Një i afërm i viktimave të ngjarjes së rëndë në Lushnje, babë e bir, u shpreh se Roland Verçani dhe i biri sot kishin filluar punë në kapanonin që shpërtheu. Ai theksoi se i riu sapo ishte kthyer nga Italia, pasi ishte në emigrim.
Mes tjerash ai shtoi se Roland ishte baba i tre fëmijëve, ndërkohë që dhe më parë bënte të njëjtën punë, pra me vinç.
“Janë kushërinjtë tonë, Landin e kemi fis. Ishte dita e parë e punës bashkë me djalin.
Punonte me kamion, me vinç. Landi ka dy çuna dhe një gocë. Landi ishte 55 vjeç.
Çuni ka qenë në Itali, djali kishte rreth një muaj që kishte ardhur nga emigrimi. Punonin, mirë e kishin gjendjen ekonomike”-tha ai për Eronews.
Ata të dy ishin te vinçi që ra në kontakt me tensionin e lartë 20 mijë volt dhe për këtë shkak ka ndodhur edhe shpërthimi i fuqishëm, nga ku humbën jetën.
Viktima ka qenë pranë të atit, në momentin e shpërthimit. I riu ka ndërruar jetë në ambulancë ndërsa transportohej në drejtim të Spitalit të Traumës.
“Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.
Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi L. V., dhe janë plagosur 8 shtetas mes tyre dhe deputeti B. Ç., të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore.
Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit”, sqaroi policia.