Ylli i PSG-së, Kili Mbape e ka nisur nga stoli takimin, për të zbritur në fushë në pjesën e dytë dhe ndihmuar ekipin të shmangë një humbje në fushën e vet. Dhe ishte pikërisht Kilië Mbape që ka paralajmëruar se të mërkurën në Barcelonë do të jetë një krejt tjetër melodi. Kapiteni i Parisit dhe i kombëtares franceze ka nënvizuar se ka ardhur momenti që ai të tregojë vërtet kush është.
“Më në fund ka mbërritur momenti i duhur. Kjo është koha për lojtarët e mëdhenj të tregojnë veten e tyre”, tha francezi për “Telefoot”, duke iu referuar ndeshjes kundër Barcelonës javën e ardhshme. Sulmuesi 25-vjeçar është golashënuesi më i mirë i këtij sezoni në Champions League me gjashtë gola, po aq sa Haland (Siti), Grizman (Atletiko Madrid) dhe Herri Kejn (Bajern Mynih). Ai gjithashtu ka saktësuar se është i përgatitur për çdo gjë që vjen më pas. Më tej mesazhi i tij për Barcelonën ka qenë i drejtpërdrejtë, pa u fshehur. “Jam gati dhe, si gjithmonë, nuk do të fshihem”, tha Mbappe i bindur, duke paralajmëruar Barçën, skuadër me të cilën tashmë është përballur në fazën e 1/8 e finaleve të këtij kompeticioni edhe në sezonin 2020-2021.
Në ndeshjen e parë të asaj përballjeje, Mbape shënoi një tregolësh kundër Barcelonës në “Camp Nou”. “Duke parë dinamikën që kemi, jam i sigurt se do të japim gjithçka, pastaj rezultati… është në dorën e Zotit”, shtoi futbollisti, i cili theksoi edhe momentin aktual të sezonit: “Si çdo viti, ne futemi në periudhën vendimtare të sezonit. Në fund të prillit, tashmë do të kemi elementë për të kuptuar se çfarë sezoni do të mund të kemi. Por ne jemi përgatitur për të bërë rrugë të gjatë në Ligën e Kampioneve”. Paris SG-ja dhe Barcelona do të luajnë takimin e parë çerekfinal në “Parc des Princes” të mërkurën, teksa gjashtë ditë më pas do të luhet ndeshja e kthimit në Barcelonë.