E hënë, 2 Dhjetor, 2024

Dyshohet se vranë 19-vjeçarin, Prokuroria e Fierit kërkon ‘arrest me burg’ për dy kushërinjtë!

Prokuroria e Fierit ka kërkuar arrest me burg për dy kushërinjtë, F. M., dhe K. M., (djem xhaxhallarësh), të cilët dyshohet se vranë me thikë 19-vjeçari Grei Bihuci, pas një sherri në Tik Tok.

Po ashtu Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka ngritur edhe dy akuzat që rëndojnë mbi dy kushërinjtë, “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi mbajtja blerja apo shitja pa leje e armëve te ftohta”.

F.M., dhe K. M., goditën me thikë 19-vjeçarin, i cili humbi jetën rrugës për në spital, pasi nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve të marra dhe plagosën shokun e viktimës, 20-vjeçarin O. S., që hyri për të shuar konfliktin.

18-vjeçari F. M., u arrestua në vendngjarje ditën e djeshme (11 mars) pas krimit të rëndë, ndërsa kushëriri i tij, K. M., 17-vjeç u arrestua një ditë më vonë, më 12 mars.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në bashkëpunim me policinë gjyqësore, bënë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 11.03.2024, në qendër të qytetit të Fierit, përballë Bar restorant “Piazza”, ku rreth orës 11.30, shtetasit F.M dhe K.M në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me një mjet të mprehtë (thikë) shtetasin G.B, ku si pasojë e plagëve humbi jetën.

Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi në datën 11.03.2024 çështjen penale nr. 382, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi mbajtja blerja apo shitja pa leje e armëve te ftohta”, parashikuar nga nenet 78/1- 25 dhe 279/2 të K.Penal, në ngarkim të shtetasve F.M dhe K.M.

Po ashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale, ndaj shtetasve F.M dhe K.M.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për një hetim të plotë dhe gjithanshëm të kësaj ngjarjeje, me qëllim hetimin e thelluar të motivit, shkaqeve apo përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje të rëndë.

Si ndodhi ngjarja

Një konflikt i nisur në rrjetet sociale mes dy adoleshentëve degradoi në përdorimin e thikës. Grei Bihuci, 19 vjeç humbi jetën në spital për shkak të plagëve të shumta. Ai u godit me thikë në qendër të Fierit nga 18-vjeçari F. M., i cili u arrestua nga policia.

19-vjeçari, Grei Bihuci ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë. Ndërsa pasditeve, punonte kamerier në një bar-pastiçeri në bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi. Gjatë ditës së djeshme ai ka qenë në shkollë dhe ka bërë vetëm dy orë, duke lënë orët e tjera të mësimit.

Vetëm një orë më pas u shënua krimi tronditës që kthen edhe njëherë në vëmendje dhunën mes adoleshentëve.

Autori i dyshuar F. M., ka qëlluar me thikë 19-vjeçarin Grei Bihuci dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit ka ndërhyrë shoku i tij i cili e shoqëronte.

Burimet nga spitali bëjnë me dije se 20- vjeçari ka hyrë në sallën e kirurgjisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se sherri ka nisur për shkak të ngacmimeve në rrjetet sociale, ndërkohë mësohet se 19-vjeçari që ka ndërruar jetë, pasdite punonte kamerier në një prej lokaleve në afërsi të qendrës së qytetit dhe njihej si djalë i mirë dhe i sjellshëm.

Sipas dëshmitarëve, konflikti mund të ketë nisur poshtë urës Gjanica në bulevardin “Jakov Xoxa” dhe në përpjekje për të shpëtuar 19-vjeçari ka ecur disa metra i plagosur derisa ka përfunduar i shtrirë në mes të rrugës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit