Valentina Arrazi, kunata e të ndjerës Alma Arrazi, është paraqitur në prokurorinë e Shkodrës në orën 09:55 minuta.
Ajo është thirrur sërish nga prokurori Ledion Tema për të dëshmuar mbi takimin e fundit me Alma Arrazin dhe 3 fëmijët e saj, pasi ishte e fundit që i pa gjallë.
Valentina Arrazi në dëshminë e saj është shprehur se po ta dinte se do mbytej bashkë me fëmijët do kishte bërtitur në mes të lokalit, s’do ta kisha lënë kurrë.
Dëshmia e Valentina Arrazit, kunatës së Alma Arrazit:
Dolëm për të pirë një kafe së bashku me Almën dhe fëmijët tanë tek një lokal në pedonalen e Molos në hyrje të qytetit të Shkodrës. Unë e kam dashur shumë Almën edhe ajo mua e po ashtu edhe fëmijët kanë shkuar shumë mirë ndaj edhe dolëm si zakonisht me njëra-tjetrën.
Rrugës përpara se të mbërrinim unë u ndala në një market për të blerë diçka dhe Alma më priti jashtë. Kur dola Alma më tregoi se Erdgysi, kishte kaluar me makinë së bashku me të dashurën e tij dhe se i kishte parë.
Unë nuk e kam parë Erdgysin sepse isha në market por Alma më tha se kishte kaluar. Kemi vijuar rrugën dhe u ulëm në kafe. Fëmijët po luanin dhe me Almën biseduam pak për marrëdhënien e saj me Erdgysin.
Më pas vijuam edhe me biseda të tjera dhe rreth orës 20:10 ikëm nga aty. Alma më tha më përpara se do të vinte ta merrte i vëllai me taksi dhe se do shkonte tek familja e saj në Durrës derisa të sqaroheshin me bashkëshortin e saj. Më tregoi se Erdgysi ishte në dijeni se do ikte dhe u ndamë”.
Para një muaji Alma kishte qenë tek familja e saj në Durrës për shkak të debateve që mund të kenë pasur. Pavarësisht situatës, Alma i ka kërkuar Edgysit që të shkonte e ta merrte dhe se ia kishte falur faktin që ishte njohur me një vajzë tjetër me shpresën se ai do ta linte atë për të vijuar me familjen e tij.
Erdgysi ka shkuar dhe e ka marrë duke qenë se ajo e kishte kërkuar. Fakti që ishte larguar edhe para një muaji tek familja nuk më bëri të dyshoj për atë gjë aq të rëndë që Alma bëri.
Unë po ta dija se Alma do mbytej bashkë me fëmijët do kisha bërtitur në mes të lokalit dhe nuk do ta kisha lënë kurrë por nuk e dija sepse thjeshtë më tha se do e merrte i vëllai.
Pasi Alma u largua unë nxora telefonin dhe lajmërova bashkëshortin tim se nuk kisha internet dhe se do ikja për në shtëpi. Pasi i thashë se isha pa internet, vijova rrugën deri në shtëpi.
Unë i thashë bashkëshortit kur ika në shtëpi se Alma do shkonte tek familja e saj në Durrës. E mori vesh edhe Erdgysi se do shkonte në Durrës.
Pas afro dy orësh kemi komunikuar me motrën e Almës dhe ajo na tha se nuk kishte shkuar atje. Kjo na bëri të dyshojmë dhe e gjithë familja jonë dolëm me makina duke kërkuar kudo në rrugët e qytetit nëse mund të gjendej diku Alma, por nuk e gjetëm askund.
Kemi kërkuara e pyetur shumë edhe të nesërmen më 3 maj por askush nuk na konfirmoi asgjë derisa Erdgysi shkoi në polici dhe bëri denoncimin për humbjen e saj dhe të tre fëmijëve.