Një kamerier 17-vjeç dyshohet se është dhunuar brutalisht nga tre të mitur pak pas mesnatës (26 mars) në ambientet e tij të punës në qendër të qytetit të Beratit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 00:45 minuta ku adoleshenti raportohet se është goditur me grushte, shkelma e karrige dhe ka marrë plagë të shumta.
17-vjeçari me iniciale B.D, është transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.
Ndërsa gjatë sherrit, të tmerruar, klientët janë larguar me vrap nga ambientet e lokalit.
Mësohet se për zbulimin e shkakut të ngjarjes efektivët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë.
Njoftimi i policisë:
Berat/Informacion paraprak
Gjatë natës, në lagjen “22 Tetori”, Berat, pranë një picerie, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasit R. Q., 16 vjeç G. Q., 16 vjeç, (vëllezër) dhe I.B., 16 vjeç, janë konfliktuar fizikisht dhe kanë goditur me sende të forta shtetasin B. D., 17 vjeç, i cili punonte në këtë piceri.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar menjëherë në ambientet e komisariatit, shtetasit R. Q,. G. Q dhe I.B., me të cilët po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale, në praninë e psikologut dhe prindërve të tyre.
Ndërkaq, grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. /btvnews.al