E hënë, 2 Dhjetor, 2024

Vrasja e 19-vjeçarit pas sherrit në Tik Tok, policia arreston edhe të dyshuarin e dytë! Detaje nga krimi

Një ditë pas ngjarjes së rëndë në qytetin e Fierit, ku mbeti i vrarë me thikë 19-vjeçari, G. B., policia ka arrestuar edhe autorin e dytë të dyshuar të krimit.

Në pranga kanë rënë F. M., 18 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar me thikë 19-vjeçarin si dhe një person tjetër 17 vjeç me iniciale K.M.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, dhe kanë plagosur shtetasin O. S., 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një mjet prerës (thikë) dhe një përforcues grushti, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes”, thotë policia.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur rreth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, Fier, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, në drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. M., 18 vjeç, banues në Fier dhe K. M., 17 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, dhe kanë plagosur shtetasin O. S., 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një mjet prerës (thikë) dhe një përforcues grushti, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes.

Si ndodhi ngjarja?

Një konflikt i nisur në rrjetet sociale mes dy adoleshentëve degradoi në përdorimin e thikës. G. B., 19 vjeç humbi jetën në spital për shkak të plagëve të shumta. Ai dyshohet se u godit me thikë në qendër të Fierit nga 18-vjeçari F. M., i cili u arrestua nga policia.

19-vjeçari, G. B., ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë. Ndërsa pasditeve, punonte kamerier në një bar-pastiçeri në bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi. Gjatë ditës së djeshme ai ka qenë në shkollë dhe ka bërë vetëm dy orë, duke lënë orët e tjera të mësimit.

Vetëm një orë më pas u shënua krimi tronditës që kthen edhe njëherë në vëmendje dhunën mes adoleshentëve. Autori i dyshuar F. M., ka qëlluar me thikë 19-vjeçarin G. B., dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit ka ndërhyrë shoku i tij i cili e shoqëronte.

Burimet nga spitali bëjnë me dije se 20- vjeçari ka hyrë në sallën e kirurgjisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se sherri ka nisur për shkak të ngacmimeve në rrjetet sociale, ndërkohë mësohet se 19-vjeçari që ka ndërruar jetë, pasdite punonte kamerier në një prej lokaleve në afërsi të qendrës së qytetit dhe njihej si djalë i mirë dhe i sjellshëm.

Sipas dëshmitarëve, konflikti mund të ketë nisur poshtë urës Gjanica në bulevardin “Jakov Xoxa” dhe në përpjekje për të shpëtuar 19-vjeçari ka ecur disa metra i plagosur derisa ka përfunduar i shtrirë në mes të rrugës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit