E enjte, 21 Nëntor, 2024

Moti i keq, pezullohet lundrimi i peshkarexhave në Vlorë

Kapiteneria e Portit të Vlorës urdhëroi pezullimin e lundrimit detar të mjeteve të vogla të peshkimit, për shkak të situatës së përkeqësuar hidrometeorologjike gjatë kësaj të hëne.

Sipas Kapitenerisë, moti do të jetë i përkeqësuar përgjatë bregdetit të Vlorës. Era do të fryjë me drejtim Jug-juglindje dhe jug- jugperëndim me shpejtësi deri në 10 -15 m/s, teksa dallgët e detit janë në  forcën 6-7 ballë. Ndërkohë lartësia e dallgëve shkon në 2.50 brenda gjirit të Vlorës dhe 3.50  jashtë gjirit të Vlorës.

Drejtuesve të mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë përgjatë bregdetit iu kërkohet të bëjnë kujdes për shkak të kushteve të motit, si dhe  të marrin masa për sigurimin e tyre me qëllim parandalimin e situatave dhe incidenteve detare. Ndërkohë anijet e transportit ndërkombëtar detar, tragetet e linjës me Italinë do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të së martës, njofton Kapiteneria e Portit të Vlorës. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit