Në të gjitha trevat shqiptare, sot festohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, një ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore, ku të gjithë kujtojnë mësuesit e parë të shkronjave shqipe.
Dita e Mësuesit përcillet me aktivitete festive në çdo shkollë të vendit, ndërsa nxënësit dhe prindërit gjejnë rastin të shprehin mirënjohjen për punën e palodhur të mësimdhënësve.
Fëmijët sidomos ata më të vegjlit dhurojnë tufa lulesh për mësuesit e tyre ndërsa nuk mungojnë ëmbëlsirat dhe aktivitetet me këngë dhe recitime.
Dita e Mësuesit i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve dhe në këtë ditë, të gjithë së bashku nderojmë traditat më të mira të shkollës kombëtare shqipe, si dhe të figurës së mësuesit.
Mësuesit shqiptarë në çdo kohe e në çdo krahinë kanë qenë jo thjesht profesionistë të arsimit, por në radhë të parë ishin patriotë dhe njerëz të emancipuar, humanë dhe artistë të fushave të ndryshme.
Në mars të vitit 1887 në Korçë u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore dhe historike, 7 Marsi festohet në Shqipëri si Dita e Mësuesit. /btvnews.al