E enjte, 21 Nëntor, 2024

Ktheu në Apel çështjen e vulës dhe logos së PD-së, Gjykata e Lartë zbardh vendimin e plotë. Legjitimon PD zyrtare si palë në proces

Gjykata e Lartë ka zbardhur të plotë vendimin për të rikthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit çështjen për vulën dhe logon e PD.

VENDIMI I PLOTË

Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Artur Kalaja mbi rekursin e paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, kundër vendimit nr. 44, datë 03.03.2013 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, sipas përcaktimeve të nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile,

LEXO EDHE:
Orjola Pampuri: PD firmos marrëveshje koalicioni me parti të djathta brenda javës! Rithemelimi pazare me PS, përfitoi një zero të madhe
VËREN

I. Rrethanat e çështjes.

1. Nga aktet e administruara në dosje, ka rezultuar se në Partia Demokratike e Shqipërisë është krijuar sipas Urdhrit nr. 12, datë 19.12.1990 të Ministrit të Drejtësisë.

2. Në datën 11.12.2021, është zhvilluar Kuvendi i Partisë Demokratike, i cili, është thirrur sipas parashikimeve statutore nga ¼ e anëtarëve/delegatëve të Kuvendit dhe në rastin konkret nga 4,200 (të pranishëm në Kuvend 4,935) delegatë me firmë. Nga zhvillimi i këtij Kuvendi, është krijuar Komisioni i Rithemelimit, si dhe janë marrë një sërë vendimesh që kanë të bëjnë me ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

3. Bazuar në përcaktimet e ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për Partitë Politike”, i ndryshuar, Komisioni i Rithemelimit i është drejtuar në datën 16.12.2021, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me kërkesën objekt shqyrtimi, duke kërkuar që të regjistrojë ndryshimet statusore që i janë bërë statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë nga Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të kësaj partie.

4. Po kështu, nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, ka rezultuar i provuar fakti se, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga z. Lulzim Basha, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesë për depozitimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.07.2021.

5. Gjatë shqyrtimit të mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi, pra kërkesës së paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, gjykata ka kërkuar nga sekretaria gjyqësore ti vihet në dispozicion praktika e dosjes së regjistrimit fillestar të Partisë Demokratike, konkretisht dosjen e regjistruar me Urdhrin nr. 12, datë 19.12.1990 të Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërkohë, kjo dosje ka rezultuar se është tërhequr në datën 20.12.2021 nga një tjetër gjyqtar i kësaj gjykate, gjyqtari që kishte për shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike të Shqipërisë, përfaqësuar nga z. Lulzim Basha, për depozitimin e ndryshimeve statusore të datës 17.07.2021.

6. Nga ana tjetër, lidhur me çështjen objekt shqyrtimi, rezulton se Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Lulzim Basha ka paraqitur para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kërkesën me nr. 168 prot., datë 21.12.2021, me objekt “Përjashtimin nga gjykimi i kësaj çështje të gjyqtarit Agron Zhukri”.

7. Gjithashtu, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Lulzim Basha ka paraqitur kërkesën me nr. 168/1 prot., datë 21.12.2021, duke i bërë prezent Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe konkretisht gjyqtarit Agron Zhukri, ndër të tjera se: “…për sa referuam më sipër një grup personash që i janë drejtuar gjykatës nuk kanë asnjë tagër përfaqësimi si persona të autorizuar për të përfaqësuar PDSH-në dhe për të bërë kërkesa të tilla. Rrjedhimisht kjo kërkesë nuk duhet të merret në shqyrtim nga ana e kësaj gjykate, pasi kërkuesi nuk ka legjitimitet aktiv. Gjithashtu, kjo kërkesë është nga ato kërkesa që gjykohen pa prezencën e palëve dhe ndjekin të njëjtën procedurë me atë të gjykimit të posaçëm të vërtetimit të faktit, pasi gjykata vihet në lëvizje vetëm me kërkesë. Në këto kushte, gjykata duhet ti referohet nenit 392 të KPC… Për sa më sipër si dhe në zbatim të nenit 7 të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, ndalohet regjistrimi i një partie në rastet kur me të njëjtin emërtim është regjistruar një parti tjetër. Duke qenë se dispozitat ligjore të referuara më lartë, ju ndalojnë të merrni në shqyrtim këtë kërkesë, kërkojmë nga ana juaj që të vendosni pushimin e saj si një kërkesë e pabazuar në ligj. Nëse ky grupim personash, pretendojnë cenimin e të drejtave ligjore dhe procedurale, ata do të duhet ti drejtohen gjykatës me padi themeli, me anë të së cilës të kërkojnë rivendosjen e të drejtave të pretenduara në një proces të rregullt ligjor. …është konfirmuar se Kuvendi Kombëtar i Partisë demokratike zhvillohet në datën 18 Dhjetor dhe se çdo grumbullim tjetër nuk ka asnjë lidhje me mbledhjen e organeve të Partisë Demokratike…”.

8. Në datë 28.12.2021, gjykata është njoftuar për depozitimin e Kërkesës nr. 168/2 Prot., datë 24.12.2021 të PDSH-së, përfaqësuar nga z. Lulzim Basha, me objekt përjashtimin e gjyqtarit A.Zh nga shqyrtimi i çështjes.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 04.02.2022, nuk ka pranuar këtë kërkesë duke arsyetuar se” “…Kërkuesi Partia Demokratike e Shqipërisë e përfaqësuar nga Kryetari i PDSH-së z. Lulzim Basha nuk është palë në procesin civil nr. 1346/2021 ku si palë kërkuese në këtë proces është Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD, për pasojë nuk legjitimohet në ngritjen e kësaj kërkese për përjashtimin e gjyqtarit Agron Zhukri, nga shqyrtimi i çështjes nr.1346/2021. Kundër vendimit lejohet të bëhet ankim sipas ligjit”.

9. Pas vendimit për mospërjashtimin e gjyqtarit, gjykata, në vazhdim të veprimeve për shqyrtimin e kërkesës, ka verifikuar në sistemin elektronik të Gjykatës së Tiranës ecurinë e shqyrtimit të kërkesës të PDSH-së nga gjyqtari tjetër i kësaj gjykate (konkretisht gjyqtare B. Muça), e cila kishte caktuar datën 15.02.2022 për zhvillimin e seancës gjyqësore, seancë e cila ka rezultuar të jetë shtyrë për në datë 18.03.2022.

Në këto kushte e me qëllim respektimin e afatit 30 ditor, Gjykata, në Dhomë Këshillimi, kryesisht, ka vendosur “pezullimin e gjykimit të çështjes deri në përfundimin e çështjes nga gjyqtari tjetër dhe tërheqjen e dosjes së regjistrimit fillestar të Partisë Demokratike”.

10. Rezulton se me vendimin nr. 2, datë 18.03.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka përfunduar gjykimi i çështjes shkak pezullimi duke u vendosur : “Pranimi i kërkesës së palës kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë. Depozitimin e statutit të vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë i datës 17.07.2021. Kundër këtij vendimi bëhet ankim sipas ligjit”.

Rezulton gjithashtu se në datën 24.04.2022, Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga Av.Indrit Sefa, ka ushtruar të drejtën e ankimit ndaj vendimit nr.2, datë 18.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke pretenduar: “a) prishjen e këtij vendimi dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues; ose b) ndryshimin e vendimit. Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.07.2021. Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë demokratike të Shqipërisë të kryera në Kuvendin Kombëtar të datës 18.12.2021”.

11. Ndërkohë, në çështjen objekt shqyrtimi, Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka paraqitur kërkesën e datës 23.03.2022, referuar të nenit 298/2 të KPC, me qëllim vazhdimin e gjykimit.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi ka marrë në shqyrtim kërkesën dhe referuar ne faktin e përfundimit të gjykimit dhe shpalljes së vendimit me nr. 2, datë 18.03.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur të “revokojë vendimin e pezullimit” dhe të caktojë seancën gjyqësore brenda një afati sa më të shkurtër me qëllim zbatimin (përsa ishte e mundur) të neneve 13 dhe 14 të Ligjit 8580, datë 17.02.2000 “Për Partitë Politike”, i ndryshuar dhe konkretisht në datë 25.03.2022.

12. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 3, datë 25.03.2022, ka vendosur:

-Pranimin e kërkesën së palës kërkuese, Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit :

-Depozitimin e vendimeve të Kuvendit të PDSH duke rregjistruar ndryshimet përkatës në regjistrin e partive politike:

-Vendimin nr. 1, datë 11.12.2021, me anekset bashkëlidhur Statutin e Partisë Demokratike, të Kuvendit Kombëtar të Partisë;

-Vendimin nr. 2, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;

-Vendimin nr. 3, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;

-Vendimin nr. 4, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;

-Vendimin nr. 5, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;

-Vendimin nr. 6, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike;

-Vendimin nr. 7, datë 11.12.2021, të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Kjo gjykatë në mënyrë të përmbledhur ka arsyetuar ndër të tjera se: “…kërkesa është paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit i Partisë Demokratike, (nëpërmjet përfaqësuesit të saj të autorizuar) organ i cili cilësohet si organi i përkohshëm drejtues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, zgjedhur dhe miratuar nga vendimmarrjet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë të datës 11.12.2021. …Gjykata pasi kreu verifikimin e aspektit formal të akteve të përfaqësimit duke i gjetur ato të rregullta dhe në përputhje me ligjin procedural, ka vijuar shqyrtimin e çështjes. …në përputhje me dispozitat e ligjit “Për Partitë Politike”, neni 9, 10 e vijues, si dhe bazuar në praktikën gjyqësore të regjistrimeve të ndryshimeve në partitë politike.

Gjykata nuk ka rol aktiv në emërimin/ndryshimet apo shkarkimet e organeve drejtuese apo të zgjedhurve në partitë politike, por ushtron vetëm kontrollin formal të ligjshmërisë së ndryshimeve statutore dhe verifikimin e respektimit të kërkesave të ligjit apo të statutit në proceset vendimmarrëse të cilat pasqyrohen në regjistrin e partive politike. Thënë ndryshe, nuk është vendimi gjyqësor që u jep të drejtën organeve të partisë apo të emëruarve në postet partiake për të ushtruar funksionet e tyre, por gjykata kontrollon dhe certifikon a posteriori, të drejtën e tyre për të ushtruar kompetencat organike dhe statutore që nga momenti i kostituimit. …Bazuar në sa më sipër, në analizë të rastit objekt shqyrtimi, Komisioni i Rithemelimit legjitimohet në aspektin paraprak formal të paraqitjes së kërkesës dhe vënies në lëvizje të gjykatës si organ i zgjedhur dhe i emëruar nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Legjitimimi substancial bëhet nga verifikimi material nga ana e gjykatës i ligjshmërisë dhe i respektimit të normave statutore në thirrjen, mbledhjen dhe vendimmarrjen e Kuvendit Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021…. Rezulton nga materialet e depozituara në dosje, se një grup deputetësh dhe politikanësh të tjerë të Partisë Demokratike, në datën 10 Nëntor 2021 kanë depozituar në zyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD më shumë se 4200 formularë kërkesash të delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021 në orën 11.00. Kjo procedurë është zhvilluar në përputhje me pikën 2, të nenit 43 të Statutit të PDSH-së, në fuqi në momentin e thirrjes së Kuvendit Kombëtar, i cili parashikon qartësisht mbledhjen e organit më të lartë drejtues të Partisë Demokratike të Shqipërisë me kërkesë të një numri anëtarësh dhe delegatësh të Kuvendit Kombëtar më të madh se ¼ e gjithë përbërjes të tij. Në rastin konkret numri i formularëve të kërkesave të paraqitura (4200) e tejkalon ndjeshëm numrin e kërkesave të nevojshme për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, i cili për shkak se përbëhet nga 7646 delegatë mund të thirret në mënyrë të ligjshme kur këtë e kërkojnë jo më pak se 1912 anëtarë të tij.

Gjykata për këtë qëllim administroi dhe vlerësoi provën nr. 24 bashkangjitur kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022 …

Nga sa më sipër rezulton që nga pikëpamja procedurale dhe e përputhshmërisë së procedurave të aplikuara nga kërkuesit në raport me parashikimet e nenit 43 të statutit të Partisë Demokratike, procedura e ndjekur është në përputhje të plotë me parashikimet urdhëruese statutore, përsa i përket: 1) Numrit minimal të nevojshëm të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të cilët kërkojnë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar;

2) Afatit kohor brenda të cilit duhet paraqitur kërkesa për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar;

3) Elementët minimalë të cilët duhet të përmbajë kërkesa për mbledhje të Kuvendit Kombëtar, si dita, ora, vendi, rendi i ditës…

Gjykata ka verifikuar edhe nëse shtetasit nënshkrues të thirrjes së Kuvendit Kombëtar përfshiheshin në listën emërore të funksionarëve të PDSH të cilët, në momentin e thirrjes së tij, përbënin listën e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Për këtë qëllim gjykata pasi administroi provat shkresore…, vërejti se listat bashkëngjitur këtyre dokumenteve përbëjnë listë të plotë zyrtare dhe të detajuar të shtetasve të cilët përbënin Kuvendin Kombëtar të PDSH, në momentin e thirrjes së tij nga anëtarësia…. Nga verifikimi i i kryer nëpërmjet krahasimit të emrave dhe funksioneve të nënshkruesve të thirrjes së Kuvendit Kombëtar me listat e sipërcituara rezulton se nënshkruesit e formularëve të kërkesave të thirrjes së Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021 janë anëtarë/delegatë të këtij organi, për shkak të funksionit që gjithsecili prej tyre mban.

Përsa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike është thirrur në mënyrë të ligjshme nga një numër anëtarësh/delegatësh më i madh se ¼ e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij. …Gjykata bazuar në aktete shkresore të paraqitura nga pala dhe të administruar në formën e kërkuar nga ligji, krijon bindjen se Kuvendi Kombëtar i PDSH është mbledhur në mënyrë të ligjshme dhe në ambientet e stadiumit “Air Albania”, ku janë zhvilluar punimet e tij, në pjesën e dedikuar të delegatëve të Kuvendit, kanë marrë pjesë 4935 delegatë, prezenca fizike e të cilëve ka bërë që Kuvendi të ketë kuorumin e nevojshëm që ky organ të konsiderohet i mbledhur dhe të mbajë punime e të marrë vendime në mënyrë të ligjshme në përputhje me dispozitat statutore. …Rezulton nga proces-verbali i mbledhjes se punimeve të Kuvendit Kombëtar, nga materiali i plotë filmik i punimeve të Kuvendit, si dhe nga provat e tjera shkresore, veçanërisht ato të administruara së bashku me vendimin nr.1, datë 11.12.2021 të Kuvendit Kombëtar, por edhe ato të provave nr.2, nr.6 dhe nr.7 të bashkangjitura kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022, se Komisioni i drejtimit të punimeve të Kuvendit, administroi një kërkesë të paraqitur në përputhje me nenet 43, dhe 60 të Statutit të PDSH-së…

Gjykata vlerëson se procedurat e ndjekura për propozimin dhe miratimin e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021, janë në përputhje të plotë me parashikimet statutore në fuqi në momentin e miratimit të tyre, dhe praktika dokumentare shoqëruese e këtyre vendimmarrjeve është e plotë dhe e pakontestueshme. Vendimet e marra në Kuvendin Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021 janë vendime të marra në përputhje të plotë me tagrin dhe kompetencat statutore të Kuvendit Kombëtar të PDSH, si organi më i lartë vendimmarrës i kësaj force politike dhe si të tilla ato duhet të regjistrohen në regjistrin e partive politike. Vendimet e mësipërme përcaktojnë edhe ndryshime thelbësore në formatimin dhe përbërjen e organeve qendrore drejtuese të PDSH dhe si të tilla përmbajtja e tyre duhet të reflektohet përkatësisht edhe në përbërjen e organeve qendrore drejtuese të PDSH të regjistruara në regjistrin e partive politike….”.

13. Kundër vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ushtruar të drejtën e ankimit deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili, ka evidentuar këto shkaqe:

● Vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë dhe i bazuar në ligj dhe në prova.

● Partia Demokratike legjitimohet në cilësinë e ankuesit, për të paraqitur ankim ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në të dyja aspektet e legjitimimit, si nga ana substanciale dhe nga ajo procedurale.

● Vendimi nr.3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është në kundërshtim me nenet 193 dhe 392 të Kodit të Procedurës Civile.

● Vendimi nr.3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është në kundërshtim me shkronjën “a” të nenit 297 dhe nenin 298 të Kodit të Procedurës Civile.

● Vendimi nr.3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është në kundërshtim me nenet 9 dhe 46 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe me ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike” i ndryshuar.

● Vendimi nr. 3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë vjen në interpretim të gabuar të dispozitave të Statutit të PDSH, si dhe në injorim të organeve vendimmarrëse të partisë, të regjistruar nga vetë gjykata. Vendimi në kundërshtim me ligjin konsideron një tubim të thirrur jashtë rregullave të Statutit si mbledhje të organeve të partisë që sjell efekte ligjore në organizimin dhe funksionimin e partisë.

● Vendimi i gjykatës së shkallës së parë, ka anashkaluar provat, duke konsideruar mbledhje të Kuvendit Kombëtar të PDSH, një tubim të organizuar nga persona të caktuar jashtë institucioneve të Partisë.

● Konkluzioni i gjykatës së shkallës së parë se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike është thirrur në mënyrë të ligjshme nga një numër anëtarësh/delegatësh më i madh se 1/4 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, nuk mbështetet në ligj, statut dhe në prova.

● Vendimi i gjykatës së shkallës së parë ka anashkaluar rregullat procedurale statutore për miratimin e ndryshimeve në Statut dhe që janë të domosdoshme për të vendosur regjistrimin e tyre në gjykatë.

● Gjykata ka anashkaluar qëndrimin e institucioneve më të larta të partisë, mbi pretendimin se në 11 Dhjetor 2021 është mbajtur një tubim dhe jo mbledhje e Kuvendit Kombëtar të PDSH, që krijon provën e mjaftueshme, se jemi përpara një konflikti, që nuk mund të zgjidhet në një proces gjyqësor vërtetimi fakti.

14. Kundër ankimit të paraqitur nga deputeti Enkelejd Alibeaj, ka ushtruar të drejtën e apelit kundërshtues Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, duke evidentuar këto shkaqe:

● Ankuesi nuk legjitimohet të paraqesë ankim ndaj vendimit nr.3, datë 25.03.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

● Ankimi i paraqitur dhe nënshkruar nga deputeti Enkelejd Alibeaj nuk duhet të ishte pranuar për shqyrtim, duke u vendosur “mospranimi i ankimit” sipas nenit 450 të KPC, për shkaqet e mëposhtme:

● Ankimi nuk përmbush kriteret e përcaktuara në mënyrë rigoroze në ligj.

● Personi që ka paraqitur ankimin nuk është palë në proces në kuptim të ligjit dhe as nuk është përfaqësues legjitim i ndonjë pale në procesin e shqyrtimit të kërkesës. Ligji procedural parashikon qartë se çfarë është ankimi dhe kush është pozita procedurale që duhet të ketë një palë për të ushtruar të drejtën e ankimit. Konkretisht në nenin 442/a të KPC, parashikohen qartësisht kriteret minimale për ushtrimin e të drejtës së ankimit.

● Në vendimin objekt ankimi palë kërkuese është vetëm Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit. Kjo palë, pasi është njohur me arsyetimin e vendimit nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në datën 29.03.2022, nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar i ka komunikuar gjykatës shkresërisht vullnetin për të hequr dorë nga ankimi ndaj këtij vendimi, për shkak se gjykata ka pranuar plotësisht kërkesën e parashtruar asaj.

● Nga përmbajtja e Vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, rezulton se në shqyrtimin e kësaj kërkese nuk ka pasur palë të tjera me çfarëdo cilësie procedurale. Në rastin e personave juridikë, palë konsiderohet vetëm ky i fundit, kur organet përfaqësuese të tij vendosin të veprojnë ne emër dhe për llogari të tij. Nuk mund të konsiderohen pale, në kuptim të ligjit, persona sporadike brenda personave juridikë, të cilët pa pasur asnjë kompetencë dhe tagër përfaqësimi të personit juridik vendosin të ndërmarrin aksione dhe veprime juridike në emër dhe për llogari të personit juridik.

● Komisionit të Rithemelimit legjitimohet në kërkesën e paraqitur, pasi ai përfaqëson organin më të lartë drejtues të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe është mandatuar si i tillë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i datës 11.12.2021.

● Praktika gjyqësore është mëse e konsoliduar në pranimin e argumenteve të parashtruar me sipër. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre, ka mbajtur një qëndrim të qartë lidhur jo vetëm mbi çfarë duhet të verifikojë gjykata që ka dhënë vendimin, në rastet kur duhet të disponojë mbi pranueshmërinë e ankimit apo mospranimit të tij, por ka dhënë edhe kritere të qarta se si duhet të procedojë gjykata në këto raste (shiko vendimin nr. 11243-00155-00-2021 regj. themeltar, Nr. 00-2021-455 vendimi i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë).

● Në verifikimin e legjitimitetit te ankuesit gjykata verifikon vetëm legjitimitetin procedural të palës ankuese, pra faktin nëse pala ka qenë apo jo pjesëmarrëse në proces dhe nuk konsideron asnjë pretendim lidhur me legjitimitetin eventual substancial, pasi ky i fundit është vetëm tagër i gjykatës që jep vendimin dhe i gjykatës më të lartë rishikuese.

● Nga përmbajtja e ankimit rezulton se deputeti Alibeaj ngre pretendimin se Partia Demokratike e Shqipërisë ka paraqitur një kërkesë në sekretarinë gjyqësore me nr. 168/1 Prot., datë 22.12.2021, drejtuar Gjykatës që po shqyrtonte çështjen civile, me të cilën kanë kërkuar pushimin e gjykimit. Ky pretendim në lidhje me legjitimitetin është antiligjor në kuptimin e njohjes dhe zbatimit të standarteve minimale procedurale.

● I njëjti standart është mbajtur edhe në gjykimin për regjistrimin e ndryshimeve statutore të PDSH të Korrik 2021, kur në vendimin për caktimin e seancës gjyqësore lidhur me kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë për të regjistruar Statutin dhe vendimmarrjet e Kuvendit Kombëtar të Korrikut 2021, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i është referuar kërkesës së paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit me objekt “pushimin e gjykimit” duke mos e marrë në shqyrtim atë dhe duke mos e referuar në vendimin përfundimtar pikërisht si rrjedhojë e mungesës së cilësisë procedurale.

● Për këtë arsye, edhe në këtë rast gjykata duhet të mbajë të njëjtin standart, në të njëjtin rast identik, duke mos e legjitimuar z. Alibeaj në paraqitjen e ankimit.

● Ankimi i paraqitur ndaj vendimit të shkallës së parë është nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj, me cilësinë e nënkryetarit të PDSH. Ankuesi ka pretenduar se legjitimohet në përfaqësimin e Partisë Demokratike, duke ju referuar statutit të PDSH të datës 17 Korrik 2021, statut ky, i cili nuk ka marrë fuqi juridike, pasi vendimi i gjykatës me nr. 2, datë 18.03.2022 është ankimuar nga pala e interesuar. Në këtë kuptim është i paqartë cilësia e ankuesit në raport me Partinë Demokratike.

● Sipas nenit 46 të Statutit të 17 korrik 2021, PDSH përfaqësohet nga kryetari i saj dhe në kushtet e mungesës së zgjatur ose dorëheqjes së tij, nga njëri nga nënkryetarët, i cili, komandohet në drejtim të Partisë nga Këshilli Kombëtar. Është fakt publik që ish-Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha ka dhënë publikisht dorëheqjen nga pozicioni i Kryetarit të Partisë Demokratike. Edhe sikur statuti i PDSH të mos ishte ndryshuar rrënjësisht në datën 11.12.2021, në rastin konkret, z.Alibeaj nuk është komanduar asnjëherë në pozicionin drejtues të Partisë nga Këshilli Kombëtar.

● Ankuesi nuk disponon dhe as i vë në dispozicion gjykatës ndonjë provë dokumentare në se është “komanduar” si kryetar partisë në përputhje me statutin e PDSH, pavarësisht faktit se ai është shkarkuar nga detyra nga Kuvendi Kombëtar i PDSH i datës 11/12/2021.

E thënë më thjesht, i vetmi organ legjitim për përfaqësimin e PDSH në raport me të tretët është Komisioni i Rithemelimit miratuar në Kuvendin Kombëtar të datës 11.12.2021, por edhe në rastin që ky organ të mos ekzistonte ose të mos njihej ligjërisht, PDSH do të ishte në vakum ligjor për përfaqësimin me palët e treta si rrjedhojë e dorëheqjes së kryetarit dhe mos-mandatimit të një kryetari të ri ad interim nga Këshilli Kombëtar.

● Përsa më sipër, ankimi rezulton i firmosur nga një person, i cili nuk gëzon absolutisht tagra përfaqësimi të PDSH, me asnjë nga statutet e fundit të saj, as ai objekt i vendimmarrjes nr. 3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, as statuti i 17 korrikut 2021, paraardhës i statutit në fuqi të PDSH.

● Përfundimisht, i kërkojmë Gjykatës:”Mospranimin e ankimit ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukrin”.

15. Në këto rrethana, është shqyrtuar kërkesa ankimore e palës në proces për mospranimin e ankimit dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 508 Regj. Them., datë 22.04.2022, ka vendosur:

“Pranimin ankimit të palës ankuese, Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga nënkryetari i saj z. Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.

Gjykata ka arsyetuar ndër të tjera se: “…Në zbatim të parimeve kushtetuese të reflektuara në përcaktimet e KPC, duke analizuar aktet e fashikullit gjyqësor, pjesë e të cilit është bërë dhe kërkesa si më sipër e Komisionit të Rithemelimit, Gjykata konstaton se ankimi në shqyrtim duhet të pranohet për sa vijon:

vendimi nr. 3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në dispozitivin e tij, ka përcaktuar mes të tjerash, edhe të drejtën e ushtrimit të ankimit ndaj këtij vendimi sipas ligjit.

Neni 15 i Ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për Partitë Politike”, i ndryshuar, përcakton afatin 15 ditor të ankimit ndaj vendimeve gjyqësore të regjistrimit të një subjekti politik dhe të pasqyrimit në regjistrin e posaçëm të ndryshimeve thelbësore që ky subjekt pëson si pasojë e vendimmarrjeve të organeve drejtuese më të larta të tij. Për këtë, vendimi ndaj të cilit është paraqitur ankimi në shqyrtim, është vendim i ankimueshëm për në Gjykatën e Apelit, brenda afatit 15 ditor.

Subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, ka pozitën procedurale të kërkuesit në kërkesën me objekt: “Depozitim i akteve dhe vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i datës 11.12.2021. Ky subjekt, rezulton të jetë i njëjti me subjektin që ka depozituar ankimin ndaj vendimit të dhenë nga Gjykata për pranimin e kërkesës. Pavarësisht përfaqësuesve të ndryshëm të tij. Brenda këtij kuadri, Gjykata vlerëson dhe pranon ekzistencën e interesit të ligjshëm të subjektit politik PDSH, në paraqitjen e ankimit, me qëllim ushtrimin dhe realizimin e të drejtës kushtetuese të kontrollit mbi ligjshmërinë e vendimmarrjes së gjykatës së shkallës së parë nga gjykata më e lartë.

Qëndrimi dhe kërkesa për pushimin e gjykimit, paraqitur përpara Gjykatës që ka dhënë vendimin nr. 3, datë 25.03.2022 nga PDSH, përfaqësuar nga Kryetari i saj z. Lulzim Basha, janë bërë pjesë e ankimit në shqyrtim, duke parashtruar në thelb të tyre pretendime mbi legjitimimin e përfaqësuesve të kërkuesit, si dhe mbi pabazueshmërinë në përcaktimet statutore në fuqi të thirrjes dhe organizimit (Kuvendit Kombëtar të këtij subjekti në datë 11.12.2021). Në vlerësim të kësaj Gjykate, edhe në këtë kuadër, interesi i ligjshëm i këtij subjekti politik, pavarësisht përfaqësuesve të paraqitur përpara gjykatës, është ai i ushtrimit të kontrollit të vendimmarrjes së shkallës së parë të gjykimit nga një gjykatë më e lartë, në drejtim të ligjshmërisë dhe bazueshmërisë në përcaktimet statutore në fuqi, të akteve dhe vendimeve të dala nga organi më i lartë vendimmarrës i Partisë.

Duke analizuar elementët formal të ankimit, Gjykata konstaton se ankimi është paraqitur brënda 15 ditëve nga dita e shpalljes së vendimit. Ankimi është nënshkruar nga zoti Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e Nënkryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Autorizimi/Akti i Përfaqësimit i datës 15.09.2021, lëshuar nga Kryetari i PDSH-së për zotin Alibeaj, i ka dhënë këtij të fundit tagra të përgjithshme përfaqësimi të subjektit politik PDSH në të gjitha proceset gjyqësore. Ky autorizim përmbush kushtet dhe kriteret e përcaktuara në paragrafin e dytë të nenit 72 të KPC. Po kështu, nënshkrimi i z.Alibeaj në ankimin në shqyrtim, shoqërohet me vulën e subjektit ankues, element ky i domosdoshëm në dhënien e fuqisë juridike akteve të një subjekti/personi juridik në një proces gjyqësor civil, i cili është i barazvlefshëm me fuqinë juridike të vërtetimit të nënshkrimit të individëve përpara noterit publik.

Verifikimi i ligjshmërisë së përfaqësuesve të subjektit Partia Demokratike e Shqipërisë në cilësinë e kërkuesit dhe ankuesit, është në kompetencë funksionale të Gjykatës së Apelit Tiranë, në kuadër të shqyrtimit të Vendimit Nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për sa më sipër, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në Dhomë Këshillimi, Gjykata vlerëson të pranueshëm ankimin e paraqitur ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili, pasi t’i komunikohet kërkuesit PDSH, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, së bashku me fashikullin e vendimit të mësipërm. duhet të përcillet pranë Gjykatës së Apelit Tiranë…”.

16. Kundër vendimit nr. 508 Regj.Them., datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ushtruar të drejtën e ankimit të veçantë, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, duke parashtruar këto shkaqe:

● Vendimi i dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për pranimin e ankimit është vendim i marrë në kundërshtim me ligjin.

● Pavarësisht se në këtë vendim, gjykata është shprehur se ndaj këtij vendimi lejohet ankim, pala ankuese po e ushtron këtë ankim sipas përcaktimeve të nenit 450 të KPC.

● Të drejtën e ankimit ndaj një vendimi gjyqësor nuk e njeh dhe as e ndalon gjyqtari, por e përcakton ligji. Në këtë rast, gjyqtarja e vetme, e cila ka pranuar ankimin, nuk ka bërë interpretim të saktë të nenit 450 dhe 452 të KPC.

● Para se gjykata te shprehej në lidhje me vendimin objekt ankimi, pala ankuese ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Blerina Muça, kërkesë e cila është rrëzuar me vendimin nr. 542, datë 19.04.2022 të gjyqtares Arjana Caco. Në kushtet kur ky vendim, kundërshtohet sëbashku me vendimin përfundimtar, me këtë ankim kjo palë kundërshton edhe këtë vendim me të cilin është konstatuar se gjyqtarja Blerina Muça nuk ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë së përcaktuar në nenin 72 të KPC.

Shqyrtimi i çështjes për disponimin mbi mjetin e ankimit, e vendoste gjyqtaren Blerina Muça në kushtet e konfliktit të interesit, për shkak se objekti i kërkesës lidhet ngushtësisht me çështjen për të cilën ajo kishte dhënë vendimin nr. 2, datë 18.03.2022, me të cilin kishte vendosur pranimin e kërkesës dhe regjistrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të të datës 27.07.2021.

● Referuar ankimit të paraqitur rezulton se argumenti kryesor i paraqitur është vendimmarrja e marrë në themel nga gjyqtarja Blerina Muça dhe interpretimi i pasojave ligjore të kësaj vendimmarrje në raport me vendimmarrjen e kundërshtuar të datës 25.03.2022 nga gjyqtari Agron Zhukri.

Ndërthurja e këtyre proceseve, të cilat u zhvilluan paralelisht, është bërë objekt diskutimi dhe konflikti politik të njohura mediatikisht, ndaj edhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë duhet ti kishte përjashtuar të dy gjyqtarët e përfshirë në vendimmarrjet e mëparshme për të garantuar transparencën dhe objektivitetin e gjykimit në disponimin e ankimit.

Po kështu, referuar nenit 72, pika 3 të KPC, në kushtet kur Komisioni i Rithemelimit ka në përbërje të tij dhe identifikohet në opinionin publik me z. Sali Berisha, i cili për një kohë të gjatë ka pasur shkëmbim të akuzave të ndërsjellta publike me bashkëshortin e gjyqtares Blerina Muça, kur ky i fundit ka mbajtur pozicione publike.

Shkaqet e mësipërme, jo vetëm nuk janë pranuar, por ato as janë marrë në shqyrtim dhe as janë analizuar nga ana e gjyqtares Arjana Caco, duke e bërë vendimin e saj të paarsyetuar.

● Në lidhje me themelin e kundërshtimit të vendimit, rezulton se ankimi i paraqitur nuk përmbush kriteret e përcaktuara në ligj, pasi pala që e ka ushtruar atë nuk legjitimohet.

● Deputeti Enkelejd Alibeaj nuk legjitimohet që të ushtrojë ankim ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi ky është një standard i mbajtur nga ana e kësaj gjykate edhe në raste të tjera të mëparshme të ngjashme.

● Deputeti Enkelejd Alibeaj ka pretenduar se e ka ushtruar të drejtën e ankimit në cilësinë e Nënkryetarit të Partisë Demokratike të Republikës së Shqipërisë, cilësi të cilën ai e ka fituar nga ndryshimet statusore dhe organeve të krijuara në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike në datën 27.07.2021, ndryshime të cilat, po sipas këtij subjekti nuk kanë hyrë në fuqi, pasi vendimi me të cilën janë urdhëruar regjistrimi i këtyre ndryshimeve është ankimuar nga vetë ky subjekt. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk e ka mbajtur në konsideratë dhe madje as e ka evidentuar këtë fakt në vendimin e dhënë prej saj.

● Z. Alibeaj nuk legjitimohej në paraqitjen e ankimit objekt shqyrtimi, pasi ai nuk gëzon tagra përfaqësimi të PDSH, me asnjë nga statutet e fundit të saj, as ai objekt i vendimmarrjes nr. 3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, as statuti i 17 korrikut 2021, paraardhës i statutit në fuqi të PDSH. Gjykata e Rrethit Gjyqësor ka gabuar rëndë kur ka pranuar ankimin e paraqitur nga Deputeti Enkelejd Alibeaj, pasi ashtu sikurse arsyeton kjo gjykatë, ka rezultuar se autorizimi për z. Enkelejd Alibeaj është nënshkruar nga Kryetari i PDSH z. Lulzim Basha në datën 15.09.2021, ndërkohë që ankimi i paraqitur nga z.Alibeaj mban datën 04.04.2022, pra kohë në të cilën z.Basha kishte dhënë dorëheqjen nga kreu i PDSH. Konkretisht, z.Basha ka dhënë dorëheqjen në datën 21.03.2022.

● Çështja e legjitimimit të palës që ankohet ndaj vendimit nr.3, datë 25.03.2022, deputetit Alibeaj, lidhur me qenien pjesëmarrës më çfarëdo cilësie procedurale në procesin e regjistrimit të vendimeve të Kuvendit Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021 është zgjidhur me vendimin nr. 191, Regj. Temeltar, datë 04.02.2022, të gjyqtar Arben Kostandini, i cili rrëzon kërkesën e po kësaj pale për përjashtimin e gjyqtarit Agron Zhukri, pasi këta të fundit nuk janë palë në proces dhe për pasojë nuk legjitimohen. Ky vendim përjashtimi nuk është ankimuar, për rrjedhojë është i formës së prerë dhe vetë ankuesi e ka pranuar duke mos e ankimuar.

Pra praktikisht gjyqtarja Blerina Muça, me anë të vendimit objekt ankimi ka disponuar mbi një gjë të gjykuar, duke i dhënë një zgjidhje të ndryshme dhe për më tepër antiligjore.

● Pavarësisht se ky fakt, i është bërë me dije gjyqtares nga ana jonë, si dhe vendimi përkatës është ankimuar në dosjen gjyqësore të kësaj gjyqtareje, përsëri ja vetëm ky fakt nuk është marrë në konsideratë në dhënien e vendimit, por as është përmendur fare në të.

● Në rastin objekt shqyrtimi, gjykata ka denatyruar krejtësisht natyrën e një gjykimi të tillë që është mbi bazë kërkese, duke e kthyer këtë çështje në gjykim themeli, pa respektuar rregullat procedurale të gjykimit dhe vullnetin e palës që ka vënë në lëvizje gjykatën. Pra gjykata nga gjykimi për shqyrtimin e një kërkese, e ka kthyer gjykimin ne shqyrtimin e nje kerkesë-padie e cila nuk rezulton të jetë objekt gjykimi. Ky fakt është i paprecedent por edhe në kundërshtim me ligjin, pasi nuk është gjykata ajo që dikton mënyrën se si i adreson një palë kërkesat e veta para saj dhe aq më pak të diktojë objektin e tyre. Ky eksluzivitet i përket vetëm palës/palëve të cilat i drejtohen gjykatës.

● Theksojmë këtu se jo vetëm ne si kërkues, por edhe pala e cila përfaqësohet nga deputeti Enkelejd Alibeaj, nuk ka pasur dhe as ka shprehur kurrë vullnetin për të bërë një gjyq themeli lidhur me legjitimitetin e organeve drejtuese te PDSH. Ajo palë ka pasur dijeni të plotë të procesit tonë të regjistrimit të vendimeve të Kuvendit Kombëtar të dt.11.12.2021 dhe kurrë nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për ndërhyrje në shqyrtimin e kërkesës tone dhe aq më pak të na padisnin, duke kërkuar të bënin gjyq themeli.

17. Mbi ankimet si më sipër, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023, ka vendosur:

“Mospranimin e ankimit të ankuesit Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të ushtruar ndaj vendimit nr. 508 regj them, datë vendimi 22.04.2022 me objekt “Disponim ankimi” të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si vendim ndaj të cilit nuk lejohet ankim.

-Prishjen e vendimit nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues.

-Kundër këtij vendimi lejohet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar”.

Gjykata e Apelit Tiranë, në mënyrë të përmbledhur ka arsyetuar se: “… lidhur me ankimin ndaj vendimit nr. 508 akti, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjykata vlerëson se ky ankim nuk duhet të pranohet…

• Nga vlerësimi sistematik i neneve 450, 450/a dhe 452 të KPC, Gjykata e Apelit konstaton se, vendimi për “pranimin e ankimit” i disponuar nga gjykata që ka dhënë vendimin, ndaj të cilit ushtrohet ankimi në bazë të kompetencës së njohur në nenin 450 të KPC., është vendim ndaj të cilit nuk mund të ushtrohet ankim i veçantë. Neni 450/2 i KPC ka njohur dhe lejuar ankimin e veçantë vetëm ndaj vendimit që disponon për “mospranimin e ankimit” në shkallë të parë. Ligjvënësi e ka bërë përjashtimin e ankimit të veçantë ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë për “pranimin e ankimit”, duke parashikuar në mënyrë të shprehur se në cilin rast lejohet ankim i veçantë, duke e lidhur atë shprehimisht vetëm me vendimin që ka vendosur “mospranimin e ankimit”. …“Mospranimi i ankimit” përbën disponim me natyrë vendimtare në drejtim të kufizimit të së drejtës së ankimit, disponim i cili, mbi të gjitha rezulton nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin, si i tillë ai do të duhet të rivlerësohet nga gjykata e juridiksionit më lart, si një garanci kjo për proces të rregullt ligjor dhe specifikisht për të garantuar të drejtën kushtetuese, konventore dhe ligjore të ankimit kundrejt mundësisë së kufizimit të padrejtë të saj (neni 43 i Kushtetutës, neni 13 i KEDNJ-së).

