E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Muaji i shenjtë i Ramazanit, Myftiu i Kosovës uron besimtarët: Agjërimi ju pranoftë! Lutemi për ndaljen e konflikteve në botë

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë në prag të nisjes së Muajit të Ramazanit, duke uruar që agjërimi i tyre të pranohet dhe duke u lutur për ndaljen e konflikteve në mbarë botën.

Muaji i Ramazanit nis më 11 mars, por data e nisjes ndryshon në shtete të ndryshme, varësisht nga vëzhgimet pamore të Hënës së re.

Tërnava tha se ky është muaj i mirësisë e faljes, ku shtohet dashuria për fenë dhe Zotin. Ai tha se agjërimi njëmujor është një adhurim specifik që bëhet vetëm për Zotin.

“Në këtë natë të madhe, në këtë atmosferë hyjnore ftoj besimtarët tanë kudo që janë që këtij muaji të bekuar t’i përkushtohen me bindje, adhurim, sinqeritet dhe solidaritet, duke ruajtur dhe kultivuar lidhjet familjare dhe duke e shtrirë dorën e ndihmës ndaj të varfërve, duke thirrur në forcim të unitetit dhe vëllazërisë dhe duke refuzuar të gjitha format e ndasisë dhe përçarjes mes vete”, tha Tërnava.

Në mesazhin për Ramazan, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës bëri thirrje për ndaljen e konflikteve në botë, duke mos përmendur ndonjë konflikt specifik.

Por, aktualisht, pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë. Ndërkaq, në Rripin e Gazës po vazhdon konflikti i nisur gjashtë muaj më parë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që ka vrarë mijëra persona.

“Lutemi që i plotfuqishmi të pranojë agjërimin dhe lutjet tona, t’i japë kombit tonë, shtetit dhe fesë sonë siguri dhe stabilitet. Lutemi që konfliktet, luftërat dhe gjakderdhjet ndërmjet njerëzve pa dallim race, ngjyre, feje apo kombi të marrin fund”, tha Tërnava.

Gjatë Muajit të Ramazanit besimtarët myslimanë agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit si shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Agjërimi është një nga pesë shtyllat e fesë islame.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit