Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.
Moti parashikohet fillimisht në orët e para të 24-orëshit me vranësira mesatare deri të dendura shoqëruar me reshje shiu të dobëta dhe afatshkurtra. Më pas për pjesën më të madhe të ditës mot me kthjellime si dhe alternime vranësirash hera-herës deri të dendura. Këto vranësira në relievet e larta malore do të shoqërohen me reshje shiu afatshkurtra dhe intensitet të ulët. Në orët e vona të mbrëmjes shtim përsëri të vranësirave deri të dendura dhe nisin përsëri reshjet e shiut me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të territorit. Mjegull / mjegullinë në orët e mëngjesit dhe në momentin e reshjeve të shiut.
Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – jugperëndim me shpejtësi mesatare 1-6 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e lugina era fiton shpejtësi deri 10m/sek, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-3 ballë.