Vendimi për “pranim ankimi” është vendimmarrje, e cila në raport me të drejtën kushtetuese dhe konventore të ankimit, nuk passjell kufizimin e saj, përkundrazi efekt juridik i drejtpërdrejtë i këtij vendimi, është fitimi i juridiksionit kontrollues nga një gjykatë më e lartë ndaj vendimit gjyqësor të themelit, kontroll ky pjesë e të cilit është edhe ri-vlerësimi i pranueshmërisë së ankimit po sipas rrethanave dhe kushteve ligjore që renditen në nenin 450/1 të KPC., vlerësim pa të cilin nuk mund të vijohet me shqyrtimin në themel të ankimit dhe shkaqeve ligjore në përmbajtje të tij nga gjykata e apelit. …

Vendimi i gjykatës së shkallës së parë për “pranim ankimi” apo shprehur ndryshe alternativisht “lejim ankimi”, nuk ka efektin “gjë e gjykuar” sipas nenit 451/a të KPC, në lidhje me sa është disponuar në të, kundrejt vlerësimit ligjor që gjykata e apelit mund të bëjë në lidhje me pranueshmërinë e ankimit…. Për shkak të fushës së kufizuar të efekteve juridike që passjell vendimi i gjykatës së shkallës së parë për “pranimin e ankimit”, ky vendim nuk është parashikuar nga ligjvënësi në Kod si vendimmarrje, e cila në vetvete do t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor posaçërisht nga gjykata e apelit, pra nuk është parashikuar si vendimmarrje e ankimueshme… Si i tillë vendimi për “pranimin e ankimit” ka tiparet e një vendimi të ndërmjetëm të një lloji të veçantë. Gjykata e apelit mund të disponojë ndryshe prej tij, po sipas nenit 450/1 të KPC dhe në këtë rast vendimi i gjykatës së apelit është vendimtar në pasojat juridike që sjell ndaj së drejtës së ankimit, pa qenë nevoja të kontrollojë dhe të bëjë objekt vlerësimi dhe disponimi të saj vendimin e gjykatës së shkallës së parë “për pranim ankimi/lejim ankimi”…. Në lidhje me pranueshmërinë e ankimit. Në rastin konkret, ankues është Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar me autorizim të Kryetarit të Partisë nga nënkryetari z.Enkelejd Alibeaj, gëzon legjitimim në ushtrimin e ankimit ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. … Gjykata e Apelit konstaton se kërkues në proces është “Partia Demokratike e Shqipërisë”, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit. Ankues në këtë proces është “Partia Demokratike e Shqipërisë”, përfaqësuar me autorizim të Kryetarit të Partisë nga nënkryetari i Partisë. Dukshëm konstatohet se si kërkuesi dhe ankuesi janë i njëjti subjekt i së drejtës, i njëjti person juridik, konkretisht Partia Demokratike e Shqipërisë. … “Palë” në procesin civil konsiderohet ai subjekt i së drejtës që përmbush dy kushte ligjore të njëkohshme, së pari, është personi fizik apo juridik në emër apo kundër të cilit zhvillohet gjykimi; së dyti, është personi fizik apo juridik ndaj të cilit shtrin efektet e tij juridike dhe fuqinë ligjore vendimi gjyqësor i disponuar nga ai proces gjyqësor. … Subjekti i së drejtës në emër të të cilit është zhvilluar gjykimi në shkallë të parë, përfunduar me vendimin nr.3, datë 25.03.2022 objekt ankimi, është personi juridik “Partia Demokratike e Shqipërisë”. Është pikërisht ky subjekt i së drejtës, ndaj të cilit synon të sjellë efekte juridike dhe fuqi ligjore vendimi i disponuar nga gjykata e shkallës së parë objekt ankimi, vendimi nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndodhemi para të njëjtit subjekt të së drejtës, që shfaqet në pozitën e “kërkuesit” dhe të “ankuesit”, si pasojë efektit se përfaqësimin e tij e synojnë në procesin civil, si Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, ashtu edhe nënkryetari i Partisë pajisur me autorizim nga Kryetari i Partisë. Pra në këtë rast, nuk ndodhemi para dy subjekteve të ndryshme të së drejtës apo para dy personave të ndryshëm juridik, por para të njëjtit person juridik, subjekt në lidhje me të cilin paraqiten para gjykatës dy pretendues të ndryshëm për pozicionin procedural “të përfaqësuesit” të tij…

Referuar nenit 15 të ligjit të sipërcituar, shprehimisht legjislatori në këtë dispozitë parashikon të drejtën e ankimit edhe ndaj vendimit “për regjistrimin”, krahas vendimit “për mos-regjistrimin” e ndryshimeve statutore. Ky parashikim i shprehur dhe i qartë, parashikon mundësinë që të kundërshtohet edhe vendimi i regjistrimit në regjistrat e partive politike, për sa potencialisht një vendimmarrje e tillë mund të prekë apo cenojë të drejtat e subjektit politik. Në këtë parashikim ligjor të nenit 15 të Ligjit “Për partitë politike”, nuk përcaktohet dhe as nuk kufizohet rrethi i subjekteve që legjitimohen të ushtrojnë ankim ndaj vendimit të regjistrimit ose mosregjistrimit. …Për sa më sipër, rezulton edhe në zbatim të nenit 15 të Ligjit “Për partitë politike”, PDSH legjitimohet në paraqitjen e ankimit ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë që ka disponuar për regjistrimin e ndryshimeve statutore pikërisht për këtë subjekt politik…..

Nga provat në dosje, konkretisht “Vërtetimi” datë 06.04.2022 i Zyrës së Regjistrit të Partive Politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është vërtetuar se PDSH ka kryetar të saj të regjistruar z. Lulzim Basha. Rezulton se regjistrimet statutore në regjistrin e partive politike për subjektin PDSH kanë identifikuar si organ përfaqësues ndaj të tretëve për PDSH Kryetarin e saj z.Lulzim Basha. Nuk u vërtetua në gjykim të jetë regjistruar në regjistrin e partive politike ndonjë rregullim i ri statutor që të ketë sjellë ndryshim në drejtim të organit të përcaktuar si përfaqësues për PDSH ndaj të tretëve. …“Dorëheqja e kryetarit të partisë” është rrethanë apo ngjarje e cila, materializohet në momentin që ajo formalizohet me një akt të shkruar dhe të pajisur me nënshkrimin e Kryetarit të partisë, si element ky i fundit autentifikues dhe i vërtetësisë së tij…. Nuk rezulton gjithashtu që në regjistrin e partive politike për subjektin PDSH të jetë regjistruar ndonjë akt dorëheqje të kryetarit të partisë z. Lulzim Basha, i tillë, që të ketë sjellë efekte juridike ndaj të tretëve, duke përfshirë këtu edhe gjykatën. …Në gjykim nuk u paraqit asnjë provë tjetër me fuqi të njëjtë provuese që të kundërshtonte këtë fakt. PDSH e përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit nuk paraqiti asnjë provë shkresore zyrtare me fuqi provuese për të vërtetuar prapësimin e saj për “dorëheqjen e kryetarit të partisë z. Lulzim Basha” sipas kuptimit ligjor që mund të ketë ky fakt juridik referuar Ligjit të posaçëm për “Për partitë politike”…

Nënkryetari i Partisë z. Enkelejd Alibeaj është “i autorizuari” nga kryetari i PDSH z.Lulëzim Basha për realizimin e përfaqësimit të PDSH në proceset gjyqësore ku palë është PDSH. Autorizimi i datës 15.09.2021 rezulton të mos jetë revokuar. …Tagrat e njohura të përfaqësimit rezultojnë të jenë të përgjithshme, pra për të gjitha proceset gjyqësore …

Mbi shqyrtimin në themel të ankimit… Gjykata e apelit konkludon se vendimi nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është disponuar në kushtet e shkeljeve procedurale, si i tillë ai duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rigjykim pranë gjykatës së shkallës së parë me tjetër trup gjykues….

• Vendimi objekt ankimi është vendim, i cili është disponuar në shkelje të parimit të paanësisë, rrethanë procedurale kjo, e cila sipas nenit 467/b të KPC, passjell pavlefshmërinë absolute të vendimit gjyqësor….Evidentohen shkaqe papajtueshmërie në shqyrtimin e çështjes civile nga trupa gjykuese që e ka shqyrtuar atë në shkallë të parë. Kjo papajtueshmëri nuk ka mbetur në nivelin deklarativ nga ana e gjyqtarit, por është provuar me prova shkresore të paraqitura prej tij bashkëlidhur kërkesës për heqjen dorë.

…Në vlerësimin e Gjykatës së Apelit, vendimi i Kryetarit të gjykatës për mospranimin e kërkesës së gjyqtarit për heqje dorë nga gjykimi i çështjes, është i paarsyetuar dhe i paargumentuar në raport me parashikimet e KPC, nocionin e parimit kushtetues dhe konventor të paanësisë, si dhe në raport me Ligjin nr. 9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesit”… Vendimi i Kryetarit të Gjykatës për pranimin ose rrëzimin e kërkesës së gjyqtarit për heqje dorë nga gjykimi, duhet të jetë i arsyetuar dhe i bazuar në legjislacionin në fuqi, duke kryer shqyrtimin dhe argumentimin në lidhje me të gjitha rrethanat dhe kërkimet e parashtruara në kërkesën e gjyqtarit për heqjen dorë nga gjykimi. Mungesa e arsyetimit apo mungesa e bazueshmërisë së këtij vendimi në raport me legjislacionin në fuqi, përbën shkak për ta cilësuar atë si një mjet jo-efektiv në drejtim të respektimit dhe garantimit të parimit të paanësisë, duke pasjellë cenimin e këtij parimi sipas kuptimit të nenit 467/b të KPC…

Gjykata e Apelit vlerëson se trupa gjykuese është gjendur në papajtueshmëri për të zhvilluar gjykimin edhe sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Civile, ndryshe nga sa parashtron në vendimin e tij kryetari i gjykatës për refuzimin e kërkesës për dorëheqjen nga gjykimi të gjyqtarit, pasi rrethanat e parashtruara dhe vërtetuara me prova prej trupës gjykuese: cenojnë parimin e paanësisë në aspektin objektiv dhe subjektiv të tij, duke u vlerësuar ky kusht procedural sipas kritereve të elaburuara të jurisprudencës si më sipër cituar (neni 467/b i KPC), rrethanat e parashtruara kanë pasur mundësinë të krijojnë premisa objektive për arsye serioze njëanshmërie edhe sipas kuptimit të nenit 72/6 të KPC., vlerësuar kjo në unitet edhe me nenin 73 të KPC, ku trupa gjykuese ka vlerësuar me ndërgjegje domosdoshmërinë e zëvendësimit të saj në gjykimin e çështjes me tjetër trup gjykuese….

• Shkelje tjetër procedurale e konsumuar nga gjykata e shkallës së parë, edhe pse në vetvete nuk arrin të prodhojë pasoja pavlefshmërie absolute ndaj vendimit përfundimtar nr. 3, datë 25.03.2022 është revokimi i vendimit të ndërmjetëm për pezullimin e gjykimit pa ekzistuar ende kushtet ligjore për vazhdimin e gjykimit. …Kur gjykata e shkallës së parë ka vendosur për revokimin e ndërmjetëm për pezullimin e gjykimit të çështjes civile, vendimi gjyqësor i datës 18.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që kishte disponuar për regjistrimin e ndryshimeve statutore të datës 17 Korrik 2021 për PDSH, ende nuk ishte arsyetuar, për pasojë ende nuk kishte marrë formë të prerë dhe as nuk ishte pasqyruar si i tillë në regjistrin e partive politike, duke mos arritur ende të prodhonte efektet juridike të synuara në dispozitivin e tij. Rezulton se gjykata e shkallës së parë nuk e ka zbatuar drejtë nenin 297/a të KPC., duke vijuar me gjykimin e çështjes, edhe pse ende nuk kishte rënë ende shkaku objektiv pezullues për gjykimin, duke vepruar në shkelje të kësaj dispozite. …. Kërkesa për gjykim është ushtruar bazuar në nenin 9 të Ligjit “Për partitë politike”, ku përcaktohet pasqyrimi në regjistrin e partive politike të ndryshimeve që mund të bëjë një subjekt politik në lidhje me “konfiguracionin e vulës ose të kryetarit të partisë”. Edhe pse personi juridik (subjekti i së drejtës) që paraqitet para gjykatës është një i vetëm PDSH, rezulton se përfaqësimin e saj e pretendon si Kryetari i Partisë që rezulton i regjistruar në regjistrin e Partive Politike për PDSH, duke u bazuar në nenin 14/2 të Ligjit “Për Partitë Politike”, ashtu edhe Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, i cili pretendon të njihet si përfaqësues i PDSH për shkak të vendimmarrjeve të Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021. Një situatë e tillë procedurale specifike ndodh për shkak të vetë lëndës së gjykimit, ku objekt vlerësimi janë vlefshmëria dhe ligjshmëria e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021, vendimmarrje pjesë e cilave ka qenë edhe zgjedhja e një organi të ri drejtues të subjektit politik. Për shkak të kësaj specifike, Gjykata e Shkallës së Parë në rigjykim duhet të njoftojë si Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit, ashtu dhe Kryetarin e Partisë e të autorizuarit prej tyre, si dhe të ftojë ata të shprehen në lidhje me pozicionimin e tyre procedural. Më pas Gjykata e Shkallës së Parë duhet të disponojë në lidhje me to me vendim. Në këtë vlerësim, si dhe në vlerësimin në tërësi, Gjykata e Shkallës së Parë duhet të mbajë në konsideratë raportin pajtues mes normave të Kodit të Procedurës Civile dhe normave të ligjit të posaçëm nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”. Në rigjykim gjykata e shkallës së parë, duhet të mbajë në konsideratë gjithashtu administrimin e vërtetimit të përditësuar nga regjistri i partive politike në lidhje me subjektin PDSH, ku të verifikojë sërish të dhënat e përditësuara në lidhje me vijimin e përfaqësimit të subjektit politik nga kryetari i partisë (nga ky organ), personin që rezulton i tillë i shënuar në regjistër, si dhe ndryshime të fundit statutore të regjistruara në të për këtë subjekt politik….”.

18. Kundër vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar të drejtën e rekursit pala kërkuese në këtë gjykim, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, duke parashtruar këto shkaqe:

● Vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, referuar nenit 472/1/a, është dhënë në zbatim të gabuar të ligjit material dhe procedural të cilat kanë një rëndësi themelore për njehsimin, sigurinë dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore;

● Vendimi i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, referuar nenit 472 /1/c është rezultat i shkeljeve të normave procedurale, me pasojë pavlefshmërinë e vendimit dhe të procedurave të gjykimit.

● Gjykata e Apelit në kundërshtim të rregullave procedurale të gjykimit në Apel, nuk ia ka nënshtruar debatit gjyqësor dhe nuk është shprehur për të gjitha kërkesat e kërkuesit në këtë proces.

● Gjykata në asnjë rast nuk ka relatuar në lidhje me ankimin e kërkuesit sa i takon disponimit të ankimit me vendim të Gjykatës në datë 22.04.2023 në lidhje me vendimin nr. 508, të depozituar në të njëjtën datë me kundër-ankimin datë 16 Maj 2022. Gjykata, në shkelje të nenit 464 të KPC-së, as e ka relatuar dhe as ka referuar një mundësi të debatimit gjyqësish lidhur me shkaqet e ankimit të paraqitura nga ana e palës kërkuese, referuar ankimit të saj të depozituar në datë 16 Maj 2022.

Referuar vendimit nr. 44/2023 të Gjykatës së Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm, nuk rezulton që gjykata t’i ketë dhënë mundësi palëve të shprehen në lidhje me ankimin e paraqitur kundër vendimit të disponimit dhe as ta bëjë pjesë të debatit gjyqësor.

● Gjykata e apelit ka shkelur shkelur parimin e vendosur në nenin 6 të KPC se Gjykata që gjykon mosmarrëveshjen duhet të shprehet mbi gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet. Kjo gjykatë, nuk është shprehur në lidhje me të gjitha kërkesat peocedurale të paraqitura nga pala kërkuese që në fillim të gjykimit, as me vendim të ndërmjetëm dhe as me vendim përfundimtar.

● Disponimi nga Gjykata e Apelit në lidhje me ankimin kundër Vendimit nr.508, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, sa i takon disponimit të Ankimit të paraqitur nga deputeti Enkelejd Alibeaj është në shkelje të rregullave procedurale dhe parimeve kushtetuese.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, në asnjë rast nuk e ka relatuar këtë ankim në seancë, nuk ka bërë prezent nëse i ka bashkuar ankimet dhe as ia ka nënshtruar debatit gjyqësor në shkelje të parimit të kontradiktoritetit referuar nenit 18 të KPC si dhe vetë detyrimit ligjor sipas nenit 464 të KPC-së.

● Gjykata e apelit ka marrë në shqyrtim kryesisht papajtueshmërinë e gjyqtarit Zhukri dhe në cenim të parimit të barazisë para ligjit, nuk është ndalur dhe as ka trajtuar aspak shkaqet e njëanshmërisë së Gjyqtares Muçi, pavarësisht se në lidhje me këtë këtë çështje ka pasur kërkim të posaçëm nga palët (kundërshtimi i vendimit për rrëzimin e kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Muça).

● Gjykata e Apelit, në dhunim të parimeve procedurale (që do analizohen më poshtë) ka marrë në konsideratë, duke trajtuar dhe e konsideruar si shkak për prishje të vendimit, njëanshmërinë e supozuar të Gjyqtarit Agron Zhukri, për të cilin nuk kishte asnjë ankim të paraqitur nga pala ankuese Deputeti Alibeaj. Pra, në të njëjtin proces Gjykata e Apelit ka shkelur parimin e barazisë para ligjit referuar nenit 18 të Kushtetutës dhe nenit 1/1 të KPC-së, duke bërë një trajtim diskriminues të palës kërkuese në kuptim të nenit 14 të KEDNJ-së.

● Gjykata e Apelit pavarësisht se ka qenë në dijeni të të gjitha fakteve që e bënin të papajtueshme dhe të njëanshme gjyqtaren Muçi e ka konsideruar të vlefshme vendimmarrjen e saj, duke diskriminuar në këtë mënyrë palën tjetër, kur pavarësisht se nuk kishte një ankim nga deputeti Alibeaj në lidhje me vendimin e gjyqtarit Konstandini në lidhje me përjashtimin e Zhukrit, kryesisht e ka konsideruar të pavlefshme vendimmarrjen e tij.

● Në lidhje me ankimin e vendimit 508, datë 22.04.2022, Gjykata e Apelit ka gjetur se kërkimet e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit janë kontrakdiktore, pasi është kërkuar njëkohësisht ‘prishja e vendimit të ankimuar’ dhe më tej ‘mospranim i ankimit nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë’, duke e konsideruar këtë të fundit si një disponim për ndryshim të vendimit dhe jo për prishje të tij. Ky qëndrim i mbajtur nga Gjykata e Apelit nuk është i drejtë dhe i vërtetë.

● Pala kërkuese ka paraqitur kërkesa paraprake duke ngritur çështje të legjitimimit procedural, për të cilat nuk mori asnjëherë përgjigje nga Gjykata e Apelit, e cila dështoi të shprehej me vendim përfundimtar sikur vendosi me vendim të ndërmjetëm në seancë gjyqësore.

