Sokol Cikalleshi u rikthye te goli në kampionatin turk, pasi shënoi në sfidën Pendikspor-Konyaspor, që u fitua nga skuadra e tij me rezultatin 0-2. Sulmuesi i Kombëtares zhbllokoi rezultatin në minutën e 12-të falë një penalltie që e shndërroi në gol. Ky realizim ishte historik për Cikalleshin pasi u bë lojtari i huaj me më shumë gola (27) në historinë e Konyaspor.

Edhe Armando Sadiku gjeti rrugën e rrjetës në kampionat, teksa realizoi golin e tretë për skuadrën e tij Mohun Bagan në fitoren 3-0 ndaj Jamshedpur. Sulmuesi kuqezi u aktivizua në minutën e 70-të dhe vulosi fitoren e Mohun Bagan me golin e tij.

Një paraqitje fantastike këtë fundjavë zhvilloi edhe Arlind Ajeti. Qendërmbrojtësi i Kombëtares shënoi një gol shumë të bukur në barazimin e skuadrës së tij Cluj 1-1 ndaj Farul Constanta. Ajeti e nisi si titullar dhe përveç golit, bëri një paraqitje shumë të mirë duke u shpallur edhe lojtari i ndeshjes me notën 8.3, nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Goli këtë fundjavë erdhi edhe nga sulmuesi i shpresave, Cristian Shpendi i cili realizoi në sfidën Cesena-Entella. Golashënuesi më i mirë i kampionatit në Serinë C italiane, realizoi golin e dytë në fitoren e skuadrës së tij 4-0. Sulmuesi kuqezi tani numëron 17-të gola në kampionat. /btvnews.al