësore dhe etike të profesionistëve të kujdesit shëndetësor.
“Sipas raportimeve dhe dyshimeve të ngritura nga prindërit e vajzës të cilat janë transmetuar në media, e ndjera dyshohet se ka pësuar një sulm nga dy fëmijë të tjerë, duke u goditur me forcë në pjesën e shpinës dhe gjoksit, gjë që ka çuar edhe në rrëzimin e saj në rrugë.
Me gjithë gjendjen e rënduar të fëmijës, prindërit janë shprehur se përgjigja mjekësore ndaj gjendjes së saj ka qenë e pamjaftueshme. Ata pretendojnë se gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar disa herë ndihmë mjekësore për vajzën e tyre, por kanë marrë vetëm disa këshilla sipërfaqësore nga ekipi mjekësor, duke nënvlerësuar tragjikisht ashpërsinë e gjendjes së saj”, thuhet në komunikatën për media.