Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se pazari mes Sali Berishës dhe kryeministrit Edi Rama, po zbardhet çdo ditë dhe më shumë.
Në një postim në rrjetet sociale ai ka rreshtuar se pazari mes tyre përfshin qëndrimet kundër SPAK, Amnistinë Penale me qëllim lirimin e të dënuarve për korrupsion dhe ruajtjen e marrëveshjes së arritur më 2008.
Postimi i plotë:
Pazari mes dyshes Rama-Berisha po zbardhet çdo ditë dhe më shumë. Janë të qartë në:
Aleancën e tyre kundër SPAK
Lirimin e të dënuarve për korrupsion
Ruajtjen e marrëveshjes famëkeqe të vitit 2008.
Si pjesë e këtij pazari, Rama kërkon të kthejë në PD aleatin e tij Berisha. Kjo është rruga e vetme e mbijetesës së klasës së vjetër politike, nëpërmjet pazarit për të shtrënguar radhët e të korruptuarve.
Vendimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë është i qartë dhe i prerë. Asnjë ortakëri e lidhur nga krimi dhe korrupsioni nuk mund ta zhbëjë atë.
Asnjë person i përcaktuar “Non grata” nuk do të jetë pjesë e PD.
PD mbështet pa kushte SPAK dhe vënien para ligjit të gjithë atyre që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve.
Lista të hapura, votim për diasporën, barazi vote dhe votim e numërim elektronik. /btvnews.al