● Gjykata e Apelit ka shfaqur njëanshmëri çfarë e vë në dyshim dhe vlefshmërinë e vendimmarrjes së saj nën dritën e jurisprudencës së GJK dhe të parimeve të KEDNJ dhe Kushtetutës së R.SH-së sa i takon paanshmërisë, si dhe ka dështuar të shprehet me vendim në lidhje me kërkesat paraprake të palës kërkuese.

● Qëndrimi i mbajtur nga gjykata e apelit se ndaj vendimit për pranimin e ankimit nuk lejohet ankim i veçantë sipas nenit 450 dhe 452 të KPC është i gabuar dhe vjen në kundërshtim me ligjin, duke bërë një interpretim subjektiv të dispozitave ligjore, ndryshe nga sa ka përcaktuar ligjvënësi.

● Gjykata është kontradiktore pasi sipas Gjykatës së Apelit, ky lloj vendimi nuk ankimohet as me ankim të veçantë dhe as me vendimin përfundimtar, pasi vendimi përfundimtar në rastin konkret është vetë vendimi që disponon gjykata e apelit në përfundim të shqyrtimit të ankimit ndaj vendimit të apelit.

● Në rastin konkret, Gjykata e Apelit jo vetëm që nuk e ka bërë këtë kryesisht (pra kontrollin e pranueshmërisë), por as referuar ankimit të veçantë të cilin as e ka relatuar në gjykim dhe as i ka kthyer përgjigje kërkesave paraprake, të cilat kishin lidhje pikërisht me element të legjitimimit procedural, të ngritura dhe në ankimin e veçantë kundër vendimit nr. 508/2022 ‘për disponim ankimi’. Përderisa neni 450/3 shprehet se mospranueshmëria e ankimit mund të deklarohet në çdo shkallë të gjykimit, kjo do të thotë se fillimisht Gjykata duhet të shprehet lidhur me pranueshmërinë qoftë edhe kryesisht, apo edhe me kërkesë të palës. Pra, interpretimi sistemik i dispozitave është që fillimisht duhet të kontrollohet pranueshmëria e ankimit dhe nëse nuk ka problematika sa i takon kushteve të pranueshmërisë ‘prima facia’ përfshirë këtu dhe legjitimimin procedural, sikur është edhe parashtruar nga pala kërkuese në ankimin e veçantë dhe në kërkesa paraprake në seancën e datës 3.03.2023, atëherë duhet të kalohet në gjykimin e themelit referuar shkaqeve të ankimit të pranuar përmes vendimit 508/2022.

● Ligji ka përcaktuar në nenin 450/3 të KPC, se Gjykata e Apelit duhet të kontrollojë pranueshmërinë e ankimit kryesisht, edhe nëse nuk është bërë ankim, ndërsa Gjykata e Apelit në rastin konkret jo vetëm ia mohon të drejtën e ankimit të veçantë palës Kërkuese Komisioni i Posaçëm i Rithemelimit, por arrin edhe në konkluzione se Gjykata e Apelit ka kompetencë të shprehet vetëm në lidhje me themelin e çështjes referuar shkaqeve të ankimit tashmë të pranuar nga gjykata e shkallës së parë. Sipas Gjykatës së Apelit, edhe në rastet kur ka shkaqe papranueshmërie të kërkesës, Gjykata duhet të disponohet duke i’u futur themelit, gjë e cila nuk është ajo çfarë ka parashikuar legjislatori në kuptim të procedurave të shqyrtimit të çështjes në Gjykatë të Apelit.

● Një qasje e tillë e gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është në shkelje të parimit të ligjshmërisë, të parimit të ankimit ndaj një vendimi gjyqësor si dhe të paanshmërisë.

● Gjykata e Apelit ka legjitimuar ankuesin deputetin Alibeaj në kundërshtim me ligjin, duke u shprehur në lidhje me pranueshmërinë e ankimit.

● Gjykata e Apelit ka legjitimuar subjektin Partia Demokratike për ankimin e regjistrimit të ndryshimeve statutore dhe depozitimit të akteve të Kuvendit Kombëtar datë 11.12.2021.

● Gjykata e Apelit ka gabuar rëndë në vendimin objekt shqyrtimi, pasi ajo ka marrrë përsipër të gjykojë vullnetin e anëtarësisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë sa i takon funksionimit dhe riorganizimit të saj. Anëtarësia e ka vendosur të ardhmen e PDSH-së, dhe në asnjë rast Gjykata nuk mund të bëhet barrierë në shprehjen e vullnetit të shumicës të një partie. Pra, gjykata nuk mund të ndërhyjë në jetën e brendshme të një partie duke u përpjekur të imponojë vullnetin e një pakice brenda partisë, të cilës ka vendosur t’i japë mundësinë e përfaqësimit të saj karshi të tretëve. Një gjë e tillë është në kundërshtim me parimet kushtetuese, referuar nenit 9 të Kushtetutës.

● Gjykata e Apelit, duke e konsideruar se subjekti ankues PDSH i përfaqësuar nga deputeti Alibeaj është i njëjtë me subjektin kërkues PDSH e përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, ka ndërhyrë drejtpërdrejtë në lirinë e partisë politike sa i takon organizimit dhe funksionimit të saj.

● Ligji shqiptar “Për Partitë Politike” është konceptuar dhe hartuar në mënyrë të tillë që t’i lërë sa më pak hapësirë për gjykim gjyqtarit të vetëm në momentin e regjistrimit të OJF-së. Me fjalë të tjera qëllimi i legjislatorit ka qenë që ky proces të jetë sa më automatik dhe të karakterizohet nga një prezumim i fortë në favor të regjistrimit. Këtij qëllimi i shërbejnë numërimi në mënyrë ezauruse i kërkesave që duhet të plotësojë dhe i procedurave që duhet të ndjekë një OJF për t’u regjistruar.

● Aq i fortë është prezumimi në favor të regjistrimit saqë roli i gjykatës në këtë proces konceptohet si një rol thjesht verifikues i ngjashëm me atë të noterit publik. Për ta thënë ndryshe, gjyqtarit të vetëm në procesin e regjistrimit i takon të verifikojë nëse lloji dhe qëllimi i organizatës janë shprehur qartë në dokumentet themelues, nëse është përcaktuar organizimi i brendshëm e kështu me radhë.

● Sa i takon të drejtës së ankimit nga të tretë të interesuar kundër vendimit që pranon regjistrimin, në këtë rast këto subjekte do të jenë të mbrojtura nga gjykata civile e zakonshme, në një proces të veçantë përmes një padie me objekt të përcaktuar qartë referuar juridiksionit kontecioz.

● Gjykata ka dështuar të identifikojë se subjektin kërkues dhe legjitimimin e përfaqësuesve të tij. Në një interpretim sistematik të dispozitave 9, 10 dhe 14 të ligjit të posaçëm “Për Partitë Politike”, veprimtaria e brendshme organizative e partive politike nuk kushtëzohet nga miratimi dhe regjistrimi gjyqësor, por ky i fundit nevojitet detyrimisht për certifikimin e ligjshmërisë në këto procese dhe legjitimimin ndaj të tretëve.

● Gjykata e Apelit do të duhej të kontrollonte legjitimimin e kërkuesit dhe përfaqësuesit të saj Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, i cili rezulton i tillë në aspektin paraprak formal të paraqitjes së kërkesës dhe vënies në lëvizje të gjykatës si organ i zgjedhur dhe emëruar nga Kuvendi Kombëtar i PDSH-së. Ndërsa legjitimimi substancial do të ishte pjesë e gjykimit të themelit të çështjes, gjë të cilën Gjykata e Apelit ka dështuar ta bëjë, pasi nuk ka pasur vullnet dhe duket haptazi që ka qenë e anshme, duke shkelur parimin e barazisë në dhe përpara ligjit.

● Në rastin konkret gjykata e apelit mund dhe duhet të verifikonte eskluzivisht nëse ankimi është paraqitur nga i njëjti organ përfaqësues i Partisë Demokratike që ka vendosur në lëvizje gjykatën dhe ka disponuar të drejta me Vendimin nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili është Komisioni i Rithemelimit

● Deputeti Alibeaj nuk ka pasur legjitimim procedural në përfaqësimin e ankuesit PDSH në gjykim dhe në paraqitjen dhe nënshkrimin e aktit ‘Ankim’

● Veprimtaria e brendshme organizative e partive politike nuk kushtëzohet nga miratimi dhe regjistrimi gjyqësor, por kjo nevojitet në vijim për çertifikimin e ligjshmërisë në këto procese dhe legjitimimin ndaj të tretëve. Pikërisht në vijim ky proces është penguar nga vetë Gjykata e Apelit, e cila jo vetëm që ka kapërcyer çdo afat kohor të shqyrtimit të çështjes si rezultat i zvarritjeve nga vetë pala ankuese, duke paraqitur shkaqe nga më të ndryshmet të shtyrjes, por edhe vetë deformomimit të natyrës së procesit të regjistrimit të ndryshimeve organizative dhe statutore nga vetë Gjykata e Apelit.

● Është e paprecedentë që Gjykata të përcaktojë kryetarin e partisë politike, apo të mos lejojë që të regjistrohet vullneti i shprehur në organet më të larta drejtuese të një partie politike. Si rezultat i kësaj, sot shumica e anëtarësisë së PDSH-së ngelet e përfaqësuar në zgjedhjet vendore përmes subjektit politik PDSH me kryetar të njohur nga gjykata Lulzim Basha, por që në fletën e votimit është Enkelejd Alibeaj sipas vendimit nr.27, datë 16.03.2023 të KAS të lënë në fuqi nga Kolegji Zgjedhor.

● Dorëheqja e Kryetarit të PDSH sipas statutit të kësaj të fundit nuk ratifikohet dhe as aprovohet nga asnjë forum partiak apo gjyqësor. Ajo thjesht pranohet si e tillë me anë të deklarimit të saj publik nga ana e Kryetarit (ashtu si ka ndodhur në rastin konkret) dhe pas shpalljes publike të dorëheqjes aktivizohen mekanizmat e tjerë statutorë për zëvendësimin e tij të përkohshëm nëpërmjet një përzgjedhje Kryetari ad interim nga Këshilli Kombëtar deri në zgjedhjen e Kryetarit të Ri nga anëtarësia sipas parimit statutor “një anëtar, një votë” (neni 46/pika 4 e Statutit të PDSH).

● Në asnjë pikë të Statutit të PDSH nuk përmendet ndonjë akt në lidhje me dorëheqjen dhe as mund të pretendohet diçka e tillë, pasi nga pikëpamja e funksionimit të partive politike, akti i dorëheqjes është një akt tërësisht politik, i cili asnjëherë nuk ratifikohet por vetëm deklarohet. Dhe në fakt vetë nocioni i faktit të njohur botërisht, prezupozon (për nga vetë përkufizimi) një fakt për të cilin merret dijeni dhe konsiderohet i mirëqenë nga një seri faktesh publike. Një deklaratë publike e shqiptuar nga vetë personi në lidhje me fakte që lidhen me të, përbëjnë shprehje të plotë vullneti dhe “fakt botërisht të njohur” par excellence..

● Vetëm Gjykata e Apelit, në mënyrë krejt origjinale dhe në sfidim të logjikës më të thjeshtë politike dhe juridike refuzon t’a njohë këtë fakt dhe vendos si kriter për njohjen e dorëheqjes publike, ratifikimin e saj nga ana e Gjykatës, konkluzion i cili përbën një precedent jashtëzakonisht të dëmshëm për demokracinë dhe një rrezik të prekshëm për futjen e subjekteve politike në një rreth vicioz të pushimit të funksionimit të organeve të partisë jashtë vullnetit të Kryetarit.

● Argumenti i Gjykatës së Apelit se për sa kohë Z.Basha rezulton kryetar në regjistër, vetëm ky i fundit mund të ushtrojë kompetenca për t’iu drejtuar gjykatës, praktikisht çimenton pushtetin e përjetshëm të kryetarit në detyrë, i cili mund të largohet nga funksioni vetëm me vullnetin e tij (të manifestuar me një kërkesë drejtuar gjykatës) dhe asnjëherë si rrjedhojë e ushtrimit të kompetencave nga organet e tjera partiake apo e dorëheqjes së tij, nëse nuk dakordëson për t’i regjistruar këto të fundit formalisht në gjykatë.

● Është shumë domethënës dhe kuptimplotë në këtë kontekst qëndrimi i KAS, i cili është një organ quasi gjyqësor ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm nga Gjykata e Apelit sa i takon Kryetarit të Partisë Demokratike. Ky qëndrim është konfirmuar në vijim edhe nga Kolegji Zgjedhor. Sa i takon vërtetimit të lëshuar nga Gjykata, KAS argumenton se ai vërtetim ka vlerë vetëm për të identifikuar subjektin kërkues dhe për të verifikuar nëse ai ka zotësi për të vepruar (shiko Vendim nr. 27, dt.16.03.2023 i KAS, pika 4, fq. 6).

● Gjykata ka bërë një interpretim të neneve 92 dhe 96/c të KPC së bashku me nenin 14 të ligjit “Për Partitë Politike”, por në fakt ajo që duhet theksuar në këtë rast është se Kryetari Basha është shkarkuar në Kuvendin Kombëtar dhe më pas i dorëhequr në datë 21.03.2022. Vetë KAS në argumentimin e tij ka pranuar se vërtetimi i Gjykatës që përcakton si Kryetar Lulzim Bashën nuk është ‘provë mbret’ dhe jo një akt me fuqi të plotë provuese sikur pretendon Gjykata e Apelit.

● Deputeti Alibeaj ka përdorur një autorizim të datës 15.09.2021 të lëshuar nga z.Lulzim Basha, i cili në kushtet që Kuvendi Kombëtar kishte shkarkuar z.Basha, dhe më pas i dorëhequr ky publikisht, e bën të pavlefshëm këtë autorizim.

● Kjo në një farë mënyre është pranuar dhe nga subjekti ankues përsa kohë ka kërkuar të merrte një pozitë procedurale të personit të tretë në proces referuar nenit 193 të KPC. Nëse subjekti ankues, deputeti Alibeaj i pajisur me një autorizim nga ish-Kryetari i PDSH Basha, do të pretendonte të ishte përfaqësues i PDSH, nuk kishte nevojë të kërkonte të thirrej në pozitën e personit të tretë në proces në kushtet që po gjykohej një vërtetim fakti sikur e mendon subjekti ankimues gjykimin për regjistrimin e ndryshimeve të PDSH-së.

● Gjykata e Apelit është shprehur në lidhje me pranueshmërinë e ankimit të paraqitur nga deputeti Alibeaj, në kundërshtim me ligjin.

● Gjykata e Apelit nuk ka analizuar shkaqet e tjera të ngritura nga deputeti Alibeaj sikur thirrja e personit të tretë në gjykim, e cila përbënte një nga shkaqet kryesore të bazueshmërisë së kërkesës së tij.

● Gjykata e Apelit ka shkelur ligjin material, procedural dhe parimet bazë të procesit gjyqësor sa i takon themelit të kërkimit nga pala ankuese.

● Gjykata e Apelit ka pranuar parashtresa shtesë të palës ankuese në datë 28.02.2023, të cilat përmbajnë shkaqe shtesë të ankimit të paraqitur në Gjykatë me prezantimin e kërkesës ankimore të disponuar dhe nga ana e gjykatës së shkallës së parë.

● Sipas nenit 459 të KPC, kur kërkimet dhe pretendimet e papranuara nga Gjykata e shkallës së parë nuk përsëriten në ankim konsiderohet se është hequr dorë prej tyre.

● Sipas nenit 465/1 të KPC Gjykata e Apelit shqyrton cështjen brenda kufijve të ankimit.

● Sipas nenit 465/4 në gjykimin në Apel nuk mund të bëhen kërkesa të tjera rishtazi.

● Në këtë rast Gjykata duhej të ishte shprehur në lidhje me shkaqet e reja të cilat përmbahen në parashtresë dhe si të tilla ato duhej të ishin konsideruar të papranueshme.

● Gjykata e Apelit nuk është shprehur në lidhje me të gjitha shkaqet e ankimit të ngritura nga ankuesi deputeti Alibeaj dhe të debatura në seancë gjyqësore.

● Gjykata e Apelit ka tejkaluar kompetencat e saj, duke u shprehur për një shkak të paraqitur rishtazhi sikur cenimi i parimit të paanshmërisë dhe nuk ka treguar referimin në dokumentacionin e administruar të cilit i referohet.

● Gjykata e Apelit në kundërshtim me ligjin ka konsideruar shkelje revokimin e vendimit në lidhje me pezullimin e e gjykimit pa ekzistuar ende kushtet ligjore për vazhdimin e gjykimit.

● Gjykata e Apelit, pavarësisht se nuk e ka konsideruar shkak të pavlefshmërisë së vendimit të shkallës së parë revokimin e vendimit të pezullimit të gjykimit nga gjyqtari Zhukri, ka konsideruar shkelje pikërisht këtë veprim procedural, duke pretenduar se duhej të ishte bërë arsyetimi i vendimit të regjistrimit të ndryshimeve statutore të Korrik 2021, të kishin marrë formë të prerë dhe të ishin pasqyruar në regjistrin e partive politike.

● Gjykata e Apelit në kundërshtim me ligjin ka kthyer çështjen për rigjykim mbi bazë të ankimit të një subjekti procedural që nuk duhej të legjitimohej, duke bërë palë në proces një subjekt të ndryshëm nga ai që ishte palë në shkallë të parë të gjykimit.

● Gjykata e Apelit njeh Kryetarin e Partisë, por edhe Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit, të cilët në shkallë të parë duhet të qartësojnë pozicionet procedurale të tyre, përsa kohë ky i fundit ka marrë vendime edhe në lidhje me drejtuesin e PDSH. Madje, Gjykata e Apelit ka lënë detyra për gjykatën e shkallës së parë, ku të verifikojë sërish të dhënat e përditësuara në lidhje me vijimin e përfaqësimit të subjektit politik nga kryetari i partisë, personin i tillë i shënuar ne regjistër, si dhe ndryshimet e fundit statutore të regjistruara në të për këtë subjekt politik.

● Me këtë vendimmarrje, Gjykate Apelit ka krijuar një precedent sipas të cilit një subjekt procedural i cili nuk ka qenë palë në një proces në shkallë të parë, legjitimohet të bëjë ankim duke i prezumuar se bëhet fjalë për të njëjtën palë në gjykim, kur ndërkohë dukshëm është komplet ndryshe.

● Përfundimisht kërkojmë prej Gjykatës së Lartë: Prishjen e Vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm; Deklarimin si të papranueshëm të Ankimit paraqitur nga Deputeti Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Lënien në fuqi të vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

19. Mbi rekursin e paraqitur nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, ka ushtruar të drejtën e kundër-rekursit, Partia Demokratike përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj (në këtë kërkese nga Av. Rezart Kthupi), i cili, ka evidentuar këto shkaqe:

● Fillimisht kërkojmë të sqarojmë para gjykatës se pala rekursuese gëzon personalitet juridik e për pasojë edhe legjitimitet aktiv për të ushtruar të drejtën e rekursit.

● Nisur nga rregullimet statusore rezulton se jemi para kushteve që rekursi është paraqitur nga një subjekt i cili nuk gëzon personalitet juridik, kërkesë e cila është e domosdoshme për të ushtruar të drejtat procedurale në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor. Grupi i individëve që ka investuar gjykatën nuk gëzon personalitet juridik për të vënë në lëvizje gjykatën.

Kërkesa e paraqitur para gjykatës së shkallës së parë nuk është paraqitur nga Partia Demokratike, por nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit i përfaqësuar nga Av.Ivi Kaso.

● Gjykata ka gabuar përsa i takon legjitimimit të Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit në këtë proces gjyqësor, arsyetim i cili vjen ndesh me parashikimet e nenet 176 të KPC.

