Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nënshkruar marrëveshje memorandum mirëkuptimi me Agjencinë Kombëtare kundër Krimit të Mbretërisë së Bashkuar.
SPAK njofton se memorandumi i nënshkruar nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani dhe drejtori i NCA, Graeme Biggar është gjithashtu një moment historik për të dy institucionet.
Ky memorandum, sipas SPAK, ka për qëllim kryesor të institucionalizojë partneritetin në përpjekjen e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë publik.
“Akti i sotëm është gjithashtu një moment historik për të dy institucionet, pasi është marrëveshja e parë që NCA nënshkruan më një strukturë hetimore në Shqipëri, siç është SPAK”, njofton organi hetues.
Njoftimi i SPAK:
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, ka nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare kundër Krimit (NCA), Z. Graeme Biggar, të Mbretërisë së Bashkuar. Ky memorandum, shënon një tjetër hap të rëndësishëm të SPAK, drejt forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar brenda dhe jashtë vendit.
Akti i sotëm është gjithashtu një moment historik për të dy institucionet, pasi është marrëveshja e parë që NCA nënshkruan më një strukturë hetimore në Shqipëri, siç është SPAK.
Qëllimi kryesor i këtij memorandumi është të institucionalizojë partneritetin e suksesshëm tashmë të vendosur midis SPAK dhe NCA, në përpjekjen e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë publik. Ky bashkëpunim thellohet dhe bëhet më i qëndrueshëm përmes këtij memorandumi, i cili do të ndihmojë në përshpejtimin e shkëmbimit të informacionit dhe përvojave më të mira në fushën e drejtësisë penale.
Ky memorandum parashikon një angazhim të vazhdueshëm të dy palëve për të forcuar bashkëpunimin midis tyre por dhe për të lehtësuar marrëdhëniet me agjencitë e tjera ligjzbatuese në rritjen e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Përfaqësuesit e të dy institucioneve shprehën besimin e tyre të thellë, se bashkëpunimi i ngushtë midis tyre do të sjellë rezultate konkrete në goditjen e disa prej veprimtarive më të rëndësishme të grupeve kriminale shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shqipëri, kryesisht në trafikun e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e armëve të zjarrit dhe pastrimin e parave.
Forcimi i marrëdhënieve të SPAK me NCA në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe stabilitetin e shtetit ligjor në Shqipëri, Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë Bashkimi Evropian.
Në mbyllje, të dy palët, shprehën gatishmërinë e hedhjes së menjëhershme të hapave konkret në hetimin e çështjeve dhe zhvillimin e bashkëpunimit, duke përfshirë këtu edhe në aspekte të tjera që lidhen me strategjitë më të avancuara të hetimit financiar. /btvnews.al