Policia greke ka arritur të kapë në Dhiavata të Selanikut, të kërkuarin nga Interpol Tirana, A. Xh., 32 vjeç nga Ksamili.
Sipas policisë greke, A.Xh., kërkohej në Shqipëri për veprën penale të “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për ngjarje të ndodhura në periudhën 1 prill 2019 – 23 prill 2020.
Në 1 prill 2019, ai u shpall në kërkim nga policia e Sarandës pas sekuestrimit të një çante me 22 kg marijuanë në kufirin shqiptaro-grek, në vendin e quajtur “Likojani” në Konispol. Gjatë atij operacioni u arrestuan dy transportues nga Berzhita e Tiranës dhe Polisi i Librazhdit, ndërsa u shpall në kërkim A.Xh., dhe shtetasi D. A.
32 vjeçari rezulton të jetë arrestuar edhe në vitin 2018 nga policia e Sarandës ne kuadër të operacionit “Transferimi” ku ranë në pranga katër persona pas gjetjes së 7 dozave kokainë dhe dyshimeve se ky grup kishte lidhje me një sasi prej 18 kg marijuanë të gjetur në Ksamil, por ishte liruar më pas nga Gjykata e Sarandës.
A.Xh., ka qenë më parë i dënuar nga Gjykata e Sarandës në vitet 2013 dhe 2014 me 13 muaj burg për “kundërshtim i punonjësit të policisë”, “plagosje e lehtë me dashje”, “shkatërrim prone”, “drejtim mjeti pa patentë”, ndërkohë që gjatë arrestimit në 2015 si i kërkuar për këtë dënim, i’u gjet edhe një dorezë metalike.
Edhe në vitin 2012 ai rezulton i arrestuar, pasi ishte në kërkim, sërish për një plagosje të kryer në Ksamil. Policia greke ka nisur procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri. /btvnews.al