Gjykata përpara se të legjitimonte Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit, ka pasur për detyrë që të vlerësonte procedurën e mbledhjes së Këshillit kombëtar; mbledhjen punimet dhe vendimmarrjet e Kuvendit Kombëtar, bazën statusore mbi të cilin është propozuar dhe më pas është ngritur Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit; tagrat vendimmarrëse të Kuvendit Kombëtar në zbatim të dispozitave të statutit të miratuar më 17 Korrik 2021, apo dispozitave të statutit që pretendohet se është miratuar në 11 Dhjetor 2021; momentin hyrjes në fuqi të të statutit të miratuar në 11 Dhjetor 2021.

● Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit është formuar mbi bazën e një vendimi të marrë nga një organ që nuk është formuar sipas parashikimeve të statusore.

● Referuar dispozitave statusore të 17 Korrikut dhe 11 Dhjetorit rezulton se Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit është një organ kolegjial që parashikohet në nenit 64 dhe 65 të Statutit të miratuar më datë 11 Dhjetor 2021. Ky organ nuk ka ekzistuar më parë në strukturën statusore dhe organike të Partisë Demokratike. Si pasojë legjitimiteti i këtij organi mund të pranohet vetëm pasi të shqyrtohet ligjshmëria e vendimit nr.1 të Kuvendit Kombëtar të datës 11 Dhjetor 2021 dhe jo përpara fillimit të shqyrtimit gjyqësor sikurse është bërë nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 3, datë 25.03.2022.

● Në lidhje me shkaqet e ngritura në rekurs, si dhe referuar kërkesave që parashikon neni 472 i KPC, rezulton se asnjë prej kërkesave të këtij neni nuk plotësohet në rastin objekt shqyrtimi.

● Në tërësi shkaqet e ngritura në ankim i referohen interpretimit të gabuar të ligjit material dhe procedural. Pavarësisht referencave të dhëna, asnjë nga kërkesat për interpretim të ligjit nuk rezulton që të pretendohet se është i një rëndësie të tillë themelore që të kërkojë njësimin e sigurisë juridike ose zhvillimin e praktikës gjyqësore. Asnjë nga shkaqet e ngritura në rekurs, nuk referon në një vendim të ndryshëm të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë apo Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

● Nga ana e palës kërkuese nuk është pretenduar pavlefshmëria e procedurës së gjykimit apo vendimit të Gjykatës së Apelit, e ardhur si pasojë e shkeljes së rëndë të normave procedurale në gjykim.

● Pretendimet e ngritura në rekurs janë të njëjta me ato të paraqitura në shqyrtimin gjyqësor të zhvilluar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

● Nuk qëndron pretendimi i ngritur në rekurs, se Gjykata e Apelit nuk e ka bërë pjesë të shqyrtimit të saj gjyqësor të ankimit të paraqitur ndaj vendimit nr.508, datë 22.04.2022 mbi disponim ankimi. Gjykata e Apelit i ka dedikuar një pjesë të posaçme në vendimin objekt shqyrtimi, pretendimeve dhe dhënies përgjigje të kërkesave të parashtruara nga pala kërkuese në lidhje me këtë kërkesë ankimore.

● Pretendimi i palës rekursuese se “disponimi nga Gjykata e Apelit në lidhje me ankimin kundër vendimit nr.508, datë 22.04.2002 sa i takon disponimit të ankimit nga deputeti Enkelejd Alibeaj është në shkelje të rregullave procedurale dhe parimeve kushtetuese”, është një pretendim që nuk bazohet në asnjë dispozitë ligjore, por i është referuar parimeve procedurale dhe kushtetuese.

● Pretendimet e palës rekursuese për shkelje të parimit të barazisë para ligjit janë të pabazuara, pasi në rastin krahasimor të rehatuar në rekurs jemi para dy vendimeve të ndryshme gjyqësore (njëri i ankimueshëm dhe njëri i paankimueshëm). Ligjvënësi e ka parashikuar shprehimisht se lejohet ankim ndaj vendimit që vendos përfundimisht “Mospranimin e ankimit”, ndërsa nuk lejon ankim ndaj vendimit të gjykatës që vendosur “pranimin e ankimit”.

● Mospranimi i ankimit përbën disponim me natyrë përfundimtare dhe vendos kufizim të të drejtës së ankimit, ndaj ligjvënësi ka pranuar faktin e lejimit të ankimit të këtij vendimi në një shkallë më të lartë gjykimi. Ndërsa disponimi i gjykatës me “lejim ankimi”, nuk vë kufizime të të drejtës, pasi i hapet rrugë gjykatës që të kontrollojë në një shkallë më të lartë gjykimi edhe vendimmarrjen në lidhje me pranueshmërinë e ankimit në përpurthje me përcaktimet e nenit 450/1 të KPC.

● As pretendimi i ngritur nga pala rekursuese se gjykata ka gabuar kur ka legjitimuar deputetin Enkelejd Alibeaj duke pranuar ankimin e paraqitur prej tij. Në këtë rast, ankimi i paraqitur nuk mund ti referohet individit Enkelejd Alibeaj, por i referohet subjektit juridik Partia Demokratike e përfaqësuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj.

● Subjekti i së drejtës në emër të të cilit është zhvilluar gjykimi në shkallë të parë dhe është dhënë vendimi nr.3, datë 25.03.2022 është personi juridik “Partia Demokratike e Shqipërisë”. Është pikërisht ky subjekt, ndaj të cilit synon të sjellë efekte juridike dhe fuqi ligjore vendimi i disponuar nga gjykata e shkallës së parë. Në rastin objekt shqyrtimi, flitet për të njëjtin subjekt juridik, i cili njëherë merr pozitën e “Kërkuesit” dhe një herë pozitën e “ankuesit” brenda të njëjtit proces gjyqësor.

● Përfundimi i gjykatës së apelit në lidhje me të drejtën e përfaqësimit të subjektit juridik e për pasojë, në lidhje me pranueshmërinë e ankimit, pranueshmëri e cila është parakushti për shqyrtimin e themelit të ankimit.

● Shkaqet e tjera të paraqitura në rekurs dhe që lidhen me pretendimet për arsyetim të gabuar të gjykatës në lidhje me pranueshmërinë e ankimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim, mbeten në suazën e pretendimeve të pabaza, të cilat nuk prodhojnë argumente juridike të qëndrueshëm që mund të cenojnë vendimin e gjykatës së apelit.

20. Më datë 24.11.2023, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, ka paraqitur, në Gjykatën e Lartë, parashtrime shtesë me shkrim duke paraqitur në mënyrë të përmbledhur këto argumente:

● Në ankimin e paraqitur ndaj vendimit nr. 25.03.2022 të gjyqtarit Zhukri, deputeti Enkelejd Alibeaj ka qenë i pajisur me autorizimin e datës 15.09.2021 të lëshuar nga Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë së asaj kohe, z.Lulzim Basha.

● Është fakt i njohur botërisht se z.Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen në datë 21.03.2022 (akt publik i transmetuar në atë kohë gjerësisht në mediat vendase dhe të huaja).

● Po ashtu, është fakt se z.Alibeaj ka depozituar ankimin në gjykatë në datë 04.04.2022, pra pas datës 21.03.2022, kohë në të cilën z.Basha është dorëhequr. Kësisoj autorizimi i lëshuar nga z. Basha në vitin 2021 përfundonte automatikisht efektet e tija ligjore në datë 21.03.2022, pikërisht në datën që ky i fundit ka dhënë dorëheqjen.

● Për sa më sipër, gjykata ka bërë interpretim të gabuar të ligjit, duke e konsideruar autorizimin e datës 15.09.2021 të lëshuar nga z.Basha të vlefshëm dhe të rregullt, në kohën kur z.Alibeaj ka dorëzuar ankimin në datën 04.04.2022. Pra ky autorizim nga pikëpamja e ligjit ka qenë nul.

Në rastin konkret jemi në kushtet kur dikush vepron i pajisur me prokurë nga një person, të cilit i ndërpriten automatikisht tagrat e përfaqësimit ditën kur personi që ka lëshuar prokurën ndërron jetë apo humb zotësinë për të vepruar.

● Megjithëse kjo çështje është argumentuar gjerësisht nga pala e interesuar, gjykata e apelit e ka bazuar qëndrimin e saj tek përcaktimet e nenit 92 të KC, sa i takon përfaqësimit të personave juridike, si dhe nenit 14 të Ligjit “Për partitë politike”, duke nënvizuar se kërkesa për ndryshime në regjistrimin e partive politike bëhet nga organi i partisë që ka në kompetencë përfaqësimin e saj ndaj të tretëve.

● Është i vërtetë fakti se sipas ligjit “Për partitë politike”, rezulton se të drejtën e kërkesave në gjykatë më objekt ndryshimet statutore e ka kryetari i partisë, që në rastin konkret sipas vërtetimit të datës 06.04.2022 të Zyrës së Regjistrit të Partive Politike ka qenë z.Lulzim Basha. Por ndonëse z.Basha rezultonte i regjistruar si kryetar i Partisë Demokratike, ai ishte jo vetëm një kryetar i shkarkuar në Kuvendin Kombëtar të PD të datës 11.12.2021, por më pas edhe ishte dorëhequr vetë pas humbjes së zgjedhjeve lokale të datës 6 Mars 2022.

● Ndryshe nga qëndrimi që ka mbajtur Gjykata e Apelit, KQZ dhe KAS, konfirmuar ky qëndrim i tyre edhe nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, është arritur në përfundimin se autorizimi i Lulzim Bashës para dorëheqjes së tij publike nuk kishte më vlerë juridike pas datës 21.03.2022, duke e regjistruar PDSH në zgjedhje vetëm pasi kërkesën për regjistrim e ribëri nga e para z. Alibeaj me nënshkrimin e tij personal (pa autorizim). Madje për herë të parë në historinë e procesit zgjedhor, një parti politike u shënua jo me emër të kryetarit, por me emër të nënkryetarit. Pra në këtë mënyrë, të gjithë organet zgjedhore KQZ, KAS dhe Kolegji Zgjedhor Gjyqësor nuk mbajtën parasysh regjistrimin e pasqyruar në regjistrin e partive politike, por mbajtën në konsideratë elementin e faktit të dorëheqjes së z. Basha.

Në kundërshtim me këtë qëndrim, i cili, konfirmuar edhe nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor që është gjykatë, gjykata e apelit ka injoruar tërësisht aktin e heqjes dorë të z.Basha dhe ka legjitimuar në shkelje të rëndë të ligjit, subjektin ankues mbi bazën e nënshkrimit të z.Alibeaj, duke legjitimuar dhe duke i dhënë vlerë një autorizimi nul dhe pa asnjë vlerë ligjore.

● Në kushtet kur për të njëjtën situatë dhe të njëjtin fakti juridik (dorëheqjen e z.Basha), kemi aktualisht dy qëndrime kontradiktore edhe të gjykatave të vendit, kërkojmë që Gjykata e Lartë të analizojë me kujdes dhe vëmendje këtë rast, sepse kjo mund të shërbejë si një precedent tepër i rrezikshëm në çdo çështje, civile apo administrative në të ardhmen.

II. Vlerësimi i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.

21. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji) vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile (në vijim KPC), të cilat, e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm (me poshtë do të citohet Gjykata e Apelit).

22. Kolegji çmon të theksojë se vendimi i dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit, është rrjedhojë e moskuptimit dhe mosidentifikimit të qartë të natyrës së mosmarrëveshjes, ndërkohë që gjykimi i zhvilluar për shqyrtimin e saj, është rrjedhojë e moskryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm të çështjes, si dhe i interpretimit të gabuar të normave të ligjit procedural. Gjithashtu, Kolegji vlerëson se arsyetimi i vendimit nga Gjykata e Apelit nuk plotëson standardet e arsyetimit të një vendimi gjyqësor, të përcaktuara tashmë nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

23. Nga shqyrtimi që i bëhet përmbajtjes së vendimeve të dhëna nga dy gjykatat më të ulëta, fakteve dhe rrethanave të pranuara nga këto dy gjykata, si dhe akteve dokumentare të administruara në dosjen gjyqesore, rezulton se objekt i këtij gjykimi, është kërkesa e paraqitur nga subjekti politik, Partia Demokratike e Shqipërisë (më poshtë do të referohet si PDSH) përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, për të regjistruar aktet e prodhuara nga Kuvendi Kombëtar i këtij subjekti juridik në datën 11.12.2021, kërkim i cili gjen bazueshmëri në nenin 9 dhe 14 të Ligjit nr.8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar.

Gjithashtu, ka rezultuar i provuar fakti se, çështja është ankimuar dhe ka vijuar të shqyrtohet në shkallën e dytë të gjykimit, mbi bazën e ankimit të paraqitur nga subjekti juridik PDSH, përfaqësuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj sipas autorizimit të lëshuar nga Kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha, kundër vendimit nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

24. Në analizë të dispozitave ligjore të mësipërme, por edhe përgjithësisht të të gjitha dispozitave ligjore të këtij ligji të marra në mënyrë harmonike mes tyre, konstatohet se ligjvënësi kur ka përcaktuar kontrollin gjyqësor për të verifikuar krijimin e një partie politike si subjekt i së drejtës (person juridik), apo edhe aktet e prodhuara prej organeve të tij me efekt pasqyrimin e tyre në regjistrin përkatës, nuk ka pasur si qëllim që nëprmjet kontrollit gjyqësor të cënojë lirinë e organizimit të brendshëm të anëtarësisë dhe mënyrën e strukturimit të organizimit të tyre (e drejta për tu organizuar dhe tubuar, e cila garantohet tek neni 11 i KEDNJ, si dhe neni 46 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë). Me parashikimet e këtij ligji, ligjvënësi ka pasur si qëllim kryesor që krijimi i partive politike dhe aktet e miratuara nga organet e tyre ti nënshtrohen kontrollit gjyqësor me qëllim ruajtjen dhe garantimin e rendit publik (neni 6), ruajtjen e parimeve themelore të një shteti demokratik dhe ligjor (neni 3 dhe 4), paqen sociale (neni 7), si dhe vlerat kushtetuese dhe të drejtat dhe liritë e njeriut (neni 8). Pra, gjykata në kontrollin gjyqësor të këtyre çështjeve, jep përgjigje dhe vlerëson ngushtësisht çështjet me natyrë juridike, duke vlerësuar përputhshmërinë e akteve të paraqitura me përcaktimet e kuadrit ligjor në fuqi, duke garantuar respektimin e parimeve të rendit juridik dhe ligjor, i quajtur ndryshe në jurisprudencën si proces homologimi.

25. Gjithashtu, kontrolli gjyqësor ndaj akteve të krijuara nga organet drejtuese të subjekteve politike, është përcaktuar në ligj pikërisht edhe për faktin që të garantohet se këto akte dhe vullnete të shprehura nga organet e subjekteve politike të jenë në përputhje me ligjin, si dhe aktet statutore të këtyre subjekteve, me qëllim garantimin e mirëfunksionimin e tyre dhe mos lejimit të krijimit të precedentëve negativë, të cilët mund të sjellin ndikime negative në jetën publike. Partitë politike janë subjekte që kanë interes publik dhe ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në jetën publike, shtetërore, institucionale të një vendi. Nëpërmjet formës së organizimit dhe veprimtarisë së tyre sipas parimeve demokratike, këto subjekte ndikojnë në zhvillimin e të drejtave politike, sociale, ekonomike por edhe ligjore, pasi nëpërmjet veprimtarisë së tyre ata luajnë një rol thelbësor dhe aktiv në zhvillimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të këtyre të drejtave, si dhe nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje, përfaqësojnë popullin në organet e zgjedhura të pushtetit.

26. Për Kolegjin, është i rëndësishëm që të theksohet fakti se, në asnjë moment gjykata në shqyrtimin e këtyre çështjeve nuk shtrin fokusin dhe shqyrtimin gjyqësor në përcaktimin dhe vlerësimin çështjeve që kanë (i) karakter politik apo organizativ të këtyre subjekteve, të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me shprehjen e vullnetit të brendshëm të anëtarësisë apo organeve drejtuese të tyre, (ii) mënyrës se si duan të organizohen apo të drejtohen këto subjekte brenda, lirisë së tyre të brendshme për tu organizuar dhe ridimensionuar në përputhje me kuadrin e brendshëm rregullator dhe organizativ të tyre. E thënë ndryshe, Kolegji vlerëson se nuk është detyrë e gjykatës që të përcaktojë se cilat do të jenë organet drejtuese të një subjekti politik, se si duhet të organizohen ato, apo të kontrollojnë shprehjen e vullnetit të anëtarësisë për të shkarkuar organet drejtuese dhe për të zgjedhur organe të reja.

27. Në këtë procedurë kontrolli gjyqësor (homologimi), gjykata ka detyrimin ligjor që të fokusojë dhe kushtëzojë vlerësimin e saj në kontrollin e ligjshmërisë të: (i) procedurave të ndjekura për thirrjen e mbledhjes së organeve vendimarrëse të partisë, kuvendit kombëtar, kryesisë apo organeve të tjera drejtuese me të drejtë vote dhe vendimmarrëse; (ii) vlefshmërinë e njoftimeve të kryera për mbledhjen e këtyre forumeve; (iii) përcaktimin dhe verifikimin e kuorumit të nevojshëm për të mbledhur forumet dhe organet drejtuesë të subjektit politik, si dhe për të marrë vendimet përkatëse; si dhe (vi) kontrollin e përputhshmërisë e realizimit të të gjitha këtyre procedurave me ligjin specifik, përcaktimet e statutit të subjektit juridik dhe akteve rregullatore të brendshme, me qëllim përcaktimin e vlefshmërisë së akteve të nxjerra nga këto procedura vendimmarëse nga pikëpamja e ligjit dhe pasqyrimin e tyre në regjistrin përkatës të partive politike.

28. Në nenin 9 të Ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, është parashikuar shprehimisht se: “Regjistrimi i partive politike bëhet në gjykatën e shkallës së parë të rrethit të Tiranës, e cila mban regjistrin e partive politike. Në regjistrin e partive politike shënohet numri rendor i regjistrit, numri i aktit, numri i vendimit gjyqësor, data e shpalljes, dispozitivi i vendimit, emri i plotë i partisë, inicialet e partisë, stema e partisë, përshkrimi i konfiguracionit të vulës, emri i kryetarit, numri i anëtarëve themelues shënime për ndryshimin e emrit, konfiguracione të vulës ose të kryetarit të partisë, fshirjes apo mbarimit të veprimtarisë së subjektit, data e bërjes së shënimit, emri, si dhe nënshkrimi i nëpunësit kompetent. Partia politike njihet si person juridik që nga data kur gjykata ta ketë miratuar dhe regjistruar atë. Deri në datën e regjistrimit, themeluesit e partisë mund të kryejnë veprime që janë të nevojshme për organizimin e saj, siç janë, sidomos, thirrja e zhvillimi i mbledhjes së themeluesve dhe zgjedhja e organeve drejtuese, por nuk mund të kryejnë veprimtari si parti politike”.

Në nenin 10, paragrafi i parë i po këtij ligji, përcaktohet qartësisht se: “Pasi mbledhja e anëtarëve themelues të partisë politike të ketë miratuar dokumentet e partisë, programin, statutin, si dhe organet drejtuese të saj, duhet të paraqitet në gjykatë kërkesa për regjistrimin e saj. Partia politike regjistrohet me kërkesë të nënshkruar nga jo më pak se 3000 anëtarë themelues. Kërkesa për regjistrimin e një partie politike depozitohet në sekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor, Tiranë dhe duhet të përmbajë, për çdo anëtar themelues: a) emrin dhe mbiemrin; b) numrin personal; 3 c) vendbanimin. Në vendimin e regjistrimit të partisë politike, gjykata tregon edhe numrin e anëtarëve themelues…”.

Në nenin 13 të të njëjtit ligj, është parashikuar shprehimisht se: “Regjistrimi i partisë politike bëhet brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për regjistrim dhe të dokumenteve të parashikuara në nenin 10 dhe 11 të këtij ligji. Në rastin kur dokumentet e partive politike nuk janë të rregullta, gjykata, brenda 20 ditëve e kthen kërkesën për të bërë plotësimet përkatëse.

29. Sipas përcaktimeve të dispozitave ligjore të mësipërme, si dhe rregullave të sanksionuara në Kodin e Procedurës Civile (më poshtë do të citohet KPC), i cili, është ligji procedural bazë që aplikohet nga gjykata në shqyrtimin e këtyre lloj çështjeve, gjykata investohet nga subjeti juridik, partia politike, nëpërmjet paraqitjes së kërkesës, sëbashku me të gjitha aktet shkresore mbështetëse që provojnë procedurat e kryera dhe vendimet e marra, të cilat kërkohet që të pasqyrohen në regjistrin përkatës të partive politike. Në këtë rast, gjykata ndjek një natyrë të posaçme gjykimi, i ashtuquajtur gjykim gracioz (jurisdictio inter volentes), duke e shqyrtuar kërkesën e paraqitur në dhomë këshillimi mbi bazë aktesh (kartolar). Në gjykimin e posaçëm gracioz, gjykata zhvillon një gjykim në të cilin, nuk ekziston konflikti mes palëve kundërshtare, por për shkak të natyrës së çështjes apo cilësive të kërkuesit të parashikuara nga ligji, gjykata vlerëson thjesht përputhshmërinë e akteve, veprimeve juridike apo fakteve me qëllim që tu japi atyre efekte juridike (sikurse është rasti objekt shqyrtimi, me të cilin është kërkuar regjistrimi i ndryshimeve statutore në regjistrin e partive politike).

30. Gjykata, nisur nga natyra që ka kontrolli gjyqësor në këto lloj çështjesh, investohet me kërkesë dhe jo me kërkesë padi, pasi në këtë rast, nuk synohet që të kryhet një gjykim themeli mes palëve kundërshtare, por vetëm vlerësohen mbi bazë aktesh, procedurat e ndjekura dhe përputhshmëria e vendimeve të marra me kuadrin ligjor në fuqi (ligji specifik, statuti i partisë, akte të ndryshme rregullatore apo edhe me ligj të tjera të cilat mund të gjejnë zbatim), me efekt regjistrimin e tyre në regjistrin përkatës të partive politike. Kjo duket qartësisht nga përmbajtja e nenit 10 të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, si dhe në nenin 11 të po këtij ligji, në të cilin pasqyrohet se: “Në dokumentet për regjistrimin e partisë politike, përcaktohen: a) emërtimi dhe selia e partisë; b) qëllimet dhe detyrat e saj; c) organet udhëheqëse dhe ndërtimi i partisë; ç) burimet fillestare të financimit dhe numrin e anëtarëve themelues”

31. Gjithashtu, Kolegji çmon të theksojë faktin se, ligjvënësi ka përcaktuar në mënyrë të qartë se, të njëjtat rregulla ligjore të cilat përcaktohen për regjistrimin për së pari të një partie politike, ndiqen dhe janë njëlloj të vlefshme për ndryshimet dhe fshirjet në regjistrimet e mëparshme, në rastin kur organet apo forumet e partise politike bëjnë ndryshime statutore, ndryshojë, shfuqizojnë apo krijojnë rregulla të reja organizimi apo funksionimi, ndryshojnë emërtimet apo organet drejtuese të tyre. Ky qëndrim i Kolegjit, gjen pasqyrim të plotë tek përcaktimet e nenit 14 të ligjit nr. 8580/2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, në të cilin është parashikuar shprehimisht se: “Dispozitat e këtij ligji për regjistrimin e partive politike janë njëlloj të vlefshme për ndryshimet dhe fshirjet në regjistrimet e mëparshme. Kërkesa për ndryshime në regjistrin e partive politike bëhet nga organi i partisë që ka në kompetencë përfaqësimin e saj ndaj të tretëve”.

32. Në analizë të dispozitave ligjore të cituara si më sipër të ligjit nr.8580/2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, Kolegji thekson se është e rëndësishme që të mbahet në vëmendje fakti se, partitë politike përveçse janë subjekte poltike të cilat shfaqen si bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, të bindjeve e të pikëpamjeve ose të interesave të përbashkëta politike, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit, janë edhe subjekte juridike të së drejtës, të organizuar në formën e personit juridik. Si të tilla, partitë politike e fitojnë personalitetin e tyre juridik sipas përcaktimeve të ligjit të posaçëm, si dhe pasi gjykata ka miratuar dhe ka urdhëruar regjistrimin e tyre si persona juridik në regjistrin përkatës.

Konkluzioni i mësipërm, gjen mbështetje të plotë tek përcaktimet e nenit 9, paragrafi 2 dhe 3 i ligjit 8580/2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, në të cilin është përcaktuar qartësisht se partia politike njihet si person juridik që nga data kur gjykata ta ketë miratuar dhe regjistruar atë, si dhe tek neni 29 i Kodit Civil, në të cilin pasqyrohet shprehimisht se: “Personi juridik ka zotësi të fitojë të drejta dhe të marrë përsipër detyrime civile që nga çasti i krijimit të tij dhe, kur ligji parashikon se duhet të regjistrohet, që nga çasti i regjistrimit”.

33. Në vijim të sa më sipër, por edhe në citim të përmbajtjes së nenit 14 të ligjit 8580/2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, kërkesa për ndryshime në regjistrin e partive politike bëhet nga organi i partisë që ka në kompetencë përfaqësimin e saj ndaj të tretëve. Për këtë arsye, gjykata në shqyrtimin e kërkesës së paraqitur për regjistrimin e ndryshimeve statutore, si dhe akteve të miratuara nga organet apo forumet vendimmarrëse të partisë politike, fillimisht vlerëson nëse kërkesa plotëson parakushtet e saj procedurale, duke identifikuar nëse kjo kërkesë është paraqitur nga organi që përfaqëson subjektin juridik, në këtë rast partinë politike. Ky detyrim i gjykatës, për Kolegjin rrjedh jo vetëm nga përcaktimet e ligjit të posaçëm, por edhe nga përcaktimet e nenit 31 të Kodit Civil, në të cilin përcaktohet se: “Personi juridik vepron me anë të organeve të veta të parashikuara në ligj, në aktin e krijimit ose në statut, të cilët shprehin vullnetin e tij. Veprimet juridike të kryera nga organet e personit juridik, brenda kompetencave të tyre, quhen si të kryera nga vetë personi juridik”.

34. Është qëndrim i mbajtur në vijimësi se, në rastin kur padia apo kërkesa paraqitet nga një person që i mungon zotësia për të vepruar, nga organi që nuk përfaqëson subjektin juridik në lidhje me të tretët, ose ndaj një personi me pazotësi për të vepruar, gjykata (ose gjyqtari i vetëm), vendos mospranimin e gjykimit të padisë ose pushimin e gjykimit të padisë. Gjatë shqyrtimit gjyqësor të kërkesës apo të padisë që është paraqitur në përputhje me kërkesat ligjore, gjykata kur konstaton se pala që ka paraqitur aktin procedural i mungon zotësia për të vepruar (pra për të iniciuar dhe për të qëndruar në gjykim) ose padia i është drejtuar një personi që nuk ka zotësi për të vepruar, ka detyrimin që, përpara fillimit të shqyrtimit gjyqësor ti kthejë padinë/kërkesën për plotësim të të metave, duke vepruar sipas parashikimeve të neneve 154/a, dhe 158 të KPC. Ndërsa kur ky fakt konstatohet gjatë shqyrtimit gjyqësor, gjykata vepron sipas parashikimit të nenit 297/ç e 298 të KPC.

35. Kolegji, thekson se mungesa e zotësisë për të vepruar e njërës nga palëve përbën mungesë të një parakushti procedural, i cili, kërkon që gjykata të mos vijojë më tej gjykimin e çështjes, pasi mungesa e këtij parakushti procedural shkakton pavlefshmërinë e vet procesit. Në rastin kur gjykata e shkallës së parë merr në shqyrtim një padi ose kërkesë pa plotësuar një nga parakushtet procedurale të paraqitjes së saj, arrihet në përfundimin se nuk është zhvilluar një proces i rregullt ligjor, pasi në themel të saj nuk ka pasur kurrë një proces të vlefshëm gjyqësor. Për këtë arsye, nëse këto mangësi nuk konstatohen ose janë vlerësuar gabim nga gjykata e shkallës së parë, është detyrim i Gjykatës së Apelit që të identifikojë gabimet procedurale të lejuara nga gjykata e shkallës së parë dhe ti korrigjojë ato, duke vendosur prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes, me argumentin se gjykimi i kësaj çështje nuk mund të vazhdonte.

36. Duke iu rikthyer mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi, Kolegji konstaton se, referuar natyrës së mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi, si dhe përcaktimit të interesit të ligjshëm për t’ju drejtuar gjykatës dhe për të iniciuar këtë proces gjyqësor, me të drejtë Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se, palë e interesuar në këtë gjykim është personi juridik PDSH, i cili, tërheq të drejtat e ligjshme nga ky proces. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, Kolegji konstaton se kjo gjykatë nuk rezulton të ketë respektuar parimin e rëndësishëm procedural se gjykata shprehet për atë që i kërkohet dhe për aq sa i kërkohet (neni 6 i KPC). Në rastin konkret, gjykata e apelit nuk ka arritur në konkluzionin përfundimtar se kush është organi përfaqësues legjitim i subjektit juridik PDSH, i cili, ka të drejtë që ti drejtohet gjykatës për të bërë regjistrimin e akteve që kanë lidhje me ndryshimet statutore dhe organeve drejtuese të këtij subjekti, sipas përcaktimeve të nenit 9 dhe 14 të ligjit nr. 8580/2000, si dhe statutit të saj.

37. Nga aktet e administruara në dosje, por edhe fakteve të pranuara nga gjykatat më të ulëta, ka rezultuar se në datën 11.12.2021, Kuvendi Kombëtar i PDSH është mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme me kërkesën e ¼ të anëtarëve/delegatëve me të drejtë vote të këtij Kuvendi, në të cilin janë marrë disa vendime, që për nga natyra e tyre, duhet të pasqyrojnë reflektim në regjistrimin e partive politike, sipas përcaktimeve të nenit 13 dhe 14 të ligjit nr.8580/2000 “Për partitë politike” i ndryshuar. Komisioni i Rithemelimit, ka pretenduar në kërkesën me të cilën ka investuar gjykatën në këtë gjykim, se është një nga organet e krijuara në mbledhjen e këtij Kuvendi Kombëtar, si dhe organi që i janë njohur kompetencat e përfaqësimit të subjektit juridik PDSH. Për këtë arsye ky organ i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesën objekt shqyrtimi, që nëpërmjet një proces gjyqësor gracioz (pa palë kundërshtare), gjykata të vlerësojë aket dokumentare shkresore, sipas të cilave, jepen të dhëna për procedurën e ndjekur në mbledhjen e këtij kuvendi, njoftimet e kryera, kuorumi i kërkuar nga statuti i PDSH, si dhe vendimet e marra në këtë Kuvend.

38. Gjithashtu, rezulton i provuar fakti se çështja objekt shqyrtimi, është regjistruar dhe është marrë në shqyrtim nga Gjykata e Apelit, bazuar në ankimim e paraqitur nga PDSH, përfaqësuar nga Kryetari i saj, z.Lulzim Basha (i cili ka lëshuar autorizim përfaqësimi për deputetin Enkelejd Alibeaj) për kundërshtimin e vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pala ankuese ka pretenduar në ankim se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vepruar në kundërshtim me ligjin kur ka urdhëruar regjistrimin e akteve të dala nga Kuvendi Kombëtar i datës 11.12.2021, pasi ky Kuvend nuk përfaqëson vullnetin e subjektit juridik PDSH. Nga aktet e administruara në dosje, Kolegji konstaton se Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha, i cili pretendon se mbart të drejtat për të përfaqësuar PDSH tek të tretët, nuk rezulton që të ketë bërë kërkesë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për tu futur në këtë proces gjyqësor në formën e personit të interesuar (neni 189 dhe 190 i KPC), apo ndërhyrësit kryesor apo dytësor (neni 192 dhe 196 i KPC). Nuk rezulton gjithashtu i provuar fakti, që gjykata e shkallës së parë të ketë thirrur kryesisht në gjykim z.Lulzim Basha në cilësinë e Kryetarit të PDSH sipas nenit 193 të KPC, si dhe ta ketë legjitimuar atë nga pikëpamja formale dhe procedurale si palë në gjykim, edhe pse ky i fundit, i ka drejtuar gjykatës kërkesë me shkrim për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes në shkallë të parë, si dhe pushimin e gjykimit të kërkesës për regjistrimin e vendimeve të marra në Këshillin Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021 (shiko faqen 38-42 të dosjes gjyqësore në shkallën e parë).

39. Për sa më sipër, Kolegji vlerëson se ka qenë detyrim ekskluziv i Gjykatës së Apelit, që të merrte në shqyrtim dhe të analizonte në mënyrë shteruese dhe përfundimtare se kush e përfaqëson ligjërisht subjektin juridik PDSH. Është i paarsyeshëm dhe i papranueshëm nga pikëpamja e faktit dhe e ligjit, arsyetimi i dhënë nga Gjykata e Apelit, që i njëjti subjekt juridik, në një proces gjyqësor të shfaqet edhe në pozicionin e “kërkuesit” në shkallë të parë edhe të “ankuesit” në gjykimin në apel. Pra, për të njëjtin subjekt juridik, nuk mund të paraqiten para gjykatës dy “pretendues të ndryshëm” për pozicionin procedural “të përfaqësuesit” të tij, aq më tëpër kur bëhet fjale për një gjykim gracioz.

40. Dhënia përgjigje nga ana e gjykatës në lidhje me këtë çështje, do ti kishte dhënë përgjigje jo vetëm çështjes se vlerësimit të plotësimit të parakushteve procedurale për tu marrë në shqyrtim ankimi objekt vlerësimi në shkallën e dytë të gjykimit (pra nëse Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha, përfaqësuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj me autorizim, mund të ankimonte vendimin nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, referuar përcaktimeve të nenit 450 të KPC), por do ti kishte dhënë përgjigje edhe themelit të gjykimit, pra nëse gjykata e shkallës së parë ka pranuar që të marrë në shqyrtim një kërkesë të paraqitur nga një organ, i cili, nuk legjitimohet në aspektin procedural, pasi nuk ka tagrat e përfaqësimit për subjektin juridik PDSH.

41. Gjykata rishikuese përpara se të fillojë shqyrtimin e çështjes së paraqitur para saj, ka detyrimin ligjor që të vlerësojë fillimisht nëse mjeti i ankimit të paraqitur, plotëson ose jo parakushtet formale të pranueshmërisë për shqyrtim, dhe më pas, të vijojë shqyrtimin e çështjes duke i dhënë zgjidhje shkaqeve të ankimit brenda kufijve të shqyrtimit të tyre (shiko vendimin nr.00-2022-3488, datë 23.11.2022 të Kolegjit Civil). Ky fakt rezulton të jetë përcaktuar qartësisht në nenin 450 të KPC, e cila, përbën dispozitë ligjore me karakter të përgjithshëm dhe si i tillë, gjen zbatim për të gjitha mjetet procedurale që parashikon KPC (ankim, rekurs, ankim i veçantë apo rekurs i veçantë), si dhe në të gjitha shkallët e gjykimit.

42. Kolegji e çmon të arsyeshme për të vënë theksin tek fakti se, në miratimin e nenit 450 të KPC, ligjvënësi ka pasur si qëllim që të kufizojë shqyrtimin e mjeteve të ankimit pranë gjykatave më të larta, fillimisht tek plotësimi i elementëve formalë të tyre, të cilët, janë të nevojshme për tu plotësuar përpara se gjykata rishikuese të marrë në shqyrtim shkaqet ligjore për të cilat është paraqitur mjeti procedural i ankimit. Një gjykatë rishikuese, nuk mund të marrë në shqyrtim shkaqet e paraqitura në një mjet ankimi procedural, nëse ky mjet nuk plotëson parakushtet formale të pranueshmërisë, të cilat kanë të bëjnë me: (i) respektimin e afatit të paraqitjes së tij; (ii) nuk janë plotësuar të metat brenda afatit të caktuar nga gjykata dhe ligji; (iii) është ushtruar ndaj një vendimi ndaj të cilit nuk lejohet ankim; (iv) është bërë nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim; (v) është hequr dorë nga ankimi. Vetëm pasi janë plotësuar këto elementë, hapet rruga që gjykata rishikuese të marrë në shqyrtim dhe të vlerësojë pranueshmërinë e shkaqeve ligjore të paraqitura në ankim.

43. Ligjvënësi e ka përcaktuar në mënyrë të shprehur se ndaj vendimit të gjyqtarit të vetëm për “mospranimin e ankimit”, lejohet ankim i veçantë (neni 450/2 i KPC). Në lidhje me këtë parashikim, ligjvënësi nuk ka pasur si qëllim shtimin në vetvete të procedurave gjyqësore, por ka pasur si synim që brenda standarteve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, të japë garanci se askush nuk mund të kufizohet në mënyrë të paarsyeshme apo të paligjshme, nga e drejta për tu ankuar në një gjykatë më të lartë, ose, të investojë një gjykatë më të lartë në kundërshtim me ligjin (referojuni vendimit gjyqësor nr.00-2021-1252, datë 30.06.2021 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë). Për këtë arsye, sipas nenit 315 të KPC, vendimi i gjyqtarit të vetëm me të cilin është vendosur “mospranimi i ankimit”, përbën një vendim përfundimtar dhe ndaj këtij vendimi lejohet ankim i veçantë.

44. Nga ana tjetër, ligjvënësi nuk ka bërë asnjë parashikim nëse ndaj vendimit të gjyqtarit të vetëm, me të cilin është vlerësuar “pranimi i ankimit” lejohet të ushtrohet ankim i veçantë, në ndryshim nga rasti kur gjyqtari i vetëm vendos “mospranimin e ankimit”. Për Kolegjin, diferencimi në parashikimin konkret të ankimit të veçantë ndaj vendimeve të marra sipas nenit 450 të KPC, vjen pikërisht nga natyra e ndryshme që kanë këto vendime. Kështu, sikurse u theksua më sipër, vendimi për “mospranimin e ankimit” është një vendim përfundimtar në kuptim të nenit 315 të KPC, ndërsa, vendimi për “pranimin e ankimit”, është një vendim i ndërmjetëm, i cili, do ti nënstrohet kontrollit të gjykatës rishikuese, kur çështja ti paraqitet asaj për shqyrtim.

45. Në momentin që gjyqtari i vetëm ka vendosur “pranimin e ankimit”, gjykata rishikuese e cila ka në kompetencë funksionale që të bëjë shqyrtimin e këtij mjeti ankimi, pra që të vlerësojë shkaqet e parashtruara në mjetin e ankimit (ankim, rekurs, ankim/rekurs i veçantë), nuk është e lidhur detyrimisht me vullnetin e gjyqtarit të vetëm, por ka detyrimin që të vlerësojë në mënyrë të pavarur dhe kryesisht plotësimin e kushteve dhe kritereve formale të mjetit të ankimit (ankim, rekurs, ankim/rekurs i veçantë), sipas nenit 450 të KPC (shiko vendimin nr. 00-2023-90, datë 18.01.2023 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë). Ky qëndrim, përveçse përbën një qëndrim konstant dhe të konsoliduar të Kolegjit, gjen mbështetje edhe tek përcaktimet e nenit 450, pika 3 të KPC, në të cilin është parashikuar shprehimisht se: “Mospranimi i ankimit mund të deklarohet në çdo shkallë gjykimi”.

