Miqësoret e marsit përfunduan, ndërsa tani është koha për të bërë bilancet. Dy ndeshje, dy humbje, por dy paraqitje të ndryshme për kombëtaren e Shqipërisë. Nëse disfata 3-0 kundër Kilit duhet harruar sa më shpejt, ajo 1-0 ndaj Suedisë dha sinjale dhe detaje pozitive që kuqezinjtë mund t’i marrin me vete në finalet e Euro 2024.
Por e sigurt është që Sylvinho i ka më të qarta idetë për futbollistët me të cilët do të udhëtojë drejt Gjermanisë në verë. Në dy miqësoret e fundit, trajneri brazilian provoi disa skema dhe lojtarë, duke marrë përgjigje të ndryshme.
Ajo që u pa që në publikimin e listës për ndeshjet e marsit dhe më pas në fushën e lojës, konfirmoi se dyshimet më të mëdha të Sylvinho kanë të bëjnë me sulmin. Ai ftoi nëntë lojtarë ofensivë, ndërsa të gjithë morën minuta, përfshirë të rikthyerit Rei Manaj dhe Armando Broja. Të dy shpresojnë të kenë bindur trajnerin, por gara për të vendosur emrin në listën e futbollistëve që do të luajnë në finalet e Euro 2024 është shumë e fortë. Më të lehta duken zgjedhjet në repartet e tjerë, ku Sylvinho ndryshoi pak nga eliminatoret e fundit.
Për herë të parë, që pa pandemisë numri i lojtarëve që çdo skuadër për Kampionatin Europian është ulur sërish në 23. Ndërkohë, që afati i fundit për të dorëzuar listën në UEFA është data 7 qershor.
Në atë kohë, kombëtarja kuqezi do të jetë në fazën përgatitore në Austri, ndërsa ka në program edhe dy miqësore të tjera