Familjes Ceka nga fshatin Zenisht i Bashkisë Mat e përbërë prej 4 vetash jeton në kushte ekstreme varfërie. Dy fëmijët e mitur të familjes 7 dhe 5 vjeç çdo natë flenë në tokë midis lagështirës, suvave të rëna të mureve dhe tavanit prej kallamishteje .
Kushtet e shtëpisë janë të pabanueshme, por familja Ceka gjithsesi jeton në të edhe pse në ditët me shi çfarë bie jashtë hyn brenda.
32 vjeçari tregon mes lotësh vuajtjet dhe varfërinë e skajshme në të cilën ai dhe familja e tij jetojnë. Vetë është invalid pasi në moshë të vogël ka kaluar temperaturë dhe kjo gjë ë ka shkaktuar prapambetje mendore, ku dhe merr një kemp prej 10305 lekësh. Z. Ceka nuk është i aftë për punë si pasojë e problemit shëndetësorë që ai ka, ndërsa bashkëshortja e tij duhet të kujdeset për dy fëmijët e saj, për vajzën 5 vjeç dhe djalin 7 vjeç. Dimri është edhe më i vështire për t’u kaluar në kushtet që është familja, por ngrohen sado pak me sobën e drurit. Për sigurimin e druve i ndihmojnë komshinjtë ose siç shprehet kryefamiljari pret pemët frutore për të ngrohur të miturit.
Ai i është drejtuar Fiksit për ndihmë dhe ajo që kërkon është të sigurojë një strehë të ngrohtë e sigurtë për fëmijët e tij. Të ardhurat që merr nga kempi janë shumë të pakta për të siguruar gjithë nevojat e familjes dhe ai shpjegon se ndonjëherë është ndihmuar nga bashkia me ndihma.
Jetesa për familjen nuk ka qenë e lehtë. Fillimisht ata kanë jetuar tek shtëpia e motrës së Z. Ceka dhe më pas tek vëllai, por që mundësia nuk ishte më. Kështu familja u shpërngul në shtëpinë përdhese të prindërve të Gentianit e cila është gati e pabanueshme.
Fiks Fare iu drejtua drejtorisë së Shërbimit Social pranë Bashkisë së Matit për të mësuar nëse kishte hapësira për ndihmë ndaj familjes Ceka.
Në përgjigjen e tij ky institucion sqaron se rasti i familjes së Z. Gentian Ceka njihet nga punonjësit e Njësisë Administrative Lis dhe e heq përgjegjësinë nga vetja, duke shpjeguar se kjo familje ka marrë të gjitha ndihmat nga bashkia, aq sa i lejon ligji.
Sipas tyre kryefamiljari merr një pagesë prej 10305 lekësh si pagesë për aftësinë e kufizuar dhe një kompensim prej 1288 lekësh për rimbursimin e energjisë elektrike. Gjithashtu bashkëshortja dhe dy fëmijët janë trajtuar me ndihmë ekonomike nga fondi 6% i bashkisë nga muaji mars deri në shtator në shumën 3703 lekë. Kjo ndihme ekonomike u është ndërprerë sepse znj. Dafina nuk është paraqitur për të riaplikuar
Bashkia pranon se kjo familje është vizituar në banesë nga zyra e Ndihmës Ekonomike në Njësinë Administrative Lis ,madje u janë bërë edhe vlerësime për gjendjen social- ekonomike në të cilën jetojnë.
Për sa i përket gjetjes së një zgjidhjeje për strehimin e tyre, edhe pse e kanë verifikuar gjendjen në të cilën jeton kjo familje, si dhe sëmundjes së kryefamiljari, Shërbimi Social i Bashkisë së Matit, thotë se vetë kryefamiljari apo personat e tjerë madhore nuk janë paraqitur për të aplikuar për banesë sociale