46. Bazuar sa më sipër, Kolegji arrin në konkluzionin se, pavarësisht faktit që Gjykata e Apelit ka bërë një interpretim të drejtë të nenit 450, pika 2 dhe 3 të KPC, duke i dhënë përgjigje palës së interesuar që ka kundërshtuar vendimin nr. 508, datë 22.04.2022 të gjyqtarit të vetëm të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (me të cilin është pranuar ankimi objekt i këtij gjykimi), nuk rezulton që ta ketë aplikuar në praktikë këtë qëndrim, duke e bërë vendimin e dhënë prej saj kontradiktor dhe të paqëndrueshëm. Kolegji vlerëson të theksojë faktin se, në kushtet kur Gjykata e Apelit, ka vendosur mospranimin e ankimit të paraqitur nga PDSH e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit kundër vendimit nr.508, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi ndaj këtij vendimi nuk lejohet ankim, duhet të kishte arsyetuar dhe të kishte konkluduar në mënyrë përfundimtare rreth faktit nëse, ankimi i paraqitur nga PDSH e përfaqësuar me autorizim nga deputeti Enkelejd Alibeaj, kundër vendimit nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë plotësonte parakushtet formale të pranueshmërisë, sipas përvaktimeve të nenit 450, pika 1, shkronja “ç” të KPC apo jo.

47. Gjykata e Apelit në cilësinë e gjykatës rishikuese, pa i dhënë përgjigje çështjeve procedurale që diskutohen që në fillim të shqyrtimit gjyqësor, pra vlerësimit të plotësimit të parakushteve formale të pranueshmërisë, të cilën e ka detyrim për ta verifikuar edhe kryesisht pavarësisht vullnetit të palëve (pra nëse e kanë kërkuar apo pretenduar në mënyrë të shprehur), ka kaluar në fazën e shqyrtimit të shkaqeve të ankimit, duke vlerësuar prishjen e vendimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë kësaj gjykate, por më tjetër trup gjykues.

Nga ana tjetër, tej sa më lart, konstatohet se shkaqet e marrjes së këtij vendimi nga Gjykata e Apelit, nuk i referohen shkaqeve të pretenduara nga pala që e ka investuar gjykatën, por janë shkaqe të cilat, gjykata i ka ngritur kryesisht, si çështje që çojnë në nulitetin e procesit të gjykimit sipas përcaktimeve të nenit 467 të KPC.

48. Për sa më sipër, Kolegji arrin në konkluzionin se Gjykata e Apelit i është shmangur detyrimeve të saj ligjore, të cilat janë të detyrueshmë për tu zbatuar, pasi garantojnë kryerjen e një procesi gjyqësor civil të rregullt, ligjor, efektiv dhe brenda afateve ligjore të arsyeshme. Ky detyrim i gjykatës, buron jo vetëm në kuptim të respektimit të parimeve procedurale të gjykimit, pra që gjykata shprehet në lidhje me ato që i kërkohen dhe për aq sa i kërkohen (neni 6 i KPC), por edhe si një detyrim i parashikuar shprehimisht në ligj, ku gjykata ka detyrimin që të kryejë këtë vlerësim edhe kryesisht pa marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit, në përputhje me përcaktimet e nenit 450, pika 3 të KPC.

Gjykata e Apelit, vetëm pasi të arrinte në një konkluzion përfundimtar nëse mjeti i ankimit objekt shqyrtimi i plotësonte të gjitha parakushtet formale të pranueshmërisë, kishte të drejtë ti hapte rrugë shqyrtimit të shkaqeve të ankimit dhe ti jepte zgjidhje në themel çështjes objekt shqyrtimi. Ndërkohë, me disponimin për prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim, Gjykata e Apelit ka krijuar konfuzion dhe paqartësi në lidhje me çështjen objekt shqyrtimi përsa i përket objektit të kërkimit, si dhe me natyrën e gjykimit (ritin e gjykimit) që ndiqet në shqyrtimin e saj.

49. Kolegji, konstaton se Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se personi juridik PDSH që tërheq interesa të ligjshme në këtë gjykim, përfaqësohet nga Kryetari Lulzim Basha, i cili, ka lëshuar autorizim për deputetin Enkelejd Alibeaj. Nëse gjykata e apelit ka arritur në konkluzionin se personi juridik që tërheq interes të ligjshëm për këtë proces gjyqësor është PDSH dhe ai përfaqësohet nga Kryetari z. Lulzim Basha, atëherë kjo gjykatë, nuk duhet të ishte shprehur për kthimin e çështjes për rigjykim, por duhet të kishte mbajtur parasysh përcaktimet e neneve 33, 297/ç e 298 të KPC. Për Kolegjin, dhënia e një qëndrimi përfundimtar në lidhje me këtë çështje është e rëndësishme për të garantuar një proces të rregullt ligjor dhe për të pasur një proces gjyqësor të vlefshëm dhe efektiv.

50. Në rastin objekt shqyrtimi, gjykata është investuar me kërkesë nga Komisioni i Rithemelimit, i cili, në përputhje me përcaktimet ligjore të nenit 9, 13 dhe 14 të ligjit nr.8580/2000 “Për partitë politike” i ndryshuar, ka kërkuar regjistrimin vendimeve të marra nga Kuvendi Kombëtar i thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme në datën 11.12.2021, në regjistrin përkatës të partive politike. Gjithashtu, në përputhje me përcaktimet e nenit 15 të ligjit nr.8580/2000 “Për partitë politike” i ndryshuar, ligjvënësi ka parashikuar në mënyrë të qartë se: “Vendimi i gjykatës për regjistrimin ose mosregjistrimin e partive politike në regjistrin e partive politike mund të ankimohet në gjykatën e apelit të Tiranës brenda 15 ditëve nga data e shpalljes së vendimit të gjykatës”. Pra, është i qartë fakti që vendimi që merr gjykata në raste të tilla, është një vendim ndaj të cilit lejohet e drejta e ankimit në një gjykatë më të lartë.

51. Për sa më sipër, në kushtet kur riti i gjykimit që ndjek gjykata e shkallës së parë në shqytimin e këtyre rasteve, është e natyrës gracioze, pra me kërkesë të palës së interesuar dhe pa palë kundërshtare (shiko vendimin e datës 22.12.2023 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë të kaluar për unifikim me nr.11249-00663-00-2023 Regjitri Themeltar; vendimin nr. 00-2021-556, datë 07.05.2021 të Kolegjit Administrativ të gjykatës së Lartë), Kolegji thekson se Gjykata e Apelit, përpara se të kalonte në fazën e shqyrtimit të çështjes dhe të merrte në shqyrtim vendimin e dhënë nga gjykata e rrethit gjyqësor, duhet ti kishte dhënë përgjigje faktit nëse, vendimi i marrë sipas një gjykimi gracioz, a mund të ankimohet në një shkallë më të lartë gjykimi, nga një palë, e cila nuk ka qenë e legjitimuar as nga pikëpamja formale dhe as nga pikëpamja procedurale si palë ndërgjyqëse në procesin gjyqësor të zhvilluar në shkallë të parë.

52. Në rastin konkret, rezulton i provuar fakti se, Komisioni i Rithemelimit është krijuar dhe miratuar nga mbledhja e Kuvendit të Partisë Demokratike të datës 11.12.2021, i thirrur sipas parashikimeve statutore nga ¼ e anëtarëve/delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Në këtë kuvend, është pretenduar se një nga vendimet e marra prej tij është edhe vendimi për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të PDSH, z.Lulzim Basha, i cili, ka si funksion përfaqësimin e subjektit PDSH tek të tretët. Për këtë arsye, nisur nga natyra e ndryshimeve statutore të marra në këtë Kuvend Kombëtar, pala e interesuar i është drejtuar gjykates me kërkesë, që të bëjë pasqyrimin e këtyre ndryshimeve në regjistrin e partive politike. Megjithatë, pavarësisht se kërkesa është paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit dhe gjykata është investuar në një gjykim gracioz, ankimi ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është ankimuar në shkallë të dytë gjykimi, nga Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha, përfaqësuar me autorizim nga deputeti z. Enkelejd Alibeaj.

53. Në arsyetimin e vendimit të saj, Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se z.Lulzim Basha vijon të jetë kryetar i PDSH, duke e kufizuar arsyetimin e saj ligjor në faktin se, kërkesa për heqje dorë nga funksioni i Kryetarit të PDSH nga ana e z.Lulzim Basha nuk është formalizuar me shkrim, si dhe nuk është depozituar në regjistrin e partive politike. Megjithatë, kjo gjykatë nuk ka vlerësuar dhe nuk ka marrë në analizë të detajuar faktin nëse ndryshimet statutore të miratuara nga Kuvendi Kombëtar i datës 17.07.2021, në të cilin z.Lulzim Basha është rizgjedhur Kryetar i PDSH janë regjistruar në regjistrin e partive politike apo jo, si dhe nëse kanë prodhuar efekte juridike këto ndryshime. Gjithashtu, gjykata e apelit nuk ka vlerësuar dhe nuk ka konkluduar nga pikëpamja e faktit dhe e ligjit se, çfarë efekti ligjor dhe rëndësie nga pikëpamja juridike ka mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Kombëtar të PDSH, si dhe vendimet e marra në këtë Kuvend, ku disa prej këtyre vendimeve kanë të bëjnë me shkarkimin e organeve drejtuese të PDSH (një prej të cilëve Kryetari i PDSH z. Lulëzim Basha) dhe krijimin e organeve të reja drejtuese, sikurse është edhe Komisioni i Rithemelimit.

54. Kolegji vlerëson se, në kushtet kur gjykata e apelit ka legjitimuar dhe ka pranuar të marrë në shqyrtim ankimin e paraqitur nga PDSH e përfaqësuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj sipas autorizimit të lëshuar nga kryetari z.Lulëzim Basha, nuk ka pasur asnjë shkak të arsyeshëm ligjor që të kthente shqyrtimin e çështjes për rigjykim, duke i lënë detyrë gjykatës së shkallës së parë që të verifikojë dhe të konkludojë se kush e përfaqësëson ligjërisht subjektin politik PDSH. Me disponimin e kthimit të çështjes për rigjykim në shkallë të parë, si dhe me detyrat e lëna për zbatim, gjykata e apelit ka ndryshuar natyrën (ritin) e gjykimit të mosmarrëveshjes, pra nga një gjykim gracioz me palë kërkuese, në një gjykim kontencioz me palë kundërshtare. Në këtë rast, gjykata ka krijuar një çështje të re, e cila, nga pikëpamja procedurale ka devijuar tërësisht nga çështja që është shqyrtuar në shkallë të parë.

55. Në rast se Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se në themel të këtij gjykimi, qëndron përcaktimi se kush është juridikisht organi ligjor që përfaqëson tek të tretët subjektin juridik PDSH, kjo gjykatë, duhet të kishte vendosur pushimin e gjykimit, duke orientuar palët që të zhvillojnë një gjykim themeli mes tyre (gjykim kontencioz). Megjithatë, në asnjë rast gjykata nuk mund të vendoste prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim, pasi në mënyrën se si e ka analizuar çështjen kjo gjykatë nuk ka dhënë konsiderata në lidhje me çështje substanciale të ligjit procedural e që duhet të merren parasysh gjatë rigjykimit, të cilat lidhen me: (i) cili do të jetë rit i gjykimit që duhet të ndiqet në rigjykim (riti gracioz apo ai kontecioz); (ii) cili do të jëtë pozicioni procedural i PDSH së përfaqësuar nga Kryetari z.Lulzim Basha, përsa kohë ky subjekt ka paraqitur ankimin mbi bazën e të cilit gjykata e apelit ka vijuar zhvillimin e gjykimit në shkallë të dytë gjykimi (pra është legjitimuar si palë ndërgjyqëse në proces, por çfarë pozicioni do të ketë, person i interesuar, ndërhyrës kryesor me padi, ndërhyrës dytësor); si dhe (iii) cili do të jetë objekti i shqyrtimit në rigjykim, regjistrimi i vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme në datën 11.12.2021, apo pavlefshmëria e vendimeve dhe ndryshimeve statutore të nxjerra nga ky Kuvend.

56. Kolegji vlerëson të theksojë faktin se, padia apo kërkesa e paraqitur në gjykatë, është në diskrecionin e palës që ka investuar gjykatën dhe në asnjë rast, gjykata nuk mund të ndryshojë vullnetin e palës që e ka investuar atë. Gjykata, në respektim të parimeve ligjore për një proces të rregullt ligjor, mund të orientojë dhe tu sugjerojë palëve që të plotësojnë të metat e padisë ose të kërkesës dhe në rast se ato nuk reflektohen nga pala e interesuar (kur paraqitet kërkesa) ose pala paditëse (kur paraqitet padia), gjykata i jep zgjidhje çështjes në mënyrë përfundimtare brenda kufijve të saj të shqyrtimit, nëpërmjet pranimit, rrëzimit, pushimit, kthimit të padisë apo kërkesës, në varësi të mjetit procedural me te cilin është investuar dhe në përputhje me shkakun ligjor që e justifikon këtë lloj vendimmarrjeje.

57. Vlen të theksohet fakti se, në gjykimin e iniciuar në shkallë të parë është pretenduar regjistrimi i akteve të nxjerra nga Kuvendi Kombëtar i PDSH në datën 11.12.2021, gjykim i cili është iniciuar me kërkesë të Komisonit të Rithemelimit. Ndërsa ankimi në gjykatën e apelit, është paraqitur nga deputeti Enkelejd Alibeaj, përfaqësues më autorizimin e lëshuar nga Kryetari i PDSH z.Lulzim Basha. Nga faktet e pranuara në gjykim, nuk rezulton që pala që ka ushtruar ankimin ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë të ketë paraqitur para kësaj të fundit, ndonjë kërkesë me të cilin të ketë kërkuar që të ndërhyjë në këtë proces gjyqësor, ose të ketë paraqitur një padi themeli, me të cilin të pretendohej deklarimi i pavlefshëm i mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021, si dhe të vendimeve të dala nga mbledhja e këtij kuvendi.

58. Në rastin konkret, Kolegji e sheh të arsyeshme që të evidentojë faktin se, gjykata është investuar me kërkesë dhe vendimmarrja e saj është e natyrës së një vërtetimi fakti (gjykim gracioz sipas nenit 388 të KPC), i cili, nuk prodhon pasoja për subjektet e tretë që nuk janë palë në këtë gjykim, por ka pasojë vetëm pasqyrimin e ndryshimeve statutore apo vendimeve të marra nga forumet vendimarrëse të subjektit juridik (partia politike) tek regjistri përkatës i partive politike. Për këtë arsye, në fazën në të cilën ndodhet ky gjykim, si dhe mënyrës së ngritjes së mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi (pra paraqitjes kërkesës dhe zhvillimit të një gjykimi gracioz), Kolegji vlerëson se, gjykata e apelit kishte detyrimin ligjor që ti jepte përgjigje çështjes, nëse, pala që ka paraqitur ankimin ka legjitimitet procedural por edhe substancial që të kundërshtojë një vendim gjyqësor të tipit vërtetim fakti juridik (pra me natyrë deklarative), i cili ka dalë nga një gjykim, në të cilin, nuk ka qenë palë pjesamarrëse në pozicionin e personit të tretë (ose palës së interesuar).

59. Referuar përcaktimeve të nenit 10, 13 dhe 14 të ligjit nr.8580/2000 “Për partitë politike” i ndryshuar, i vetmi mjet ligjor që ligji i njeh subjekteve juridike të organizuara në formën e partive politike për të pasqyruar ndryshimet statutore është paraqitja e një kërkesë për regjistrimin e këtyre akteve, gjykimi i të cilës, bëhet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe mbi bazë aktesh shkresore, sipas përcaktimeve të KPC. Në vijim të sa më sipër, në rast se ndonjë subjekt i tretë pretendon se cenohet nga regjistrimi i këtyre akteve për ndryshimet statutore, ka detyrimin që të paraqesë padi themeli, në mënyrë që gjykata të vlerësojë themelin e mosmarrëveshjes dhe të përcaktojë në mënyrë përfundimtare se kush është subjekti që mbart të drejtën dhe kush ka tagrat e përfaqësimit ligjor të personit juridik ndaj të tretëve, si dhe të fshijë regjistrimet e kryera me nënvizim.

60. Kolegji vlerëson se, në arritjen e konkluzionit se kush është organi kompetent që përfaqëson në këtë rast PDSH, gjykata e apelit nuk duhet ta kufizonte dhe ngushtonte shqyrtimin gjyqësor, duke vlerësuar faktin nëse dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha është kryer në formën shkresore dhe a ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike. Për të pasur një gjykim të drejtë dhe të gjithëanshëm të çështjes, si dhe për të kuptuar drejtë natyrën e këtij gjykimi, Gjykata e Apelit duhet të merrte në shqyrtim dhe të analizonte nga pikëpamja e ligjit dhe e faktit se, çfarë vlere provueshmërie dhe juridike kanë: (i) aktet e miratuara në Kuvendin Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021 në lidhje me organet drejtuese të PDSH, për të cilat kërkohet regjistrimi në regjistrin e partive politike; (ii) aktet e prodhuara nga organet zgjedhore KQZ dhe KAS për aq sa ato mund të konsiderohen se ndikojnë në mosmarrëveshjen objekt shyqrtimi; si dhe (iii) vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, i cili është gjykatë dhe vendimet e dhëna prej tij janë vendime gjyqësore të formës së prerë. Vetëm pasi të merren në analizë të gjitha faktet dhe provat e nevojshme të administruara në dosje, gjykata do të kishte mundësi për të konkluduar definitivisht se kush është organi që përfaqëson juridikisht tek të tretët PDSH-në, i cili është subjekti juridik që tërheq të drejtat në këtë gjykim.

61. Në këtë mënyrë, pavarësisht nga sa është arsyetuar edhe më sipër në këtë vendim në lidhje me zbatimin e rregullave proceduralë të gjykimit, Kolegji vlerëson se Gjykata e Apelit, nuk do ti jepte zgjidhje vetëm faktit nëse ankimi që e ka investuar atë në shkallë të dytë gjykimi plotëson parakushtet formale të pranueshmërisë apo jo, por do ti jepte zgjidhje edhe vetë themelit të kërkimit, pra nëse kërkesa e paraqitur për regjistrimin e vendimeve të dala nga Kuvendi Kombëtar i PDSH, është paraqitur nga organi që ka cilësinë për të vepruar dhe për të përfaqësuar PDSH me të tretët (pra, pala kërkuese gëzon ose jo legjitimitet procedural për paraqitjen e kërkesës).

62. Kolegji, vlerëson që pavarësisht faktit se sa ka arsyetuar më sipër në këtë vendim janë argumente të mjaftueshme ligjore për të justifikuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim, për efekt të rëndësisë jurisprudenciale, e vlerëson të arsyeshme që të ndalet dhe të analizojë se edhe shkaqet e tjera që Gjykata e Apelit ka cituar në vendimmarrjen e saj, kur ka vlerësuar cenimin e vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kthimin e kësaj çështje për rigjykim, me një tjetër trupë gjykuese.

63. Kështu, rezulton i provuar fakti se një nga shkaqet për cënimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë, të cilin Gjykata e Apelit e ka vlerësuar kryesisht, është se “… vendimi i dhënë nga Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është i paarsyetuar dhe se gjyqtari Agron Zhukri provohet që ka qenë në parakushtet e papajtueshmërisë për të dhënë vendimin objekt shqyrtimi, referuar nenit 72 të KPC…”.

