E diel, 24 Nëntor, 2024

Shpërthimi me dy viktima në kapanonin e deputetit Bujar Çela, ja çfarë dëshmoi sipërmarrësi Leonard Gjini në Polici

Sipërmarrësi Leonard Gjini, i cili ka qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit në pronësi të deputetit të PS-së, Bujar Çela, ku humbën jetën dy persona, është arrestuar nga policia.

32-vjeçari akuzohet se ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar rregulloret përkatëse të sigurimit teknik, të disiplinës teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marrë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda.

Por çfarë ka dëshmuar sipërmarrësi pas shpërthimit që i mori jetën baba e bir?

Leonard Gjini ka deklaruar se nuk kishte dërguar asnjë punonjës në kapanonin e deputetit Çela dhe se nuk e kishte idenë çfarë punimesh po kryheshin.

Sipërmarrësi ka deklaruar se nuk ka pasur lidhje me punonjësit që ndodheshin aty dhe po priste momentin kur objekti të ishte gati për fillimin e punimeve.

Ai ka dëshmuar se lidhi kontratën me deputetin socialist, i cili gjithashtu mbeti i plagosur nga shpërthimi, në datën 27 nëntor dhe është konfirmuar për fillimin e punimeve më 10 shkurt.

“Është pyetur shtetasi  shtetasi Leonard Gjini shpjegon se ka një biznes aktivitet ndërtimi dhe zbatim projektesh me konstruksion beton dhe hekur ne daten 27.11.2023 ka lidhur një kontratë sipërmarje me shtetasin Bujar Cela ndërtim magazine e cila ishte e pajisur me leje ndërtimi Nr200 dt 19.09.2023 Objekti kishte një vlerë prej 17963280 lek e cila më datë 10.02.2024 është konfirmuar për fillimin e punimeve. Ai sqaron se për ngjarjen e ndodhur aty nuk lidhje me punonjësit dhe nuk ka idenë se çfarë punimesh ishin duke u kryer në objektin në fjalë, nuk ka dërguar asnjë punonjës apo të ketë bërë asnjë nënkontraktë për të kryer punimë në këtë objekt.

Pas daljes të lejes për fillimin e punimeve ai ka pritur momentin që do të ishte gati lirimi i objektit për fillimin e punimeve”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Njoftimi i policisë:

Lushnjë

Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për dokumentimin e rrethanave të shpërthimit të ndodhur në një kapanon në ndërtim, më datë 01.03.2024.

Në vijim të këtyre veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit:

L. Gj., 32 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar regulloret përkatese të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda.

Si pasojë e shpëthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit