Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Dibra tha se qeveria e papërgjegjshme ka shkaktuar plagë të mëdha në Shqipëri për shkak të qeverisjes së saj të korruptuar. Para demokratëve, Basha nuk la pa shigjetuar dhe grupimin tjetër brenda PD-së, siç është Rithemelimi.
Ai tha se këta që hiqen si opozitarë, duhet të vendosin nëse janë pro luftës kundër korrupsionit.
“Ajo që pritet prej nesh nuk është thjesht mbijetesa, por dalja nga kriza e shkaktuar nga kjo qeveri. Të ndërtosh këtë alternativë, do të thotë të besosh te e nesërmja e Dibrës dhe Shqipërisë. Nëse betejën e bën për karrigen tënde personale, jo vetëm që s’i shërben Shqipërisë, por je kthyer në shërbëtor. Nga njëra anë i kemi të qarta plagët e shkaktuara në Dibër dhe Shqipëri nga kjo qeveri e papërgjegjshme për shkak të korrupsionit apo pashpirtësisë. Nga ana tjetër, mungesa e një alternative dhe zëvendësimi i saj me gjuhën e lodhur dhe të mungesës së një plani nga qeveria, i shërben kësaj qeverie. Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë, por e qartë. E qartë për përballjet, e qartë për qëndrimet bardhë e zi dhe për çfarë presin, meritojnë dhe do të ketë shqiptarët nga PD. Kjo qartësi është jetike për të vendosur piketat e së nesërmes. Oferta duhet të jetë e plot, pa dritëhije dhe e qartë. Si mund të ketë drejtësi kur ata që e cilësojnë veten opozitë, sulmojnë institucionin më të lartë të drejtësisë. Në vend që t’i japë qytetarëve alternativë të saktë, bëjnë zig-zake për drejtësinë. Jeni apo jo që pushtetarët të përgjigjen për shkeljet? Që të zhduket imuniteti parlamentar dhe të vendoset drejtësi reale. Si me Arben Ahmetjan, që u deshën 2 javë për të hequr imunitetin, dhe iu dha kohë që të arratisej.”, tha Basha.