64. Në lidhje me këtë çështje, Kolegji vlerëson të theksojë faktin se, ligjvënësi nuk ka parashikuar në mënyrë të shprehur se, vendimi i dhënë nga Kryetari i Gjykatës për të vlerësuar kërkesën për heqje dorë të gjyqtarit është një vendim i ankimueshëm. Kjo për faktin se, ligjvënësi nëpërmjet institutit të heqjes dorë, i ka dhënë mundësi vetë gjyqtarit që me ndërgjegje të vlerësojë heqjen dorë nga shqyrtimi i çështjes, duke ja ngarkuar vlerësimin e saj Kryetarit të Gjykatës. Në këtë kuptim, instituti i heqjes dorë dhe trajtimi i saj nga kryetari i gjykatës, është veprim procedural pasi parashikohet në ligjin procedural, i cili ka synuar që vetë gjykata (gjyqtari ose Kryetari i Gjykatës) të vetëzbatojnë përcaktimet e KPC në lidhje me papajtueshëmrinë e gjyqtarit, pa përfshirë rolin aktiv të palëve ndërgjyqëse, të cilët tërheqin të drejta dhe detyrime nga procesi gjyqësor. Instituti i heqjes dorë, jep garanci të shtuara se është edhe vëtë gjykata ajo që ka detyrimin ligjor për të garantuar zhvillimin e një gjykimi të drejtë, të paanshëm, të ndershëm dhe të besueshëm nga palët. Kjo vjen në frymë edhe të përcaktimeve të nenit 72 të KPC, ku palët ndërgjyqëse që tërheqin të drejta dhe detyrimin për procesin gjyqësor mund të mos kenë dijeni në lidhje me çështje të karakterit tërësisht personal të gjyqtarit si, lidhjen gjinore e farefisnore; punësimin e të afërmve të tij, kontratat e nënshkruara më të tretët, marrëdhëniet e afërta shoqërore dhe interesat ligjore dhe ekonomike të tij me të tretët.

65. Gjithashtu, Kolegji thekson se, nëse vendimi i marrë nga Kryetari i Gjykatës sipas nenit 73 të KPC, do të ishte i ankimueshëm, ligjvënësi për ta bërë sa më efektiv këtë mjet ankimi, do të duhej të përcaktonte edhe këto çështje: (i) kush është subjekti që mund ta ankimonte këtë vendim (logjikisht dhe proceduralisht mund të ankimohej vetëm nga gjyqtari që ka paraqitur kërkesën, pasi pala e interesuar në këtë rast, mbron interesat e saj ligjore nëpërmjet institutit të përjashtimit); (ii) afatet brenda të cilit do të ushtrohej; si dhe (iii) organin që e merr në shqyrtim këtë ankim. Në kushtet kur ligjvënësi nuk ka dhënë asnjë parashikim të tillë, ky vendim nuk është i ankimueshëm dhe si i tillë, nuk mund të ankimohet as nga palët e përfshira në gjykim nëse nuk e kanë ushtruar të drejtën e tyre nëpërmjet institutit të përjashtimit të gjyqtarit, si dhe as të ngrihet kryesisht nga gjykata.

Në arritjen e këtij konkluzioni, Kolegji mban në vëmendje faktin se, një procedurë e tillë, nuk ka si qëllim krijimin e një mosmarrëveshje të re mes gjyqtarit të çështjes dhe kryetarit të gjykatës, duke u shmanguar fokusi dhe interesi i ligjshëm nga mosmarrëveshja e themelit dhe garantimi i shqyrtimit të saj përmes një procesi të rregullt ligjor.

66. Ligjvënësi ka bërë një diferencim të qartë midis institutit të heqjes dorë nga shqyrtimi i një çështje gjyqësore, me institutin e përjashtimit të gjyqtarit. Nga mënyra e formulimit dhe përcaktimeve ligjore që rregullojnë këto dy institute, vlerësohet se, instituti i heqjes dorë nga gjykimi, lidhet ngushtësisht me vullnetin personal të gjyqtarit, në ndryshim nga instituti i përjashtimit të gjyqtarit, i cili, lidhet me pretendimin dhe vullnetin e palëve ndërgjyqëse në proces. Megjithatë, në themel të të dy këtyre instituteve, qëndron vlerësimi dhe vërtetimi i faktit nëse plotësohen ose jo kushtet e papajtueshmërisë të përcaktuar në nenin 72 të KPC. Ligjvënësi në mënyrën e përcaktimit të kontrollit dhe verifikimit të papajtueshëmrisë së gjyqtarit, si në rastin e institutit të dorëheqjes, ku shqyrtimi i kërkesës për heqje dorë të gjyqtarit bëhet nga Kryetari i Gjykatës, ashtu edhe në rastin e aplikimit të institutitut të përjashtimit të gjyqtarit, ku kërkesa për përjashtim shqyrtohet nga një gjyqtar tjetër i gjykatës, ka pasur si qëllim që të japi garanci të mjaftueshme se asnjë gjyqtar nuk mund të shmaget nga ushtrimi i detyrës së tij kushtetuese pa një shkak të justifikuar, apo për shkak se palët ndërgjyqëse mund të krijojnë situata apo pretendime të tilla, të cilat, kanë si synim që të shmangin një gjyqtar nga shqyrtimi i çështjes jo për shkak të ekzistencës së kushteve ligjore të përcaktuara në ligjin procedural, por për shkak të vullnetit dhe preferencës së tyre.

67. Trajtimi i kërkesës nëpërmjet institutit të heqjes dorë, nuk konkuron dhe nuk kushtëzon të drejtën e palëve për të paraqitur kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit sipas përcaktimeve të nenit 74 të KPC.

Megjithatë, në ndryshim nga vendimi që merr Kryetari i Gjykatës sipas nenit 73 të KPC (pra vendimi per pranimin ose refuzimin e kërkesës së gjyqtarit për heqje dorë nga gjykimi) i cili është një vendim i paankimueshëm, ndaj vendimit të gjykatës që shqyrton kërkesën e përjashtimit, lejohet e drejta e ankimit së bashku me vendimin përfundimtar (neni 75 i KPC).

Gjithashtu, vlen të theksohet fakti se, në rastin kur Kryetari i Gjykatës vlerëson rrëzimin e kërkesës së gjyqtarit për heqje dorë nga gjykimi në përputhje me përcaktimet e nenit 72 dhe 73 të KPC, palët ndërgjyqëse nuk kufizohen për të kërkuar përjashtimin e gjyqtarit të çështjes, sipas përcaktimeve të nenit 74 të KPC (shiko qëndrimin e mbajtur në vendimin me nr. 11243-03538-00-2013 Regjistri Themeltar), datë 26.05.2016 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë me palë kërkuese Ibrahim Toshkëzi).

68. Për sa më sipër, Kolegji arrin në konkluzionin se, vendimi i dhënë nga Kryetari i gjykatës sipas nenit 73 të KPC, është një vendim “sui generis”, i cili, nuk është i ankimueshëm, por nuk ka as cilësinë e një vendimi gjyqësor përfundimtar dhe të formës së prerë sipas nenit 451 dhe 451/a të KPC. Bazuar sa më sipër, në rast se Kryetari i Gjykatës vendos rrëzimin e kërkesës së gjyqtarit për të hequr dorë nga gjykimi, palët e interesura, nuk kanë ndalesë ligjore që brenda të njëjtit proces gjyqësor, të paraqesin kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit. Në këtë rast, ndaj vendimit të pranimit ose i refuzimit të kërkesës për përjashtim gjyqtarit lejohet ankim sëbashku me vendimin përfundimtar sipas nenit 75, paragrafi i parë i KPC. Në rast se palët ndërgjyqëse nuk ushtrojnë të drejtën e ankimit së bashku me vendimin përfundimtar ndaj vendimit të përjashtimit ose mospërjashtimit të gjyqtarit sipas nenit 75 të KPC, ky vendim kthehet në vendim përfundimtar dhe në lidhje me këtë çështje, gjykata rishikuese nuk ka më lëndë gjykimi.

69. Duke iu rikthyer rastit konkret, si dhe në përmbajtje të akteve shkresore të administruara në dosje, rezulton se gjyqtari Agron Zhukri ka dhënë dorëheqjen nga shqyrtimi i çështjes objekt shqyrtimi, për të cilin, Zëvendëskryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e datës 20.12.2021 ka vendosur: “Mospranimin e kërkesës për heqje dorë të gjyqtarit Agron Zhukri” (shiko faqen 57 të dosjes gjyqësore në shkallë të parë).

70. Gjithashtu, rezulton i provuar fakti se, PDSH përfaqësuar nga Kryetari Lulzim Basha, edhe pse nuk ka qenë i legjitimuar formalisht dhe proceduralisht si palë në gjykim, ka paraqitur kërkesën e datës 21.12.2021 dhe të datës 24.12.2021, për përjashtimin nga gjykimi të mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi të gjyqtarit Agron Zhukri (shiko faqen 64-68 të dosjes gjyqësore në shkallë të parë si dhe faqen 1 të dosjes gjyqësore që ka lidhje me shqyrtimin e kërkesës për përjashtim gjyqtari). Këto kërkesa janë trajtuar me vendimin e datës 04.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke u vendosur mospranimi i kërkesës, vendim i cili, nuk rezulton të jetë ankimuar me vendimin përfundimtar, që në këtë rast ka qenë vendimi nr. 3, datë 25.03.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nga ana e PDSH përfaqësuar nga kryetari z.Lulzim Basha. Në këtë kuptim, vendimi i datës 04.02.2022 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është vendim i formës së prerë sipas nenit 451/b të KPC, për palën që e ka pretenduar.

71. Nga aktet e administruara në dosje, ka rezultuar gjithashtu i provuar fakti se, pala kërkuese në këtë gjykim, Komisioni i Rithemelimit, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Blerina Muça nga shqyrtimi i kushteve formale të pranueshmërisë së ankimit së paraqitur nga PDSH e përfaqësuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj me autorizim të lëshuar nga z.Lulzim Basha, pretendim, i cili është rrëzuar me vendimin nr.542, datë 19.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ky vendim nuk rezulton të jetë ankimuar nga pala kërkuese së bashku me vendimin e ndërmjetëm nr. 508 Regj. Them., datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin është pranuar ankimi i paraqitur ndaj vendimit përfundimtar me nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në këto kushte kjo çështje nuk mund të shqyrtohej nga Gjykata e Apelit.

72. Gjykata e Apelit ka marrë kryesisht çështjen e papajtueshmërisë së gjyqtarit Agron Zhukri, pasi ky pretendim nuk rezulton që të jetë pretenduar nga pala që ka ushtruar ankimin.

Nga ana tjetër, kjo gjykatë nuk rezulton që të ketë marrë në shqyrtim dhe ti ketë dhënë përgjigje palës kërkuese në këtë gjykim dhe as të ketë vlerësuar kryesisht nëse gjyqtarja Blerina Muçi, e cila ka dhënë vendimin nr. 508, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin, i është hapur rruga për shqyrtimin e çështjes në shkallë të dytë, ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë së përcaktuar nga neni 72 i KPC. Kolegji vlerëson të theksojë faktin se, në të dy rastet, themeli i pretendimeve të palëve për të përjashtuar gjyqtarët Muçi dhe Zhukri ka qenë raporti i tyre me shtetasin Sali Berisha, i cili, është njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit të Rithemelimit.

73. Në lidhje me këtë çështje, Kolegji pavarsisht se vlerëson që pretendimet e ngritura nga palët e interesuara për të përjashtuar të dy gjyqtarët nuk janë të asaj shkalle që kërkon neni 72, pika 3 dhe 6 të KPC, pasi në rastin konkret, procesi gjyqësor nuk tërheq në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e shtetasit Sali Berisha (si individ), por ka si palë personin juridik të së drejtës, konkretisht PDSH, i cili është pretenduar se përfaqësohet nga organi kolegjial, Komisioni i Rithemelimit, çmon nga njëra anë se gjykata e apelit as mund të mërrte kryesisht në shqyrtim pajtueshmërinë e gjyqtarit Zhukri, aq më tepër referuar vendimit të zv.Kryetarit të gjykatës për mospranimin e dorëheqjes së tij, dhe nga ana tjetër, do të duhej të përgjigjej lidhur me pajtueshmërinë e gjyqtares Muçi, sa kohë këtë e kishte një nga shkaqet e ankimit.

74. Kolegji vlerëson se edhe shkaku tjetër i përdorur nga gjykata e apelit për të prishur vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe për ta kthyer çështjen sërisht për rigjykim pranë kësaj gjykate, nuk qëndron.

Gjykata e Apelit ka interpretuar, edhe në këtë rast kryesisht, se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vepruar gabim dhe në kundërshtim me nenin 297/a të KPC, dhe 298 lidhur me pezullimin e gjykimit dhe rifillimin e tij pa rënë ky shkak pezullimi. Në fakt rezulton se shkaku ligjor që ka vlerësuar Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për pezullimin e gjykimit nuk ka qenë sipas pikës “a” të nenit 297 të KPC, por sipas pikës “d” të këtij neni. Pra, gjykata e apelit ka ndryshuar shkakun ligjor mbi të cilin gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar pezullimin e gjykimit, fakt që ka bërë të vlerësoj më pas në mënyrë të gabuar edhe rrethanat në të cilat gjykimi ka rifilluar.

Kështu, rezulton se Gjykata e Shkallës së parë ka pezulluar shqyrtimin e çështjes me arsyetimin se nuk mund të shqyrtojë kërkesën për regjistrimin e akteve pa ju vënë më parë në dispozicion aktet e nevojshme nga zyra e regjistrimit të partive politike, akte të cilat ndodheshin për shqyrtim tek një gjyqtare tjetër e gjykatës. Ndërsa, gjykata e apelit ka vlerësuar se në rastin konkret, të dyja çështjet e paraqitura para gjykatës së rrethit gjyqësor kanë lidhje të ngushtë mes tyre dhe pa përfunduar zgjidhja e çështjes së parë me vendim përfundimtar, nuk mund të vijonte çështja e dytë.

75. Në nenin 467 të KPC, është përcaktuar qartësisht se: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë, tërësisht ose pjesërisht, sipas kufijve të nenit 121, të këtij Kodi, dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur: a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën; b) përbërja e trupit gjykues nuk ka qenë e rregullt ose vendimi nuk është nënshkruar nga anëtarët e tij, ose është cenuar parimi i paanësisë; c) gjykata e shkallës së parë ka vendosur pushimin e çështjes në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ky Kod; ç) çështja është gjykuar në mungesë të pjesëmarrësve në proces, pa pasur dijeni për gjykimin; d) nuk është formuar drejt bashkëndërgjyqësia, sipas nenit 162, paragrafi i dytë, i këtij Kodi; dh) kur mungojnë ose janë të pavlefshme padia, procesverbali gjyqësor, ankimi, si dhe çdo dokument tjetër që ka ndikuar në dhënien e vendimit; e) gjykata e shkallës së parë nuk e ka kryer shqyrtimin gjyqësor të të gjitha kërkimeve lidhur me objektin e mosmarrëveshjeve”.

76. Në analizë të përmbajtjes së nenit të sipërcituar, Kolegji vlerëson se, edhe aplikimi i gabuar apo mosrespektimi i përcaktimeve të nenit 297 të KPC, që kanë të bëjnë me pezullimin e gjykimit, nuk përfshihet në ato shkelje të rënda procedurale, të cilat ta bëjnë nul gjykimin e zhvilluar në gjykatën e shkallës së parë, pasi të gjitha faktet e vlerësuara të nevojshme si shkak pezullimi gjykata e apelit mund ti realizojë vetë nëpërmjet riçeljes së hetimit gjyqësor.

Gjithashtu, gjykata nuk ka dhënë asnjë argument dhe asnjë vlerësim ligjor dhe faktik se, cila është lidhja e ngushtë e cila kushtëzon zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi, pa u zgjidhur më parë me vendim të formës së prerë, çështja civile që ka për objekt “Regjistrimin e vendimeve të marra në Kuvendin Kombetar të datës 17.07.2021”. Kjo për faktin se, vendimet që kërkohen të regjistrohen në mosmarrëveshjen objekt shqyrtimi, janë më të vonëshme në kohë, pasi kanë dalë nga Kuvendi Kombëtar i PDSH, i mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme në datën 11.12.2021. Për këtë arsye, ky shkak nuk mund të përdoret për të prishur vendimin e dhënë nga gjykata e shkallës së parë dhe për ta kthyer çështjen sërisht për rigjykim pranë kësaj gjykate me një tjetër trup gjykues, pa u bërë më parë një vlerësim i fakteve dhe rrethanave të secilës prej çështjeve, si dhe lidhjes së ngushtë që ekziston mes tyre.

77. Për gjithë sa është pasqyruar më sipër në këtë vendim, Kolegji vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim PDSH përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe ligjore nga ato që parashikon neni 472 i KPC dhe për këtë arsye, vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit duhet të prishet dhe çështja duhet të kthehet për rishqyrtim pranë kësaj gjykate më një tjetër trup gjykues, sipas përcaktimeve të nenit 485, shkronja c të KPC.

78. Vendimi i dhënë nga gjykata e apelit është një vendim jopërfundimtar, pasi nuk i ka dhënë zgjidhje në themel mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi, fakt i cili, e vë Gjykatën e Lartë si një gjykatë ligji, në pamundësi për ta zgjidhur këtë çështje në themel të saj, pasi nuk është garantuar zgjidhja e mosmarrëveshjes në mënyrë përfundimtare në shkallën e dytë të gjykimit. Gjithashtu, në kushtet kur për identifikimin dhe shqyrtimin e drejtë të kësaj çështje, kërkohet që të shtrihet shqyrtimi gjyqësor si dhe të kryhet vlerësimi i fakteve, rrethanave dhe provave të administruara në dosje, çështje të cilat janë jashtë juridiksionit rishikues të Gjykatës së Lartë. Për këtë arsye, Kolegji, brenda kufijve të tij të gjykimit, e ka kufizuar shqyrtimin gjyqësor të kësaj cështje në drejtim të identifikimit e gabimeve që ka lejuar Gjykata e Apelit në drejtim të gjykimit, hetimit të paplotë dhe interpretimit të gabuar të normave procedurale që ka lejuar Gjykata e Apelit, duke mos i dhënë zgjidhje përfundimtare mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi, sipas përcaktimeve të nenit 485, shkronja “a” “b” dhe “ç” të KPC.

79. Kolegji, vlerëson të bëjë evident faktin se, gjatë fazës së rigjykimit, Gjykata e Apelit, duhet të mbajë në konsideratë orientimet e dhëna në këtë vendim, duke ruajtur kufijtë e shqyrtimit gjyqësor në këtë gjykatë, të cilat varen nga kufijtë dhe shkaqet e ankimit që kanë investuar gjykatën e apelit. Kjo gjykatë, duhet tu bëjë të qartë palëve se është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejta kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara me ligj. Gjykata duhet të lejojë palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave, ato të provojnë pretendimet e tyre bazuar në nenin 12 dhe 19 të KPC dhe t’i lejojë palët që t’ia nënshtrojnë këto prova hetimit e debatit gjyqësor.

80. Gjithashtu, Gjykata e Apelit duhet të mbajë në vëmendje dhe të zgjidhë çështjen në përputhje me përcaktimet e bëra në nenin 5, 6, 95, 120 të KPC dhe brenda kufijve ligjore që përcaktohen në nenin 467 të KPC, si dhe ti japë zgjidhje përfundimtare asaj në përputhje edhe me praktikën gjyqësore të konsoliduar në shqyrtimin e kësaj natyre mosmarrëveshjeje. Kryerja e veprimeve të përmendura më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes.

81. Për sa më sipër, Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji, nuk i hyn analizës së provave, gjë që duhet ta bëjnë gjykatat e niveleve me të ulëta, por ajo vetëm evidenton shkeljet ligjore që kanë lejuar gjykatat e ulëta, qoftë të normave procedurale apo atyre materiale, duke kërkuar respektimin e tyre. Në rrethanat kur gjykata e apelit i ka të gjitha mundësitë ligjore të marrë në shqyrtim dhe të zgjidhë mosmarrëveshjen objekt gjykimi, Kolegji, vlerëson të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe të dërgojë çështjen për rishqyrtim pranë kësaj gjykate, me një tjetër trup gjykues.

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 485, pika 1/ “c”,

të Kodit të Procedurës Civile.

VENDOSI

– Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit